4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Propozim për plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për lirinë fetare

Faik MIFTARI

Në Republikën e Kosovës për momentin në fuqi është Ligji Nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovë i aprovuar qysh në vitin 2006 nga Kuvendi i Kosovës. Ligji për lirinë fetare në Kosovë është në formë të përgjithësuar, është jo i plotë, pasi që më tepër trajton lirinë e individit për të shprehur në mënyrë private dhe publike bindjet e t’ia fetare, por, në aspektin organizativ flet fare pak për bashkësitë fetare, të drejtat e tyre, pozitën juridike të tyre, raportin e tyre ndaj institucioneve shtetërore, etj.

Në këtë propozimin tim për plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për lirinë fetare, do të ndalem në 4 çështje thelbësore të Projektligjit, këto janë: bashkësitë fetare tradicionale shekullore në Kosovë, regjistrimi i bashkësive të reja fetare në Kosovë, zyra përkatëse dhe komisioni për regjistrim, si dhe çështja shëndetësore dhe pensionale e nëpunësve fetar.

E para, bashkësitë fetare tradicionale të Kosovës, neni 4A për Bashkësitë fetare në Kosovë, paragrafi 1 është i formuluar me sa vijon: “ Në Republikën e Kosovës ekzistojnë gjashtë (6) bashkësi fetare, të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrenj, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës”, propozoj që në vend të kësaj, neni 4A, paragrafi 1 të jetë i formuluar në këtë formë: “Në Republikën e Kosovës ekzistojnë tre(3) bashkësi fetare tradicionale shekullore, të cilët përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse Serbe”.

Këtë që e them e mbështes në faktin se në Kosovë me shekuj kanë vepruar këto tri bashkësi fetare tradicionale të cilët përfshijnë shumicën absolute të popullatës së Kosovës, ndërsa tani në demokraci janë paraqitur edhe bashkësi tjera fetare, që nuk çojnë peshë në strukturën e gjithëmbarshme fetare të Kosovës. Sa i përket Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, ato nuk duhen të jenë të ndara, pasi ata janë në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, sepse edhe ata janë mysliman, i përkasin fesë Islame, kanë të njëjtën Kur’an , falen në xhami, varrosen në varrezat myslimane, shkojnë në Qabe, agjërojnë, etj., ndërsa përveç kësaj i kryejnë edhe ritualet shtesë të ziqrit në teqetë e tyre që përbëjnë një kolorit shtesë në kuadër të fesë Islame. Bashkësia e Tarikateve të Kosovës nuk mund të qëndron si një bashkësi e vetme, pasi që automatikisht do të sjell 12 bashkësi të ndara, të reja fetare, sepse ekzistojnë 12 tarikate (drejtime): halveti, rufai, kaderi, melami, nakshibendi, bektashi, sinani, etj. Kështu që në këtë rast në praktikë nuk do të mund të zbatohet parimi i këtij Ligji për bashkësi fetare të veçantë si bartës i vetëm juridik të pasurisë poseduese të paluajtshme, për shkak se pronarët e teqeve dhe të mirave tjera materiale të tyre, janë pronarë faktik të çdo tarikati veç e veç.

Në nenin 4.5 qëndron ky formulim:” Lirinë për të manifestuar fenë ose besimin e kanë të gjithë individët, vetëm ose në komunitet me të tjerët, edhe në qoftë se ata nuk regjistrohen dhe nuk e marrin statusin e personit juridik”. Në vend të kësaj duhet të qëndrojë ky formulim i këtij neni:”Lirinë për të manifestuar fenë ose besimin e kanë të gjithë individët, vetëm ose në komunitete të reja që janë formuar apo do të formohen, që mund të regjistrohen në një formë tjetër dhe të marrin statusin e personit juridik”. Sipas këtij formulimi mund të regjistrohen edhe bashkësitë fetare sikurse që janë Kisha Protestante Ungjillore, Bashkësia e Besimit Hebrenj apo edhe ndonjë bashkësi e re eventuale fetare që do të mund të themelohet.

