9.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Rrëfimi për gruan kosovare

Iulia StojannPërjetimet e grave që kanë qenë viktima të luftës së Kosovës, janë bërë mësim jetësor për të. Ajo kishte ndjerë se është një përvojë miqësie dhe ndershmërie nga të dyja palët.

Realizimi i filmit ishte një udhëtim emocional, projekt ky që autoren e prekte thellësisht në çdo mbarim dite, gjatë përpunimit dhe hulumtimit të këtyre historive. Iulian Stoian, gjithmonë ishte kureshtare për ngjarjet që ndodhnin në Ballkan.

Ajo qe në Londër kur lexoi për protestat në Prishtinë, të grave që ishin viktima të dhunës dhe mospërfshirjes së tyre në ligj.

“Viktimat e dhunës seksuale të luftës njihen kudo si viktima të luftës dhe mospërfshirja e tyre në këtë kategori është e padrejtë për mua, isha e befasuar”, thotë për “Zërin” Iulia Stoian, regjisore e filmit “Honey on Wounds”.

Pas kësaj, ajo ka marrë rrugën për në Prishtinë ku ka filluar të hulumtojë rreth çështjes, siç ka nisur të takojë njerëz nga organizata joqeveritare që punojnë për viktimat e luftës. Stoian thotë se ka lexuar librin e Elizabeth Gowing për të mësuar më shumë për bletarinë në Kosovë, e kjo i kishte ndihmuar që të fokusohej në një vend të vetëm, në Gjakovë.

Bletaria është punë me të cilën merreshin dhe shumë gra që qenë viktima të dhunës në luftë, në këtë program i përfshiu “Medica Kosova” në Gjakovë.

“Ato kishin filluar me këtë projekt pikërisht kur unë isha këtu, kam pasur afatin përfundimtar për këtë film, kështu që kam vendosur të qëndroj me to, sepse kjo më dukej gjëja më e drejtë për të bërë”, ka treguar Iulia Stoian.

Ajo shprehet se nuk ka pasur kohë për të bërë film shumë të ndërlikuar, por që çdo gjë në film është përmbledhur në mënyrë të bukur.

“Nuk kam pasur në dispozicion një vit për të eksploruar çdo gjë. Më duhej të organizoja çdo gjë shpejtë dhe mirë, kështu që unë u ndala në Gjakovë, te kjo OJQ”, ka thënë ajo, për të shtuar se gratë që janë personazhe të filmit të saj kanë qenë të shkëlqyera. Duke përfshitë edhe hulumtimin që ka bërë rreth temës së filmit të saj, ajo ka qëndruar rreth dy muaj në Kosovë.

“Nuk isha duke kërkuar për rrëfimet apo detajet e pakëndshme, ose diçka të tillë. Kam kaluar pothuajse një muaj me këto gra, u bëmë të afërta dhe ky ishte një proces gradual”, tregon Stoian për përvojën e saj me gratë.

Ajo thotë se gratë që qenë viktima të dhunës në luftën e Kosovës e bëjnë më të fortë.

“Ato të gjitha janë shembull dhe kjo është arsyeja pse unë e bëj këtë film, kjo është arsyeja pse unë e dua realizimin e filmit dhe shfaqjen e tij për njerëzit e tjerë. Ka gra në Angli dhe Rumani që e kanë parë filmin”, është shprehur Sroian, për të shtuar se gratë për të cilat flet filmi i saj janë shumë të forta dhe ka shumë gjëra për të mësuar prej tyre.

Stoian e cila ka punuar gazetare, tregon se në kohën kur e ushtronte këtë profesion, çdo gjë duhej ta bënte me nxitim dhe nuk kishte shumë kohë për të kaluar me personat që i intervistonte. Kjo më dukej frustruese dhe kisha nevojë për të shpenzuar më shumë kohë me ta, të dëgjojë më shumë tregimet e tyre, e kjo më bëri për të migruar drejt filmave dhe dokumentarëve”, ka thënë Iulia Stoian, duke treguar kështu për fillimet e saj i regjisore.

Ajo thotë se i pëlqen të realizojë filma dokumentarë, sepse aty mund të përdor vetëdijen e saj sociale, gjithashtu mund të përpiqet të jetë poetike ose të përdor metafora.

“Në thelb mendoj se magjia e gjithë kësaj qëndron në faktin kur flisni me personazhet tuaja dhe kur krijoni miqësi me personazhet tuaja”, shprehet regjisorja e “Mjaltë në plagë”. Stoian thotë se është e hapur ndaj tregimeve, dhe se është duke lexuar për Kosovën, ka biseduar me njerëz , ngase do që të kthehet përsëri në Kosovë.

“Ky vend është përplot me histori të mahnitshme dhe njerëz të mahnitshëm që duhet të hulumtohen” thotë Iulia për gazetën. Ndërkaq nga jeta në Kosovë dhe ushqimi këtu, asaj i pëlqejnë shumë ushqimet tradicionale, siç është flia më mjaltë, dhe po aq shumë i do specat me kajmak, që tashmë është mësuar t’i porositë në gjuhën shqipe.

Stoian thotë se ka shumë ide në kokën e saj, por në përgjithësi është kureshtare në lidhje me seksualitetin dhe fenë në Ballkan.

“Unë do të kthehem në Londër dhe do të përpunoj të gjitha informatat që kam marrë në Kosovë. Ndoshta do të pushoj për disa javë dhe pastaj do të mendoj se çfarë të bëj tutje. Tani për tani është mjaft herët”, ka treguar Stoian.

Ajo thotë se nëse ka tema tabu dhe në qoftë se ka njerëz të cilët kanë nevojë të ndajnë historitë e tyre, sipas saj, regjisorët e filmave duhet t’i dëgjojnë këto rrëfime dhe se është mirë për disa nga këto gra të flasin për përjetimet e tyre.

Energjia e artistëve, e të rinjve dhe e vendit në përgjithësi për Stoian është fantastike, sipas saj, janë shumë entuziastë për ndërtimin e gjërave.

“Kosova është një shtet i ri, kam ndjenjën se jeni duke punuar në diçka të re, jo me çdo kusht duke shikuar mbrapa në të kaluarën, por në mënyrë të qartë drejt të ardhmes dhe kjo më jep energji dhe frymëzim për të krijuar filma”, ka treguar Stoian.

Regjisorja ka qenë gazetare në Rumani, atje ka bërë dhe një dokumentar më të cilin është pranuar në Shkollën Kombëtare Angleze për Film dhe Televizion, shkollë kjo për profesionistë.

Për dy vite Master, ajo ka realizuar pesë filma, kurse filmi i fundit është “Honey on wounds” që është dhënë në kuadër të edicionit të 13-të të “DokuFest”.Iulia Stojann

Më Shumë

Mblidhet Kuvendi, në rend dite marrëveshja për tunelin Tetovë-Prizren

Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit...

Dënohen Ballkani e dy zyrtarë, po edhe trajneri i Dritës

Klubi i Ballkanit është dënuar me gjobë 1200 euro, videoanalisti i FC Ballkanit, Ardi Kabashi me gjobë prej 500 euro dhe zyrtari i Ballkanit,...

Lajmet e Fundit