Policët rrugorë, Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti, të martën, e kanë pranuar fajësinë.
Ndërsa, kolegu i tyre, Binak Bytyqi, i cili po ashtu akuzohet për marrje të ryshfetit, pas konsultimit me avokatin e tij, nuk e ka pranuar fajësinë.
Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Bashkim Nevzati, Asman Hoxha dhe Esat Gutaj kanë kërkuar nga trupi gjykues që të pranojnë fajësinë e klientëve të tyre, pasi që një gjë të tillë ua lejon ligji ta bëjnë në çdo kohë deri në përfundim të procedurës.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Binak Bytyqi, avokati Rexhep Kabashi, ka deklaruar se klienti i tij nuk e pranon fajësinë.
Me një propozim të tillë të mbrojtjes nuk është pajtuar prokurori i rastit, Mehdi Sefa, i cili ka kërkuar që të refuzohet kërkesa me arsye se vepra penale është kryer në bashkëkryerje.
Ai tutje ka shtuar se një vullnet i tillë i tyre për të pranuar fajësinë të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit.
Mirëpo, trupi gjykues, ka vendosur që të pranojë fajësinë e tre të akuzuarve, për të cilët, rreth dënimit do të vendoset pasi që të përfundojë gjykimi në tërësi.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka shtyrë shqyrtimin gjyqësor për 25 shtator 2017, në ora 13:15, me arsye se lënda përmban prova për të gjithë të akuzuarit dhe se prokurori duhet të precizojë se cilat prova janë vetëm për të akuzuarin Binak Bytyqi.
Më 24 shkurt të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, të cilët i akuzon se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit, u kanë marrë para shkelësve të rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.
Prokuroria për këto akuza ka dorëzuar së bashku me aktakuzën edhe provat e nxjerra nga masat e fshehta, në mesin e tyre edhe disa DVD, të gjitha këto të mbledhura nga Inspektorati Policor i Kosovës./betimiperdrejtesi.com/