Adrian Çollaku
Deklarata e sotme e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa se nëse ai nuk do të bëhet kryeministër do ta prish koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës duket paksa e çuditshme. Nëse është ashtu siç po thonë në LDK tash e sa ditë se tashmë puna e kryeministrit është e kryer, përse Isa Mustafës i nevojitet që përmes presionit publik ta kërcënoj liderin e PDK-së, Hashim Thaçi.
Kjo deklaratë e tij në fakt e bartë në vete këtë mesazh:Së pari, marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit nuk po ia garantojka Isa Mustafës 100% postin e kryeministrit. Pra, të gjitha deklarimet e deritashme të njerëzve të LDK-së dhe të vetë Mustafës janë bërë me njëfarë forme “paushall”.
Së dyti, Isa Mustafa dhe njerëzit e tij, kur po deklarojnë se do ta prishin koalicionin me PDK-në, aq shumë e “frikësojnë” Hashim Thaçin e PDK-në, saqë tash e dy javë prej kur u arrit marrëveshja PDK- LDK për bashkëqeverisje, askush nga partia më e madhe në vend nuk e tha se shefi i ezekutivit kosovar i takon liderit të LDK-së. Bile, bile në PDK thonë edhe publikisht se ende nuk është ndarë asnjë post.
Së treti, nëse e lexojmë mes rreshtave këtë deklaratë, Isa Mustafa është ai i pari, i cili po fillon ta përgatis elektoratin e LDK-së, (i cili më nuk po i beson asnjë lideri, që nga vdekja e Ibrahim Rugovës) se edhe kësaj radhe mund t’iu rrëshqas nga duart posti i kryeministrit.
Së katërti, pavarësisht se sa të “fuqishme” Isa Mustafa i jep deklaratat, pak kush do t’u besoj atyre. Kjo u vërtetua me vendimin e tij dhe të partisë së tij për të hyrë me PDK-në, ku na patën lodhur i madh e i vogël nga LDK, për 5 muaj rresht duke e sharë Hashim Thaçin, PDK-në e SHIK-un. Dhe çka ndodhi në fund. Doli që as nuk kishte kauzë, e as nuk kishte ideal, por kishte luftë vetëm për pushtet.
Andaj, lideri i LDK-së, Isa Mustafa nuk ka nevojë të na lodh me ato deklarata se nëse nuk do të jetë kryeministër do ta prish kaolicionin me PDK-në. Për qytetarët e këtij vendi sot për sot është shumë pak me rëndësi se kush do të jetë kryeministër, a Hashim Thaçi apo Isa Mustafa, sepse si njëri si tjetri kanë dëshmuar se e duan vetëm karrigen e butë të pushtetit e asgjë më shumë. Qytetarëve të këtij vendi u intereson një jetë më e mirë, një zhvillim ekonomik, ju intereson thjeshtë mbijetesa.
Është mirë që edhe Isa Mustafa edhe Hashim Thaçi si dhe njerëzit e tyre që i kanë për rreth, e aq shumë janë vërbuar për të marrë pushtet, që të brengosen për hallet e atyre qytetarëve që s’ju ka mbetur rrugë tjetër, vetëm ikja nga vendlindja.
Askush nuk ik për qejf, duke lënë gjithçka prapa, por po ikin, ngase ju, të gjithë që ishit deri më sot në pushtet, ia bëtë të pamundur që të jetojnë këtu. Në Kosovë.