Prokuroria e EULEX-it ka kërkuar dënim më të lartë për ish-eprorin e UÇK-së Xhemshit Krasniqi të dënuarin nga themelorja për torturim të civilëve.
Prokurorja e EULEX-it Ewa Korpi ka kërkuar që Gjykata e Apelit ta rrisë dënimin ndaj Xhemshit Krasniqit, të akuzuarit për torturimin e civilëve në Kukës, Cahan e në Prizren gjatë vitit 1999.
Gjykata themelore e kishte liruar Xhemshit Krasniqin nga akuza për vrasjen e Anton Bisakut, por prokurorja Korpi kërkoi që pikërisht për këtë akuzë Krasniqit t’i shtohet dënimi.
“Gjykata e Apelit duhet të anulojë lirimin që është bërë nga Gjykata themelore në pikën 1 të aktakuzës siç ju kemi referuar në propozimin tonë dhe gjithashtu dëshirojmë që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe duke e gjetur fajtor edhe për këtë pikë, si dhe siç u tha edhe nga gjyqtari raportues që t’ i shqiptohet një dënim edhe më adekuat”, tha prokurorja Korpi.
Korpi kërkoi dënim më të lartë për Xhemshit Krasniqit gjatë shqyrtimit të ankesave të prokurorisë dhe mbrojtjes rreth këtij rasti në Gjykatën e Apelit.
Por Haxhi Millaku, avokati i Xhemshit Krasniqit tha se i mbrojturi i tij nuk është përfshirë në vrasjen e Bisakut.
“Gjykata e Apelit e ka pa se prova të tilla nuk ekzistojnë dhe këtë e konfirmon edhe Gjykata Supreme e Kosovës”, tha Millaku.
Ndërkaq, në fjalën e tij, i akuzuari Krasniqi tha se është hera e katërt që është ngarkuar me këso lloj konspiracionesh.
“Nuk ia kam borxh vendit tim që të bëhem komplot i kësaj loje kundër meje sepse as nuk i njoh ata njerëz. 90 për qind të dëshmitarëve as nuk i njoh për këtë më vjen keq që është hera e katërt që jam ngarkuar me këto konspiracione”, tha Krasniqi.
Haxhi Millaku avokati i Krasniqit kërkoi që të mbrojturit të tij nga Gjykata e Apelit masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.
Lidhur me këtë çështje, trupi gjykues në krye me gjyqtaren e EULEX-it Ana Adamska Galant, bëri të ditur se palët do të njoftohen për këtë vendim.
Xhemshit Krasniqi u shpall fajtor nga gjykata themelore për arrestimin, ndalimin e paligjshëm, cenimin e integritetit trupor, të shëndetit dhe torturimin disa civilëve të panjohur në kampet e UÇK-së në Kukës e Cahan (Shqipëri), si dhe në një garazh Prizren në vitit 1999.
Për këto vepra penale ai u dënua më 8 gusht 2016 me tetë vjet burg.
Gjykata e Apelit në Prishtinë pritet të vendosë për fatin e të akuzuarit Krasniqi, jashtë shqyrtimit gjyqësor.