18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Me qëndrime jam më afër Vetëvendosje!-s

MazllumBaraliuIsh-rektori i Universitetit të Prizrenit, njohës i proceseve politike, Mazllum Baraliu, e ka ndarë mendjen të inkuadrohet në politikë. Ai është shprehur i gatshëm ta japë kontributin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje! të Albin Kurtit.
“Jam i interesuar që kontributin tim ta jap në jetën parlamentare, gjegjësisht të ndihmoj aty ku eventualisht mendoj se është më se e domosdoshme ose e nevojshme. Mendoj se më afër me qëndrimet, përpjekjet dhe orientimet e mia është Lëvizja Vetëvendosje!”, ka thënë Baraliu në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Baraliu ka bërë me dije se është koha që legjislatura e ardhshme të jetë më kompetente, më e përgatitur si dhe më rezultatdhënëse. Në këtë kontekst, ai ka thënë se të gjitha partitë politike duhet të kandidojnë për deputetë të Kuvendit të Kosovës njerëz të ditur dhe të ndershëm. “Është koha të kemi një legjislaturë edhe më kompetente, më të përgatitur, si dhe më rezultatdhënëse. Mendoj se të gjitha subjektet politike do të duhej ta marrin seriozisht këtë moment politik dhe shoqëror, pra mundësinë t’i përpilojnë listat me njerëzit më të mirë që kanë, më të përkushtuar, më të ditur dhe më të ndershëm”, ka deklaruar Baraliu.
Ai ka thënë se pas 8 qershorit skena politike do të jetë më e kompletuar në aspektin e përkushtimit shtetëror për kryerjen e detyrave. “E shoh shumë më të kompletuar në kuptimin e përkushtimit shtetëror dhe institucional, me vlera demokratike e profesionale në kryerjen e detyrave, në mënyrë që pastaj të kemi një gjendje më të avancuar, e cila do t’i ndihmonte proceset që të shkojnë më mirë, më shpejt dhe në interes të qytetarëve”, është shprehur Baraliu, duke shtuar se qeverisja e ardhshme duhet të interesohet dhe të angazhohet që të jetë në shërbim të qytetarëve për t’i zgjidhur problemet e tyre.

“Epoka e re”: Z. Baraliu, kemi dëgjuar se e keni ndërmend të inkuadroheni në politikë. Ka diçka të vërtetë?
Baraliu: Po, jam i interesuar që kontributin tim ta jap në jetën parlamentare, gjegjësisht të ndihmoj aty ku eventualisht mendoj se është e domosdoshme ose e nevojshme. Kjo është ajo që mund të them tash për tash.

“Epoka e re”: Jeni përcaktuar se në cilin subjekt politik do ta jepni kontributin?
Baraliu: Mendoj se më afër me qëndrimet, përpjekjet dhe orientimet e mia është Lëvizja Vetëvendosje! Natyrisht, nëse ajo ka mirëkuptim, interesim dhe orientim.

“Epoka e re”: Pse pikërisht në Vetëvendosje!?
Baraliu: Sepse orientimet e mia politike janë më afër me këtë lëvizje.

“Epoka e re”: Keni pasur takim me përfaqësuesit e kësaj lëvizje lidhur me këtë çështje?
Baraliu: Nuk mund të flas më tepër se kaq. Nuk është as e nevojshme e as korrekte, sepse unë po flas vetëm për orientimet dhe dëshirën time, asgjë më tepër.

“Epoka e re”: Keni pasur oferta nga partitë e tjera politike?
Baraliu: Po, kam pasur oferta nga shumë parti, por tash nuk ka shumë rëndësi kjo, sepse nuk ka kuptim ta faktorizoj veten dhe nuk është as në natyrën time dhe as në dinjitetin tim të flas për veten. Jam një qytetar i zakonshëm, një individ i rëndomtë, i cili përpiqet të bëjë diçka më tepër, në çfarëdo forme të mundshme, të ligjshme dhe të lejuar.

