Lëvizja Vetëvendosje, e cila tash e disa muaj bashkë më AAK-në dhe Nismën për Kosovën po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Kosovës, ka përsëritur se kjo qeveri ndonëse e ka shkel Kushtetutën e Kosovës, po vazhdon të flas me gjuhën e dhunës.
Pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka thënë ditë më parë se opozita nuk i ka kërkesat e arsyeshme për zgjedhje sepse krijon precedent dhe se një pakicë nuk mund ta dërgoj Kosovën drejt zgjedhjeve, zyrtarë të VV-së thonë se e vërteta e vetme, është e kundërta e asaj që thotë Delawie.
Zgjim Hyseni, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Indeksonline se vendi prej nga vjen ambasadori Delawie tashmë ka dhënë precendente kur shqetësimet e ngritura në opinionin publik marrin adresimin e duhur.
Sipas tij, afera Watergate në Amerikë, krahasuar me seriozitetin e çështjeve për çfarë lufton opozita e bashkuar në Kosovë, ishte e një përmase shumë më minore, megjithëse rezultoi me dorëheqjen e presidentit Nikson, raporton Indeksonline.
“Sa i përket aludimit që bën Delawie për pakicën që dëmton demokracinë dhe precedentin e rrezikshëm që mund të krijohet në të ardhmen, ne mendojmë se e kundërta është e vërtetë. Është jashtëzakonisht precedent pozitiv reagimi dhe vendosmëria qytetare kur kemi të bëjmë me qeveri që ka shkelur Kushtetutën, ka dëmtuar rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial, dhe nuk do të dijë për përgjegjësi”, ka thënë Hyseni.
Ai ka theksuar se mund të flasin për shumicë dhe pakicë numrash për çështje që janë brenda kornizës politike dhe kushtetuese.
Hyseni po ashtu ka komentuar edhe deklaratën e ambasadorit lidhur me Demarkacionin kufitar me Malin e Zi, i cili ka thënë se të njëjtit njerëz që po ankohen për këtë marrëveshje, janë po ata që po përpiqen ta bllokojnë punën e Kuvendit, duke iu referuar opozitës.
“Qeveria aktuale nuk flet me gjuhën e argumentit, por me gjuhën arrogante e brutale të dhunës. Kemi të bëjmë me një koalicion që janë bashkë për interesa personale e klanore, ku nuk vjen fare në shprehje racionaliteti dhe vërtetësia e argumentimit. A nuk është dëshmi për këtë votimi i njëpasnjëshëm i Gjykatës Speciale deri sa u miratua” ka thënë Hyseni. /Indeksonline