Rigjykimi i paraparë të fillonte të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-gjyqtares dhe tani avokates, Shemsije Sheholli, u shty për një datë tjetër, për shkak të mungesës së vet të akuzuarës.
E akuzuara Sheholli ka njoftuar gjykatën se është e sëmurë edhe nuk mund të marrë pjesë në këtë seancë.
Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, në këto rrethana, ka shtyrë shqyrtimin për 9 mars 2017, me fillim në ora 09:30.
Me datën 12.09.2013, Prokuroria e Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsije Shehollit, të cilën e akuzon se në cilësinë e gjyqtares në ish Gjykatën Komunale në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën zyrtare të saj.
Sipas aktakuzës, Sheholli ka aprovuar kërkesën e paditësve Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën ka vërtetuar se ata janë pronar të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”, pa ftuar në shqyrtimin gjyqësor, palën paditëse.
Sipas aktakuzës, Sheholli i ka caktuar palës së paditur, përfaqësues të përkohshëm, pa u munduar që të sigurohet se i njëjti nuk jeton në Kosovë, por se është mjaftuar me deklaratën e paditësve se i padituri, Ustun Sylejman, është shpërngulur në Turqi.
Poashtu, Sheholli, akuzohet se nuk ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë në gazetën zyrtare, vendimin mbi caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm, me çka i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjor të të paditurit Ustun, mbesat dhe nipat e tij, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq dhe Emil Popoviq.
Me 27 maj 2016, e akuzuara Shemsije Sheholli, është shpallur fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohet dhe është dënuar me 3 muaj burgim efektiv.
Ndaj këtij aktgjykimi, palët e dëmtuara dhe prokurori i rastit, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë kërkuar që të rritet lartësia e dënimit.
Poashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, ka bërë ankesë ku ka kërkuar që të prishet aktgjykimi dhe rasti të kthehet në shkallën e parë për rivendosje.
Me 5 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në shkallën e parë, për rivendosje.
Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që të vërtetojë në tërësi gjendjen faktike, pasi që nuk ka administruar si provë, lëndën kontestuese për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë, ku do të vërtetoheshin nëse janë të sakta pretendimet e palës akuzuese apo asaj mbrojtëse.
Lënda penale në këtë rast, në korrik të këtij viti, arrin afatin e vjetërsimit./betimiperdrejtesi/