Në LDK dhe PDK ka kuadro dhe njerëz të rinj të cilët do të mund të ishin të suksesshëm.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në fazën e fundit të përgatitjeve si për harmonizimin e programit qeverisës, ashtu edhe për caktimin e njerëzve të cilët do të bartin poste të rëndësishme në Qeverinë e re.
Në këto dy parti ka kuadro dhe njerëz të rinj të cilët do të mund të ishin të suksesshëm.
Të paktën kështu vlerësojnë analistët politikë. Sipas tyre, testi i parë për të dy liderët do të jetë caktimi i ministrave dhe nga kjo do të varët shumë suksesi i Qeverisë.
Analisti politikë, Imer Mushkolaj, ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet të jetë e re jo vetëm në kuptimin e moshës, por të njerëzve që kanë ide të reja dhe nëse eventualisht ndodhë riciklimi i ministrave, kjo nuk do t’i bëjë mirë vendit.
“Pa marrë parasysh se sa kanë mund me qenë të suksesshëm në kohën kur kanë qenë në bashkëqeverisje 2007- 2010, megjithatë besoj se të dy partitë kanë njerëz të ri, kanë emra të rinj të cilët munden me kontribu më shumë nëse duan. Por, tash vijnë në shprehje edhe interesat personale të secilit zyrtarë, e në radhë të parë është shumë e rëndësishme edhe prej vullnetit të liderit. Riciklimi nuk është diçka e mirë dhe nuk është i nevojshëm, sepse të dy partitë kanë figura të reja të cilët munden me qenë pjesë e kabinetit qeveritar”, ka thënë Mushkolaj./Tribuna/