Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj, të hënën ka pritur në një takim rektorin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Vjenës, Arthur Mettinger, njëri nga universitetet me prestigjioze evropiane, me të cilin është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy universiteteve. Ky Universitet është edhe grand mbajtës i projektimit “Ngritja e autonomisë dhe llogaridhënies financiare në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë”, i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit TEMPUS. Në takim ishte edhe drejtori i “Wus Kosova”, Bud Dedaj, një organizatë e cila ka dhënë kontribut të çmuar për zhvillimin e UPZ-në që nga themelimi.
“Rektori Vataj pasi shprehi kënaqësinë e tij që pret në një vizitë rektorin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Vjenës, një universitet prestigjioz dhe që është rektori i parë nga universitetet evropiane që takon në fillim të punës si rektor i UPZ-së, theksoi se kontributi i Austrisë në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosova ka qenë i madh, për të cilën gjë shprehi falënderime ndaj shtetit austriak”.
“Vataj potencoi se është në interes të Universitetit të Prizrenit që të bashkëpunojë me një universitet të tillë, si në projekte të përbashkëta, kurikula, shkëmbim të mësimdhënësve dhe studentëve etj., duke shtuar se UPZ mund të mësoj shumë nga përvoja shumëvjeçare e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Vjenës”.
“Rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Vjenës, Arthur Mettinger e falënderoi rektorin Vataj për mikpritjen dhe gatishmërinë e shprehur për të bashkëpunuar. Ai theksoi se Universiteti të cilin e drejton është i gatshëm për të dhënë kontributin e vetë për zhvillimin e Universitetit të Prizrenit dhe për bashkëpunim në fushat e cekura. Ai shtoi se në të ardhmen do të takohen prapë dhe do të bisedojnë për konkretizimin e bashkëpunimit në fushat përkatëse”.
“Në fund të vizitës rektori Mettinger me bashkëpunëtor vizitoi sektorin e financave në Administratën e UPZ-së ku takoi personelin përkatës dhe u njoftua me ambientet e punës në këtë sektor”, thuhet në kumtesën e UPZ-së./PrizrenPress.com/