22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Prokurori tërhiqet nga akuza kundër zyrtarëve komunalë të Suharekës

gjykim genc nexhaGjatë fjalës së tij përfundimtare prokurori Genc Nixha hoqi dorë nga aktakuza kundër katër zyrtarëve komunalë të Suharekës që ngarkoheshin se i dhanë një tender operatorit ekonomik të papërgjegjshëm.

Ai arsyetoi vendimin e tij për tërheqje duke u bazuar në ekspertizën që vërtetoi se ato që janë kërkuar me tender janë plotësuar dhe deklarimin e Avokatit të Komunës së Suharekës si palë e dëmtuar se kësaj komune nuk i është shkaktuar dëm në këtë rast.

Për tërheqje, prokurori mori për bazë edhe faktin se Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik nuk ka gjetur shkelje në këtë tender.

“Andaj nga të cekurat më lartë, konsideroj se te të akuzuarit nuk janë formuar elementet e veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, si dhe të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar andaj ndaj të akuzuarve Agim Bylylbashi, Ramadan Kuqi, Avni Tafolli dhe Bujar Kuqi, heq dorë nga ndjekja e mëtejme penale,” deklaroi prokurori.

Pastaj trupi gjykues mori aktgjykim refuzues ndaj aktakuzës.

“Refuzohet akuza… pasi që prokurori i shtetit është tërhequr nga akuza në përfundim të shqyrtimit gjyqësor,” tha kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi.

Tre të akuzuarit e parë Agim Bylykbashi, Ramadan Kuqi dhe Avni Tafolli, akuzoheshin se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, i kishin rekomanduar menaxherit të prokurimit dhënien e kontratës operatorit ekonomik të papërgjegjshëm.

Sipas akuzës së Prokurorisë së Shtetit, Agim Bylykbashi, Ramadan Kuqi dhe Avni Tafolli më 28 shtator 2012 në Suharekë, në dokumentin zyrtar shënojnë informacionin e rremë në cilësinë e anëtarëve të komisionit për vlerësimin e ofertave në lidhje me tenderin ”Hartimi i rregulloreve komunale dhe përshkrimi i vendeve të punës”.

Me këtë informacion të rremë ata pastaj e hartuan raportin e vlerësimit.

Raporti i rekomandoi menaxherit të prokurimit dhënien e kontratës organizatës ekonomike të papërgjegjshme Sh.P.K. ‘’New Design’’ nga Prishtina, edhe pse kjo organizatë nuk kishte staf profesional dhe nuk e cekte në veprimtarinë biznesore ofrimin e shërbimeve juridike për të cilat ishte kontraktuar.

Për këto veprime, tre të pandehurit akuzoheshin për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Ndërsa Bujar Kuqi, shef i Prokurimit Publik në Suharekë akuzohej për shkak të nënshkrimit të kontratës nga ana e tij.

“Duke dhënë nënshkrimin e tij më datë 04 tetor 2012, me të cilin ka dokumentuar që kontrata është dhënë në pajtueshmëri me ligjin, Kuqi, akuzohet se ka nënshkruar kontratë me organizatën ekonomike të përzgjedhur e cila nuk ka qenë e përgjegjshme”, thuhej në aktakuzë.

Kuqin aktakuza e ngarkonte se duke nënshkruar kontratën me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, ose për organizatën e biznesit, ka shpërdoruar detyrën e tij zyrtare.

Nga 9 janari, katër zyrtarët komunalë të Suharekës janë të suspenduar nga kryetari i komunës Sali Asllanaj, për shkak të kësaj lëndeje penale./kallxo.com

Më Shumë

Lajmet e Fundit