E dyta, regjistrimi i bashkësive të reja fetare, neni 7B. Paragrafi 2.2 i formuluar me sa vijon:” Me rastin e themelimit të kenë të paktën pesëdhjetë (50) anëtarë, shtetas të moshës madhore të Republikës së Kosovës”, duhet të jetë i ndryshuar dhe i formuluar në këtë mënyrë: “Me rastin e themelimit të bashkësive të reja fetare duhet të kenë të paktën dhjetëmijë (10.000) besimtar, shtetas të moshës madhore të Republikës së Kosovës”.

Formulimi i tillë i projektuar në Projektligj mundëson që në Kosovë të mund të themelohen me dhjetëra bashkësi të reja fetare, duke qenë kushti, vetëm 50 besimtar, e me këtë bashkësitë fetare barazohen gati në rangun e njëjtë me organizatat jo qeveritare, pasi për regjistrimin e OJQ-ve kushti për regjistrim është tre anëtar, që për momentin në Kosovë veprojnë gati afro dhjetëmijë organizata joqeveritare qoftë vendore apo ndërkombëtare, e sipas këtij formulimi do të kemi qindra bashkësi të reja fetare në Republikën e Kosovës.
Nenit 7B duhet të shtohet paragrafi 2.7 me këtë formulim: “Nuk do të lejohet regjistrimi i bashkësive të reja fetare, që në aspektin doktrinar fetar janë të njëjtë me Bashkësitë fetare tradicionale në Kosovë, dhe se eventualisht do mund të regjistrohen vetëm me pëlqimin paraprak të Bashkësisë Islame të Kosovës, të Kishës Katolike dhe të Kishës Ortodokse Serbe”.
Në rast se do të lejohet të regjistrohen bashkësitë fetare me vetëm 50 besimtar, dhe pa pëlqimin paraprak të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse Serbe,atëherë kjo do të sjell përçarje me pasoja të papara dhe shumë të dëmshme pikësëpari për Bashkësinë Islame të Kosovës si bashkësi fetare shumicë në Kosovë, e në një masë më të vogël, edhe për Kishën Katolike apo Kishën Ortodokse Serbe. Kjo do të sjell pa dyshim fragmentarizmin apo përçarjen e Bashkësisë Islame të Kosovës si një Bashkësi e vetme fetare unike nën ombrellën e së cilës kanë qenë shekuj me radhë të përfshirë të gjithë besimtarët mysliman të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare , si edhe tarikatet ekzistuese, ndërsa tani me këtë Projektligj të propozuar do të kemi me dhjetëra bashkësi fetare të reja islame, si p.sh. sunite, hanefite, shafite, malikite, hanbelite, vehabite, selefite, shiite, xhaferite, ismailite, zejdite, nakshibendite, bektashite, rufaite, kaderite, melamite, halvetite, sinanite e tjera e tjera.

