16.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Rexhepi: Qeverinë e Bllokut e rrëzojmë për dy javë

BajramRexhepi-ministerPDK është për një koalicion me LDK’në dhe partitë minoritare për një Qeveri stabile. Nëse ndërtohet Qeveria nga Blloku pa Vetëvendosjen do të rrëzohet brenda dy javësh. Kjo pasi Lista “Srpska” do të ketë kërkesa të papërballueshme për Ekzekutivin e ri. PDK nuk i ka numrat për të formuar Qeverinë, por s’bën as kompromise me pozitën e Kryeministrit. Sa i përket arrestimeve të fundit, Policia dhe Prokuroria kanë fakte për përfshirjen e të dyshuarve në organizata dhe aktivitete terroriste. Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, flet për Express.
Express: Po ia nisim prej seancës që pritet të mbahet të enjten në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën e PDK’së. Cilat janë pritjet e juaja nga kjo seancë?

B. Rexhepi: Realisht, unë nuk kam ndonjë paragjykim dhe duhet të presim. Gjatë kësaj faze jemi në një heshtje. Kemi vepruar në mënyrë institucionale dhe s’kemi dashur të paragjykojmë dhe të dalim me deklarata dhe opinione të ndryshme. Ne besojmë në paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese. Ata janë kompetentë për të interpretuar. Është e vërtetë se ka disa paqartësi në Gjykatën Kushtetuese – edhe pse unë s’jam njeri kompetent se jam kirurg me profesion – por në bazë të përvojës po flas se çka është grup parlamentar dhe kur formohen grupet parlamentare nuk është shumë mirë e precizuar. Dhe, do të shohim se si ka shkuar procedura bazuar në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Paraprakisht, unë nuk kisha dashur të bëj analogji. Por, një analogji që po bëhet mes Qeverisë në detyrë dhe Kryesisë së Kuvendit nuk mund të bëhet. Për arsye se Qeveria në çfarëdo konstelacioni, edhe në dorëheqje vazhdon punën deri në momentin e pranim dorëzimit. Për arsye se s’mund të krijojë vakuum për qytetarët. Kryesia e Kuvendit nuk e ka atë përgjegjësi të madhe. Me shpërbërjen e Kuvendit pushon edhe puna e Kryesisë dhe s’kanë ndonjë kompetencë. Megjithatë, ne duhet ta presim verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.

Express: Pse krejt partitë u bënë bashkë kundër PDK’së? Është faji i partive tjera apo i PDK’së?
B. Rexhepi: Faji mund të jetë edhe i përbashkët. Në këtë moment, PDK ka qenë gjithmonë e hapur dhe nuk ia ka mbyllur dyert asnjë partie. Bile as Vetëvendosjes në mënyrë eksplicite nuk kemi thënë se s’hyjmë në koalicion. Mirëpo, qëndrimi i VV’së është i njohur me vite të tëra. Partitë tjera, konkretisht LDK dhe AAK, sipas mendimit tim, të dyja kanë dalë humbëse disa herë, konkretisht LDK ka humbur Prishtinën dhe ka humbur zgjedhjet që ka pasur pretendime se do t’i fitojë. Aleanca dihet qe sa vite është në atë numër dhe po shkon duke u zvogëluar. Dështimin e tyre në zgjedhje, ndoshta, kanë dashur ta materializojnë me një veprim politik të tillë.

Express: Mirëpo, duket se PDK ka dështuar t’i ofrojë afër vetës ndonjë parti për të ndërtuar Qeverinë?
B. Rexhepi: Edhe këtë dua të them, mirëpo, arsyeja kryesore e këtij grupimi është se e kanë parë se PDK’në në asnjë palë zgjedhje s’po mund ta mundin. Ndoshta, edhe në zgjedhjet e ardhshme, apo edhe dy palë zgjedhje nëse mbahen, prapë, PDK do të dalë fituese. Tash, e kanë parë shansin e vetëm dhe kanë gjetur një gjuhë të përbashkët dhe janë bërë bashkë në mënyrë ligjore ose jashtëligjore, këtë e tregon Gjykata Kushtetuese. Pra, këto janë arsyet kryesore. Sa i përket PDK’së, pse s’ka qenë me e afërt, ndoshta, nuk ka qenë vigjilente që menjëherë të fillojë bisedimet me ndonjë parti politike, por është krijuar opinioni se cilado parti që kishte hyrë me PDK’në mund të digjet në një mënyrë.

