17.2 C
Prizren
E diel, 26 Prill, 2026

Promovohet libri i autorit Paskal Milo

PaskalMiloAkademia Diplomatike e Republikës së Kosovës organizoi sot promovimin e librit “Politika e Jashtme e Shqipërisë” të autorit Paskal Milo, historian dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë.

Në këtë promovim, u tha se ky botim vjen në kohën e duhur, kur shteti shqiptar kaloi shekullin e parë të ekzistencës së tij dhe është koha për të vendosur një raport të drejtë me historinë tonë kombëtare.

Autori i librit, Paskal Milo, me këtë botim ka dhënë kontributin e tij, duke paraqitur për herë të parë një histori të plotë dhe gjithëpërfshirëse të politikës së jashtme shqiptare për periudhën historike 1912-1939. Kështu vlerësoi profesoresha Pranvera Dibra, e cila theksoi se ky libër sjell tek lexuesit shumë fakte të panjohura për zhvillimin e diplomacisë shqiptare dhe raportet e saj me faktorët e tjerë.

“Teksa ballafaqohet me morinë e fakteve që përcjell kjo pasuri e madhe dokumentare të përdorura në këtë libër, lexuesi kupton që shqiptarët nuk kanë vetëm histori luftërash, por kanë edhe histori të diplomacisë shqiptare, brenda mundësive që dispononin dhe në hapësira që u lejonin rrethanat historike, mbështetjet ndërkombëtare dhe gjeopolitika e kohës.”

Autori i librit, Paskal Milo, tha se për botimin e këtij vëllimi, i ka vënë vetës qëllim që të mbështetej mbi një bazë sa më të gjerë dokumentare, sepse siç tha, në mjediset shqiptare, ku politika gjen terren dhe manipulon shkencën, i është shmangur akuzave dhe keqinterpretimeve, duke përfaqësuar personalitetin e tij shkencor.

“Në libër jam përpjekur t’i shikoj ngjarjet historike të zhveshura nga një lloj patriotizmi dhe sentimentalizmi historik, sepse ne shqiptarët kemi nevojë nga largësia e viteve që na ndajnë nga shumë ngjarje të së kaluarës, që t’i shohim ato në një dritë sa më afër të vërtetës.”

Dokumentet e përdorura në këtë libër përcjellin mesazhin e një politike të jashtme paqësore në rajon dhe dëshirën për fqinjësi të mirë.

Më Shumë

Vajzat e Gjimnazit “Jeta e Re” të Suharekës shpallen kampione republikane

Ekipi i vajzave të Gjimnazit “Jeta e Re” të Suharekës është shpallur kampion republikan në volejboll, në kuadër të gjimnaziadës “Peja 2026”, duke arritur...

Vjedhje në një shkollë në Sallagrazhdë, dy të dyshuar lirohen në procedurë të rregullt

Policia e Kosovës ka raportuar për një rast të vjedhjes së rëndë në fshatin Sallagrazhdë të komunës së Suharekës. Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur...

Lajmet e Fundit