Duke marrë parasysh trendet aktuale ndërkombëtare në rrafshin e aspektit fetar, nuk e kam të qartë se si Qeveria e Kosovës ka mundur të projektojë një Ligj të tillë për lirinë fetare dhe ta procedojë atë për miratim Kuvendit të Kosovës. Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës do të duhej paraprakisht që të konsultohen mirë e mirë me të gjithë faktorët relevant vendor, duke organizuar debate, tribuna publike, seminare, prezantime në media publike, të shqyrtojnë me kujdes dhe me vëmendje të duhur të gjitha këshillat, sugjerimet, propozimet, rekomandimet, pikësëpari nga bashkësisë fetare në Kosovë, të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse Serbe, pasi ne qytetarët që jetojmë këtu në Kosovë më së miri e njohim aktualitetin fetar, kulturor, historik, shoqëror, tradicional shumë shekullor në Kosovë. E në rast se neve si të tillë e neglizhojmë dhe i anashkalojmë harmoninë dhe tolerancën fetare që i kemi ndërtuar dhe mirëmbajtur me shekuj, pikësëpari do të jeni ju, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës që do të mbani një përgjegjësi të madhe, politike, njerëzore, shoqërore dhe historike në rast se Projektligji i tillë i projektuar miratohet në Kuvend, pasi që me këtë vetëm do të legjitimoni përçarjet fetare pikësëpari brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, si bashkësi fetare më të madhe, e në një masë më të vogël edhe për Kishën Katolike dhe Kishën Ortodokse Serbe, që do të mund të prodhojnë pasoja të papara për të ardhmen e Kosovës. Duke pas parasysh të gjitha problemet me të cilët përballemi në aktualitetin e tanishëm në Kosovë, kjo do të sjell një problem shtesë, i panevojshëm dhe i dëmshëm për aktualitetin kosovar, që pikësëpari nuk më merr mendja që do të dëshirojë cili do qytetar i Kosovës pa marr parasysh përkatësin e tij fetare e kombëtare, e lere më cilido ministër i Qeverisë së Kosovës apo deputet i Kuvendit të Kosovës.
Neni 8A paragrafi 2, i cili ka të bëjë me varrezat dhe ritet e varrimit, është i formuluar me sa vijon:” Varrimet dhe ritet e varrimeve në varreza publike organizohen në mënyrë neutrale dhe personat që i përkasin një pakice fetare apo filozofike nuk duhet të varen nga personat që i përkasin një shumice fetare lidhur me aspektet e varrimit të tyre”. Paragrafi 2 i nenit 8A do të duhej të jetë i formuluar kësisoj:” Varrimet dhe ritet e varrimeve në varreza publike organizohen nga Bashkësia Fetare Islame, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse Serbe për besimtarët që i përkasin bashkësive fetare të cekura në varrezat myslimane, katolike apo ortodokse. Besimtarët që i përkasin një pakice fetare jo islame, jokatolike dhe joortodokse, si dhe personat që nuk duan të identifikohen me besimin fetar, me dëshirën e tyre mund të varrosen në lokacione tjera në rast se ekzistojnë, krahas varrezave myslimane, katolike dhe ortodokse tradicionale”.