“Epoka e re”: Pretendoni të bëheni deputet i Kuvendit të Kosovës?
Baraliu: Pretendoj ta jap ndihmën time aty ku mundem dhe për aq sa mundem në mënyrë modeste. Për aq sa unë kam kapacitet, mundësi e vullnet do të kontribuoj. Mendoj se me të vërtetë është koha që më shumë të ketë përfshirje në jetën shoqërore, ekonomike, sociale, natyrisht nëpërmjet mekanizmave për secilin qytetar dhe nga secili qytetar sepse jemi në udhëkryq dhe në një rrugë stagnante, e kjo nuk u bënë mirë avancimit, zhvillimit ekonomik, social si dhe proceseve politike e integruese. Prandaj mendoj se është koha që të gjithë të mobilizohemi dhe të mos rezervohemi e të mos tregohemi indiferentë që t’i ndihmojmë edhe proceset, subjektet politike, institucionet dhe qytetarët tanë në mënyrë që të ketë më shumë rezultate pozitive dhe më avancuese së deri më tash. Duhet një mobilizim i të gjithëve në shoqërinë kosovare për ta avancuar gjendjen çfarë e kemi sepse është një amulli shoqërore, e cila nuk ndihmon në kapërcimin e problemeve, zgjidhjen e tyre dhe në përparimin e vendit.

“Epoka e re”: Do të jeni apo jo kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje!?
Baraliu: Nuk e di sepse nuk do të varet nga unë. Nuk mund të them asgjë më shumë dhe besoj se ju mjaftojnë ato që ju thashë deri më tani. Nuk është kurrfarë gabimi nëse dikush përpiqet të angazhohet kudo që e sheh të arsyeshme dhe të nevojshme në shoqërinë kosovare për të dhënë kontribut dhe për t’u angazhuar për një aktivizim qytetar, për një përkushtim më të madh për ta ndërtuar shtetin dhe për t’i zgjidhur problemet që janë të shumta. Këto janë probleme serioze, të cilat e rëndojnë jetën e qytetarëve dhe krijojnë probleme edhe më të thella siç janë varfëria, papunësia, edukimi, arsimimi, shëndetësia dhe fushat e tjera.

“Epoka e re”: Mendoni se Lëvizja Vetëvendosje! do të mund t’i zgjidhë këto probleme dhe ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje?
Baraliu: Mendoj se të gjitha subjektet politike do të duhej ta marrin seriozisht këtë moment politik dhe shoqëror, pra mundësinë që t’i përpilojnë listat e tyre me njerëzit më të mirë që kanë, më të përkushtuar, më të ditur dhe më të ndershëm, në mënyrë që pastaj të kemi edhe një dalje më masive të qytetarëve. Sepse kur ka ofertë të mirë nga subjektet politike, qytetarët tanë nuk janë as naivë e as të padijshëm, por do të gjejnë vullnet dhe energji të dalin e t’i votojnë ata që u besojnë, se me ta pastaj bëhet një qeverisje më demokratike, më e avancuar, mbi të gjitha një qeverisje e cila përkushtohet dhe interesohet të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Epoka e re”: Si e shihni skenën politike pas 8 qershorit?
Baraliu: E shoh shumë më të kompletuar në kuptimin e përkushtimit shtetëror dhe institucional, me vlera demokratike e profesionale në kryerjen e detyrave.

Më Shumë

Rahovec, mbahet punëtoria për mbrojtje nga dhuna në familje

I kryesuar nga zyrtari për barazi gjinore, Alban Gashi, njëherësh kryesues i grupit punues dhe i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl...

Hoxha Ahmed Kalaja: Përgëzime për gjykatën e Prizrenit për drejtësi në rastin e mësueses së diskriminuar në Suharekë

Hoxha nga Shqipëria, Ahmed Kalaja ka përgëzuar Gjykatën e Themelore të Prizrenit, për dënimin e ish- drejtori i shkollës “Flamuri i Arbërit” në Suharekë,...

Lajmet e Fundit