Express: Që realisht ju ka ndodhur disa partive?
B. Rexhepi:Nëse është krijuar njëfarë frike që kushdo që shkon me PDK’në digjet edhe kjo mund të jetë. Ky është opinioni im personal dhe nuk është pjesë e analizës së partisë.

Express: Partitë e bllokut po deklarojnë se i kanë numrat në Kuvend. Ndërsa, po shihet se PDK nuk i ka votat as për të votuar Kryetarin e Kuvendit dhe as për të formuar Qeverinë?
B. Rexhepi: Ne nuk i kemi numrat. Kjo është shumë e vërtetë. Mendoj për interes të qytetarëve dhe për interes të shtetit, se hyjmë në disa faza mjaft të ndjeshme, duhet të kemi institucione stabile.

Express: Por, partitë tjera po deklarohet se edhe ju keni qeverisur për një mandat duke mos pasur një shumicë solide?
B. Rexhepi: Tash, kaloj në atë pjesë. Mirëpo, sipas mendimit tim, më i miri koalicion do të ishte mes PDK’së dhe LDK’së dhe komuniteteve. Në këtë mënyrë do të kemi një pozitë të fortë por edhe një opozitë të fortë. Ky është mendimi im. Edhe në PDK ka zëra të tillë. Ne e kemi provuar çka do të thotë të kemi një Qeveri me numra të vogël, ku çdo moment e ke pickë dhe duhet të bësh kalkulime të ndryshme. Ju e dini, se edhe ky ka qenë një koalicion i gjerë, po jo me shumë numra. Asnjëherë s’kemi pasur një numër të madh në Parlament. Aq më parë, kur një numri të madh të deputetëve të ndërrojnë grupin parlamentar. Pra, ne e kemi vërejtur se funksionaliteti është shumë i vështirë, kur është çështja e buxhetit dhe shumë çështjeve tjera, të cilat duhet ta japin një komoditet, të kesh numrat në Kuvend dhe jo me u bazu gjithnjë në kërkesat e individëve. Ne e kemi parë, pa ashtu, se dikush me një deputet ka fituar dy tri pozicione të rëndësishme në Qeveri. Ose komunitetet me një apo dy vota që i kanë pasur, i kanë pasur ambiciet shumë të mëdha. Pra, nuk është bërë një ndarje e pushtetit sipas kutisë së votave. Janë bërë kompromise të dhimbshme. E njëjta do t’i ndodh edhe Bllokut, nëse, po them kushtimisht, nëse në çfarëdo mënyre e formojnë Qeverinë.

Express: E përmendet koalicionin me LDK’në, mirëpo, a është e gatshme PDK të lëshojë pozitën e Kryeministrit për një koalicion të tillë?
B. Rexhepi: Për aty nuk di. Nuk mund të them. Personalisht, jam për atë se jo askujt nuk duhet t’i jepet pozita e Kryeministrit. Për arsye se në këto zgjedhje kemi shkuar me opsionin që sërish ta bëjmë Kryeministër Hashim Thaçin. Kam thënë publikisht, dhe po përsëris para jush, se fitorja e PDK’së është fitore e Kryeministrit Thaçi, me këshilltarët e tij, me grupin e tij. Natyrisht, edhe me përkrahjen e PDK’së, por kryesisht është fitore e Kryeministrit. Ai ka fituar si Kryeministër qëka pasur vizion, ka pasur fushatën më të mirë, ka marrë proteza që prekin xhepin e qytetarit dhe e ka arritur një fitore bindëse. Edhe pse sondazhet në fillim të vitit nuk kanë qenë ku me ditë sa të mira. Tash, është jo e ndershme të sakrifikohet pozita e Kryeministrit për një koalicion.

