Radhitja e Prizrenit në listën e vendeve më të mrekullueshme të botës nga ana e MSN-i për vitin 2013, qe një lajm i mirë, ndërsa rangimi i këtij qytetit në vendin e 9-të, vlerësohet si domethënës nga përgjegjës të monumenteve të vjetra, historianë si dhe përgjegjës lokalë të turizmit.
“Lumi Lumbardhi rrjedh nën urën 500-vjeçare të gurit në qytetin e Prizrenit në Kosovë”, kështu e përshkruan MSN, Prizrenin, në vlerësimet e saj. Përgjegjësi i Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Parim Hoxha duke folur për ‘Zërin” e vlerësoi si mjaft domethënës jo vetëm për këtë qytet por për tërë kombin vlerësimin që i është bërë Prizrenit, këtij qyteti të bukur, që tashmë ka një epitet të pranuar edhe ndërkombëtar.
“Kjo është befasi pozitive jo vetëm për Prizrenin, por shumë më gjerë, pasi po i kthehet prestigji i dikurshëm i kryeqytetit shqiptar”, tha ai duke treguar se prej se qëndron në këtë pozitë në Lidhjen Shqiptare ka pritur rreth 1. 1 milion vizitorë, disa prej të cilëve autoritete të larta ndërkombëtare.
Kosova vlerëson se tashmë është momenti që institucionet e vendit të angazhohen dhe ta plotësojnë stafin me kuadro të reja, me qëllim të pritjes së valës së vizitorëve të rinj, të cilët deri tani nuk e kishin rastin ta vizitojnë këtë qytet, ndërsa në këtë kontekst shton se Kompleksit të LSHP-së i duhen së paku edhe dy ciceronë, që njohin edhe gjuhën angleze.
“Një vlerësim i tillë ndërkombëtar për Prizrenin besoj se do të stopojë edhe ndërtimet e egra brenda zonës historike”, tha Kosova, përderisa vlerësoi si të shumëfishtë rritjen e qarkullimit biznesor, sidomos për hotelierinë.
Për historianin prizrenas Enver Batiun, vlerësimi që i është bërë Prizrenit nga MSN, të bën të ndjehesh vërtetë krenarë si shqiptarë, pasi për këtë tashmë ekzistojnë arsye të mëdha. “Prizreni edhe më parë ka qenë i njohur në rrethanat historike dhe kulturore, por tashmë kjo si të thuash është konfirmuar nga organizma të njohura ndërkombëtare, andaj ky është një hap tjetër drejt fuqizimit të vlerave të shumta që ka ky qytet”, tha ai.
Batiu, që është një njohës i mirë i rrethanave historike të Prizrenit, vlerëson se jo vetëm Ura e Gurit, që është vlerësuar shumë nga MSN, por edhe monumente tjera të vjetra, si Xhamia e Sinan Pashës, Hamami, por edhe Kishat janë tepër interesante për vizitorët të cilët pritet të qëndrojnë në Prizren në të ardhmen.
Drejtori për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik në Prizren , Samir Hoxha, ndërkaq vlerësoi pozitivisht renditjen e qytetit të Prizrenit nga MSN-ja, në mesin e më të mirëve në botë, duke shtuar se ky epitet do të jetë edhe një sinjal i mirë për investitorët e huaj dhe shtimin e turizmit.
“Bukuria e Prizrenit është meritë e qytetarëve. Ky është një realitet pozitiv të cilën e kemi trashëguar shekuj më parë, e fatmirësisht, kjo pasuri e trashëgimisë kulturo – historike me fanatizëm të madh është ruajtur nga vetë prizrenasit”, tha ai.
Hoxha tha se Prizreni gjatë këtij viti me angazhimin e përbashkët e Drejtorisë së Turizmit të operatorëve turistik dhe atyre hotelier do të mund të pres edhe më shumë turist.“Projektet e filluara gjatë vitit që shkoi do të vazhdojnë, ndërsa pritet të realizohen edhe shumë projekte me qëllim të zhvillimit të turizmit.“Prizreni çdo ditë e më shumë vizitohet si një atraksion turistik në të cilin dominon trashëgimia kulturore”, përfundoi ai.
Radhitja e Prizrenit ndër vendet e mrekullueshme të botës nga MSN-i për vitin 2013, është mirëpritur edhe nga vetë zejtarët dhe qytetarët. Njëri nga zejtarët, Shadan Shilik, pronar i dyqanit të njohur të prodhimit të brisqeve “Ali Briskagjiu”, që ndodhet pak metra përballë Urës së Gurit, pret që tashmë të ketë vizitorë të huaj edhe më tepër. “Prizreni moti ka qenë i njohur edhe për zejet e vjetra, përfshirë kacapunuesit, pushkaxhinjtë dhe zejtarët tjerë”, tha ai.
Hajrullah Krasniqi, ish mësues në pension, tha se ky lajm e ka gëzuar jashtëzakonisht shumë dhe pothuajse ndër urimet që ai ua ka bërë miqve në kuadër të festës së ndërrimit të moteve, ka qenë pikërisht edhe epiteti ndërkombëtar, që tashmë ka Prizreni. “Prizrenin e duam shumë, andaj nga rrethina e Rahovecit prej 35 vitesh kam ardhur të jetoj këtu. Janë shumë gjëra të vlershme, jo vetëm monumentet, por edhe banorët dhe gastronomia, që është shumë e njohur dhe e bollshme e me çmime të lira, si askund tjetër”, tha ai.