Në ditët e fundit janë intensifikuar spekulimet për mundësinë e largimit të Cristiano Ronaldos nga Juventusi në fund të këtij sezoni.
Edhe pse superylli portugez ka kontratë deri në verën e vitit 2022, është raportuar se ai mund të largohet më herët, pasi që Zonja e Vjetër dëshiron të përfitojë nga shitja e tij, si edhe ta heqë nga lista pagën e majme të 35-vjeçarit.
Që nga publikimi i lajmit nga AS dhe Sport, kanë nisur thashethemet që e lidhin me klube të ndryshme, duke përfshirë Paris Saint-Germainin dhe Manchester Unitedin.
Ronaldo ka luajtur në Old Trafford gjatë viteve 2003-2009 duke fituar tre tituj të Ligës Premier dhe Ligën e Kampionëve. Ai shënoi 118 gola në 292 ndeshje para se t’i bashkohej Real Madridit, ku shkëlqimi i tij shkoi vetëm duke u ngritur.
Nga viti 2018, CR7 luan te Juve (ku paguhet 603.000 euro në javë), ndërsa është spekuluar se Djajtë e Kuq janë favoritë për ta kthyer në Ligën Premier për sezonin 2021/2022.
Gjasat për kthimin e Ronaldos në Teatrin e Ëndrrave shtohen kur kihet parasysh se Lionel Messit i skadon kontrata me Barcelonë në fund të këtij sezoni dhe mund t’i bashkohet Mancheste Cityt në një mega-marrëveshje.
Kështu, sipas El Grafico, portugezi do të dëshironte që të ringjallte rivalitetin me argjentinasin në kampionatin anglez.
“Burimet tona në Mançester dhe Porto konfirmojnë se Manchester Unitedi e ka tunduar Cristiano Ronaldon për një kthim te klubi në sezonin e ardhshëm. Portugezi është duke e shqyrtuar. Juventusi do ta negociojë marrëveshjen nëse Ronaldo e kërkon”, ka thënë gazetari i respektuar i FOX America, Christian Martin.
Për më shumë, ai asnjëherë nuk e ka mohuar faktin se e ka në zemër Unitedin dhe se do të dëshironte të kthehej atje një ditë.
“E dua Manchesterin. Të gjithë e dinë këtë. Manchesteri është në zemrën time. Tifozët janë të mahnitshëm dhe do të dëshiroja të kthehesha një ditë”, kishte thënë Ronaldo në vitin 2014, pesë vjet pasi i ishte bashkuar Realit. /Telegrafi/