Këtë kur e them bazohem në atë se gjer tani të gjithë besimtarët sipas përkatësive të tyre tradicionale janë varrosur në varrezat myslimane, katolike apo ortodokse, pa marrë parasysh ndarjet apo botëkuptimet e ndryshme eventuale në mes tyre, bile me rastin e varrimit të tyre të gjithë kanë qenë të përbashkuar, të gjithë besimtarët myslimanët janë varrosur në varreza myslimane, besimtarët katolik në varrezat katolike dhe besimtarët ortodoks në varrezat ortodokse. Gjatë kohës së monizmit përjashtim kanë qenë komunistët të cilët me dëshirën e tyre janë varrosur ndaras në parcelë të posaçme, por në shumicën e rasteve numri i tyre ishte irelevant.
E treta, Komisioni për regjistrimin e bashkësive të reja fetare si dhe zyra përkatëse për bashkësitë fetare, neni 11A i cili ka të bëjë me Komisionin për regjistrimin e bashkësive të reja fetare, duhet të fshihet në tërësi, ndërsa për bashkësitë e reja eventuale fetare që do të mund të paraqiten eventualisht në të ardhmen mund të regjistrohen si shoqata në bazë të Ligjit mbi regjistrimin e OJQ-ve, për të kryer aktivitetet e tyre, apo si të tilla mund të mbesin të paregjistruara dhe të veprojnë konform nenit 4.5:” Lirinë për të manifestuar fenë ose besimin e kanë të gjithë individët, vetëm ose në komunitet me të tjerët, edhe në qoftë se ata nuk regjistrohen dhe nuk e marrin statusin e personit juridik”. Ndërsa neni 11B që ka të bëjë me Zyrën përkatëse për bashkësitë fetare të riformulohet në “Zyra për bashkësitë fetare” e cila do të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë lidhur me punën, veprimtarinë, koordinimin e bashkësive fetare tradicionale dhe te tjera, si dhe zbatimin e këtij Ligji nr. 05/L-121 për lirinë fetare.
E katërta, çështja shëndetësore dhe pensionale, do të ishte e duhur që neni 13 paragrafi 1 i Ligjit aktual në fuqi për lirinë fetare të plotësohet dhe riformulohet si vijon në Projektligjin për liritë fetare:” Nëpunësit fetarë të bashkësive fetare i realizojnë të drejtat e tyre nga sigurimi pensional dhe sigurimi shëndetësor, sikurse të gjithë të punësuari tjerë në Kosovë konform Ligjeve në fuqi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë për punë dhe mirëqenie sociale, dhe të drejtat e tjera në bazë të Ligjeve në fuqi të Kosovës”.
Unë habitem, edhe me atë, se me çfarë hovi dhe vrulli po duhet që ky Projektligj të procedohet dhe miratohet nga Kuvendi i Kosovës, duke marr parasysh se nuk kemi pas ndonjë presion prej bashkësive fetare eventuale të reja në Kosovë për regjistrim, por nuk besoj që ka pas rekomandim edhe nga faktori ndërkombëtar , pasi që ky Projektligj i tillë i formuluar gjatë krahasimit të Deklaratës së përputhshmërisë së legjislacionit të Kosovë me Acques Comunitare të Bashkimit Evropian, doli se përputhshmëria e aktit normativ me dispozitat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në asnjërin prej 6 pikave nuk aplikohet tek ata, ndërsa në përputhshmërinë e legjislacionit me Acques të Bashkimit Evropian në 6 pika nuk ka fare përputhshmëri. Poashtu lista e legjislacionit përkatës të Bashkimit Evropian (titulli i plotë i aktit,dhe numri me të cilin është përafruar akti normativ i Republikës së Kosovës nuk ka) dhe shkalla e përafrimit të këtij Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare me legjislacionin e Bashkimit Evropian nuk ekziston për momentin.

Në përfundim të këtij propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për lirinë fetare për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 iu bëjë ftesë publike Qeverisë së Kosovës si sponsore e këtij Ligji e sidomos deputetëve të Kosovës si përfaqësues të popullit, të mendojnë në mënyrë shumë racionale dhe kujdesshme para se të votojnë, që të plotësojnë dhe të ndryshojnë këtë Projektligj me rekomandime dhe propozime, të të gjithë atyre që kanë kontribuar për plotësim dhe ndryshimin e këtij Projektligji për lirinë fetare në Kosovë, si dhe me amandamentimet e vet deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvend, që të sajohet një Projektligj i tillë i cili do të duhej të jetë në funksion të vazhdimit të kultivimit të harmonisë dhe tolerancës fetare shekullore në Kosovës, e jo të merren vendime ad hock- aty për aty, dhe të miratojnë këtë Projektligj për lirinë fetare ashtu si është përpiluar, i cili do të sjell përçarje fetare, me formimin e shumë bashkësive të reja fetare të panevojshme, pasi që ato në shumicën e rasteve do të jenë të ngjashme me ato që janë tradicionale shekullore në Kosovë, me të vetmin qëllim të përçarjes, ndarjes, acarimit, armiqësimit në mes veti të korpusit të tanishëm fetar të Kosovës, e që tani ky Projektligj i legjitimon dhe e bën të mundshëm veprimtaritë e tyre, dhe si i tillë vetëm do të shkakton probleme shtesë të panevojshme dhe shumë të dëmshme për aktualitetin e tanishëm dhe të ardhshëm të Republikën e Kosovës.

 

Më Shumë

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

Totaj takohet me Presidentin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Timothy Chorba

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka takuar Presidentin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Timothy Chorba, në një drekë solemne në Army & Navy Club...

Lajmet e Fundit