Naim Qelaj, avokati mbrojtës i Shyhrete Berishës në emisionin Interaktiv të KTV-së, ka thënë se suksesi i rastit të klientes së tij do të ndikojë te organet e drejtësisë që të jenë më të kujdesshme në respektimin e të drejtave të grave, derisa ka shtuar se rasti i Berishës do të jetë model për gratë tjera.
Shyhrete Berishës i takon gjysma e shtëpisë. Kështu ka vendosur të enjten Gjykata Themelore e Prizrenit – Dega në Suharekë, në aktgjykimin e saj për këtë çështje.
Dy të paditurve, Arben e Xhelal Berishës, u është lënë mundësia alternative që Shyhrete Berishës, t’ia paguajnë shumën prej 130 mijë eurosh, aq sa është vlerësuar pjesa e shtëpisë.
Gjykata ka konkluduar se Shyhrete Berisha ishte diskriminuar në dy raste kur ishte vendosur për këtë pronë, njëherë me aktvendimin në procedurë jokontestuese të Gjykatës komunale në Suharekë, të nëntorit të vitit 2001, e më pas edhe me aktgjykimin e atëherë Gjykatës së Qarkut të Prizrenit.
“Ky rast do të ndikojë te organet gjyqësore që të jenë më të kujdesshme në respektimin e të drejtave të grave dhe duke marrë parasysh me sfidat që është ballafaquar ajo, besoj se do të jetë model për gratë tjera”, ka thënë Qela në emisionin Interaktiv të KTV-së, derisa ka shtuar se rol të madh në rastin e Shyhrete Berishës kishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Gjithë rrjedha e procedurës gjyqësore është probleme, me shtyrje seancash, me kundërshtime të shumta. Ky rast është zvarritur disa vite. Në seancën e fundit ka munguar pala e paditur. Kam dashur t’i fus të gjitha provat dhe rrethanat që janë vërtetuar në një procedurë shumë të gjatë. Gjykata duke vlerësuar këto prova ka ardhur në përfundim për Shyhrete Berishën”, ka thënë Qelaj.
“Shyhrete ka pas të drejtë ta gëzojë pronën që e ka pas bashkëshorti dhe fëmijët e saj. Ky ka qenë elementi kryesor, sepse është përfolur shumë se Berisha po kërkon trashëgimtare e vjehrrit të saj”, ka thënë veç të tjerash avokati mbrojtës.