Express: Mirëpo, sakrifica tjetër është PDK të mbetet në opozitë?
B. Rexhepi: Tash, duhet të llogarisim, mirëpo, edhe opozita nuk është shumë e pashëndetshme. Nuk dua të merrem me parashikime, por nëse themelohet një Qeveri e bllokut pa Vetëvendosjen, atë e rrezon kur të duash. E rrëzon pas dy javësh. Ti bazohesh në votat e Listës “Sprska” se nëse janë çelësi i krijimit të Qeverisë, atëherë, çdo ditë do të kenë kërkesa aq të papranueshme, saqë do të jetë tepër e lehtë ta rrëzosh atë Qeveri. Ne i kemi provuar këto veç se nuk e kemi pasur Listën “Srpska” dhe kemi pasur probleme. Ndërsa, me Lista “Srpska” e cila dirigjohet nga Beogradi do të jetë shumë vështirë. Nëntë deputetët e Listës “Srpska” do të jenë çelësi i kësaj Qeverie nëse formohet në këtë mënyrë. Nëse futet në Qeveri edhe Vetëvendosje atëherë e ka një stabilitet më të madh. Por, është pikëpyetje sa përkrahet kjo Qeveri? Sa mund të harmonizojë Blloku me kërkesat e VV’së? Ose cila është perspektiva e VV’së në zgjedhjet e ardhshme? Tash, s’po dua t’i mëshoj VV’së, por disa militantë të VV’së që janë përkushtuar për parime, për ideale po tregohet se krejt e kanë pasur për të ardhur në pushtet. Kjo tash po vërtetohet se ata luftojnë për pushtet. Pra, ata që kanë hyrë për parime dhe ideale i largohen VV’së dhe në zgjedhjet e ardhshme do të bie. Ky është mendim i imi dhe s’do të thotë se është kështu.

Express: Pas zgjedhjeve nacionale u pa se secila parti mund të mbetet në opozitë. A po shkon drejt kësaj rruge partie juaj?
B. Rexhepi: Së pari, ky sistem është i tillë i konceptuar që të detyron të përfshish një spektër të gjerë që në aspektin demokratik, për mua pseudodemokratik, është përfshirje që s’e lë askënd jashtë. Mirëpo, është sistem që e ka tejkaluar koha. Duhet një reformë zgjedhore. Më së miri do të ishte sistemi maxhoritar ose gjysmë maxhoritar. Kush fiton shumicën i ndërton institucionet. Në të ardhmen kjo duhet të ndodh. Mirëpo, për shkak të komuniteteve është zgjedhur ky sistem i cili nuk garanton stabilitet përveç në rastet kur ka mirëkuptim mes partive kryesore. A shkon PDK drejt opozitës, kjo do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Express: Por, vendimi i Gjykatës Kushtetuese s’ia bën PDK’së numrat PDK’së ?
B. Rexhepi: Ne numrat nuk i kem dhe kjo është shumë e vërtetë. Mund të them, jo i kemi numrat, por realisht, ne i kemi 37, eventualisht, në kushtet më të mira me krejt komunitetet, prapë janë 57 dhe të duhen edhe katër vota tjera sa për të mbërri 61. Pra, ne numrat nuk i kemi.

Express: Por, Adem Grabovci po thotë se PDK i ka numrat?
B. Rexhepi: Ndoshta, ai i ka informatat që unë nuk i kam, por unë po flas real, nga këndvështrimi im. Nëse nuk shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, nëse në çfarëdo forme ju jepet mundësia që ky bllok qeveritar me e marrë edhe Kryetarin e Parlamentit, edhe pse kjo dihet i jepet fillimisht partisë fituese ose koalicionit parazgjedhor, nëse hipotetikisht, i bie se ata se ata formojnë Qeverinë, shihet në këtë rast se PDK po mbetet në opozitë. Sa do të jetë në opozitë është çështje tjetër.

