Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja nuk e ka marrë parasysh sugjerimin e ministrit të MASHT-it, Arsim Bajram, për anulimin e konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave.
Zyra e Personelit, për “inat” të Bajramit, sot ka rishpallë sërish konkurs për postet e lartëpërmendur. Në konkurs nuk jepen arsyet e rishpallje.
Zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha thotë se nuk është i informuar për rishpalljen e konkursit, për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave.
“Kontakto me Zyrën e Personelit”, sugjeron Berisha.
“PrizrenPress” gjatë ditës ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Komunës, Ramadan Mujën,por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë(MASHT) Arsim Bajram, ndërkaq,dje e ka vlerësuar të jashtëligjshëm konkursin për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave, që është hapur nga Zyra e Personelit në Prizren. Sipas tij, forma si është hapur konkursi dëmton rëndë sistemin e arsimit në këtë qytet.
“Shpallja e konkursit në fjalë, në formën dhe përmbajtjen si është bërë është e kundërligjshme dhe dëmton rëndë cilësinë e arsimit në Prizren”, tha Bajrami për “PrizrenPress” .
“Për MAShT-in janë të papranueshme këto shkelje dhe ne do të marrim masa në përputhje me autorizimet ligjore”./PrizrenPress.com/