Policia dhe Prokuroria i kanë faktet

Express: Po flasim për aksionet e fundit që janë ndërmarrë në luftë kundër atyre që janë përfshirë në grupe terroriste. Shumëkush, po ngre dyshime se janë siguruar prova të mjaftueshme për personat e arrestuar?
B. Rexhepi: Dua ta sqaroj se një vendim që unë e kam nënshkruar, ai vlen për policinë dhe hetuesit tanë, që unë i kam shpallur organizata terroriste Al-Nusra dhe ISIS’in. Çdokush që merr pjesë në këto grupe i nënshtrohet sanksioneve ligjore. Kodi Penal ka mjaftë hapësirë që merren me çështjen e terrorizmit. Ju e dini, se ne kemi sponsorizuar një projektligj më herët që parandalon bashkimin qoftë në konflikte ushtarake, qoftë paraushtarake të qytetarëve tanë jashtë Kosovës. Pasi ka kaluar leximin e parë është bërë shpërbërja e Parlamentit dhe ai s’ka mundur të hyjë në fuqi. Ai ligj ka zgjeruar hapësirën e veprimeve që të dënohen edhe njerëzit që bëjnë nxitje, që bëjnë thirrje me një gjuhë intolerante ndaj komuniteteve tjera fetare, që bëjnë rekrutim, që bëjnë financim dhe veprime tjera. Pra, me atë ligj është paraparë një luftë gjithëpërfshirëse për të luftuar terrorizmin. Jo vetëm ata që marrin pjesë në luftë,por edhe inspiruesit e tyre. Sepse kokat kryesore janë ata që inspirojnë. Ajo nuk ka ndodhur, mirëpo, çështja e luftës kundër terrorizmit, e individëve që kanë marrë pjesë në organizata terroriste, kjo nuk është as e para një muaji, këto hetime s’janë as të para dy-tre muajve. Këto hetime kanë filluar shumë më herët. Ju e dini që në dy raste, dy grupe janë arrestuar. Njëri ka ana e Gjilanit për të cilët është dyshuar se janë duke përgatitur një akt terrorist dhe grupi tjetër i Kaçanikut, të cilët kanë qenë në lidhje të drejtpërdrejtëduke punuar me Lavdrim Muhaxherin… Mirëpo, pas grumbullimit të fakteve, edhe nga AKI’ja, inteligjenca e Policisë, është ardhur momenti i aksionit të policisë, i cili ka qenë shumë profesional. Për shkaqe operative, operacioni është ndërmarrë për 41 persona, ku në 60 vende kanë ndodhur hetime dhe arrestimet. Në atë listë kanë qenë edhe disa të tjerë që momentalisht kanë qenë jashtë shtetit. Mirëpo, ky aksion do të vazhdojë.

Express: Rrjedhimisht, për këta të dyshuar ka fakte të mjaftueshme për të shkuar në Gjykatë?
B. Rexhepi: Nuk e di sa do të mjaftojnë provat. Por, të gjitha këto që thashë janë bërë në koordinim të plotë me Prokurorin e Prokurorisë Speciale. Në momentin kur kanë menduar se kanë prova të mjaftueshme, bashkë me Prokurorin, është marrë vendimi dhe është bërë arrestimi i tyre. Jo rastësisht është marrë vendimi për paraburgimin e tyre me kërkesën e Prokurorit. Edhe më tutje vazhdojnë hetimet dhe grumbullimi i materialeve…. Pra ne e përkrahim një islam tradicional që e kemi kultivuar me vite.

Express: Keni dhënë një deklaratë publike se kur keni qenë Kryeministër ndërkombëtarët s’ju kanë lejuar të luftoni ekstremizmin?
B. Rexhepi: Në kohën sa kam qenë Kryeministër kam vërejtur se disa organizata humanitare, përveç fillimit që kanë pasur një ndihmë emergjente, por kohëve të fundit kanë filluar edhe disa rekrutime, projekte të tjera me njerëz të rinj, me njerëz të varfër me i indoktrinuar ngapak. Si lëshimi i mjekrave dhe qysh atëherë kam marrë disa sinjale se nëse nuk ndërmerret diçka atëherë pas një kohe mund të bëhet vonë. Dhe, Ligjin për Liritë Fetare, që ka qenë njëri ndër projektligjet e para që e kemi sponsorizuar, kemi dashur ta dërgojmë në Parlament, kur janë formuar grupet punuese, unë kam kërkuar që me ndonjë klauzolë ligjore t’ju pamundësohet ndonjë aktivitet fetar, sektar të ndryshëm. Atëherë, s’kemi pasur shumë informata për wehabizëm apo selafi ose forma të tjera. Kam kërkuar të ndalohet me ligj dhe atë kam thënë jo vetëm për grupet e caktuara islame, por edhe për grupe katolike dhe grupe tjera, nëse bie ndesh me këto format e religjionit që janë tradicionale në Kosovë. Mirëpo, në atë kohë në grupet punuese ka pasur edhe ndërkombëtarë. Nga Këshilli i Europës, nuk më takohet emri, nuk më kanë lejuar të dorëzojë këtë ligj në Parlament duke thënë se kjo cenon të drejtën njerëzore. Kur e kam pyetur se nëse interesi shtetëror i shtetit tënd rrezikohet nga një dicka e tilla, a do t’i respektosh ato vlera njerëzore dhereligjioze, më ka thënë se ndoshta jo. Atëherë, ju kam thënë se pse atëherë me Kosovën bëhen eksperimente. Ai ligj është vonuar dy tri vjet dhe nuk është proceduar.

Express: Pas aksioneve të policisë, cilat janë informacionet tuaja se a janë duke vazhduar qytetarët e Kosovës të shkojnë në Siri e Irak?
B. Rexhepi: Nuk kemi të dhëna nëse janë duke shkuar, mirëpo, besoj se edhe nëse ndonjëri shkon përmes Turqisë, ai fluks është ndaluar goxha shumë. Një fenomen që ka qenë shumë i keq pos shkuarjes së individëve në Siri, ka pasur paralajmërime se ndonjëherë i kanë marrë gratë dhe fëmijët me vete. Kjo është shumë tragjike dhe pavarësisht se është gruaja apo fëmijët e një individi ai nuk ka të drejtë të rrezikoj jetën e tyre. Kjo është e kundërligjshme dhe në këto raste kemi thënë se ku te kemi informata duhet t’i ndalojmë dhe të mos i lejojmë të shkojnë. Bile, një rast ka qenë para do kohe, një familje nga aeroplani e kemi kthyer pasi kemi marrë informatën.Mirëpo, ka raste që mund të shkojnë edhe në forma tjera, ndoshta, edhe të shkojnë deri në Turqi e pastaj në Siri e Irak. Por, të dhënat 100 për qind nuk kemi. Mirëpo, ky fluks i shkuarjes është minimal nëse nuk është ndalur krejt.

Express: Sot është raportuar se një pjesëtar i AKI’së i infiltruar në grupet terroriste në Siri është vrarë. Cilat është e vërteta?
B. Rexhepi: Unë nuk kam informacione të sakta dhe nuk dua të jap një mendim për diçka që s’kam informata. Ju e dini se AKI’ja është Agjencion i Pavarur që i përgjigjet Kuvendit, jo MPB’së. S’është punë e jona dhe s’kemi një informatë të tillë. Unë nuk kam informatë të saktë dhe nuk është punë e jona. AKI është agjencion i pavarur.

Më Shumë

Dallimet mes letërsisë së Shqipërisë e Kosovës, Ligjerata e Krajës, identitetet politike e rrymat letrare

Letërsia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës është parë në kontekstin gjeografik e politik duke gjetur pika të përbashkëta dhe dallime. Nga variantet e...

AKP-ja shpall për shitje 26 asete, 3 lokale në Prizren

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur të mërkurën ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr. 65, e cila përmban 26...

Lajmet e Fundit