12.2 C
Prizren
E premte, 16 Maj, 2025

Rruga

Nga Edison Ypi

Rruga ishte ndër gjërat e shumta që sa më të munguara të ishin aq më prezente paraqiteshin.

Në vendin ku e vetmja gjë e pazararshme që mund të bëje ishte të mos lëvizje, më tepër se gjithçka kishte rrugë.

Rrugës më të trafikuar, që ishte “rruga e mesme”, i mohohej ekzistenca. Për këtë rrugë thuhej “s’ka”.

Rruga më e rrezikshme ishte e gjithnjohura inekzistente “Rruga e armikut”.

Inekzistentja “Rruga e armikut” të lidhte menjëherë me një tjetër rrugë tepër prezente dhe frekuente emri i së cilës nuk zihej kurrë në gojë, që ishte “Rruga e burgut”.

Rrugët ishin të gjitha të drejta. Rrugët nuk kishin kthesa. Rruga që kishte edhe vetëm një kthesë quhej “rrugë e shtrembër”, dhe kthesa quhej “devijim nga rruga”. “Devijimi”, që mund të ishte edhe vetëm një fjalë goje, përfundonte në një greminë që quhej “internim” ose “burgosje”.

Për rrugën që kalonte nëpër disa fshatra nuk thuhej se ajo rrugë kalon nëpër këto e ato fshatra, por ajo rrugë ato fshatra “i lidh”.

“Rruga e historisë”, ajo që më herët ishte “çarë” me shpatë në dorë nga kordhëtarë të shquar, gjatë dhe pas “luftës” ishte “çarë” me plumb pas shpine dhe varje në litar intelektualësh, agallarësh, bejlerësh, pastaj u ça erdhi doresh vrasësve; frikë, fukarallëk, spiunllëqe, kobure pas koke.

“Rruga e lavdishme” dhe “Rruga heroike”, ishin rrugë ku kalonin ca fantazma të quajtura “parti”, “popull”, “klasë puntore”.

Ata mbi rrugë kalonin, rrugën “e bënin”. Të thoshe “bëra” kaq kilometra rrugë më këmbë ose mbi ndonjë rrangallë me motorr që quhej ZIS ose GAZ, ishte më se e zakonshme. Kjo krijonte përshtypjen e lumnueshme se rrugët nuk i bënte makina që ishte një copë hekur, por populli puntor dhe liridashës i cili me anë të rrugëve që i bënte vetë mund të shkonte lirshëm në cilëndo qoshe të mbretërisë së kurrkundit.

Kjo rrugë “të çon” në filan qytet, tjetra rrugë “të çon” fistek katund; nuk ishe ti që shkoje diku. Ishte rruga që “të çonte” ku deshte.

Rruga “çahej”.

Rruga më e vëshitirë për tu “çarë” ishte “Rruga e jetës”…drejt vdekjes.

“Rrugën shoqërore” po të dije ta “çaje” si duhet, të çonte te ndonjë ishull. Përndryshe Zoti e dinte ku përfundoje.

“Rruga zyrtare” ishte si barka pa vela dhe pa busull në mes të oqeanit me dallgë.

“Rruga ligjore” të çonte në ca labirinte prej të cilave nuk dilje dot kurrë.

“Rrugët kryesore” ishin plot me gropa.

“Rrugët e periferisë”, përveçse plot me gropa, ishin edhe plot me bajga.

Rruga “në mes të katër rrugëve” ishte rruga e të gjithëve.

‘Rruga ime”, “Rruga jote”, “Rruga e këtij”, Rruga e atij”, ishin rrugët ku gjallonte njëri e tjetri të cilit pavarsisht se s’kishin asgjë i gënjente mendja se kishin “Rrugë”.

Me përjashtim të “Sheshit Skënderbej” dhe “Sheshit të Flamurit”, Shqipëria nuk kishte asnjë shesh tjetër. Konsideroheshin vende grumbullimi dhe rehatie mikroborgjeze tepër të rrezikshme për fatet e Atdheut ku armiqtë mund të merrnin lehtësisht nga turma cilin të donin dhe ta fusnin në “Rrugën e gabuar”.

“Rrugaç” quhej ai që kundërshtonte sadopak eprorin, dëgjonte muzikë a shihte ndonjë film të huaj.

“Rrugaçe” cilësohej në çast cilado vajzë apo grua e bukur për të cilën hamendësohej se bënte dashuri, pra kishte hyrë në njërën nga rrugët me rrezikshmërinë më të lartë përdhosëse “Rrugën e imoralitetit”.

Pa folur për vajtjen në Kosovë, që ishte njësoj sikur “të merrje rrugën” për në “Kepin e Shpresës së Mirë” ose në ndonjërin prej dy poleve, “të merrje rrugën” për në Korçë ishte njësoj sikur sot të nisesh për në Kinë ose në Mars.

“Rrugën e mërgimit”, atë që shqiptarët më të shquar dhe më patriotë të së kaluarës “e kishin marrë” nga halli për shkak të persekutimit që u bënin regjimet antipopullore, edhe mund të provoje “ta merrje”. Problemi ishte se mundësia të mos përfundoje i mbytur në gjak mbi telat me gjëmba sharruar nga breshëritë e kalashnikovit ose i shqyer nga qeni i kufirit, ishte 1 në 100 mijë.

Po të besoje Zotin kishe hyrë në “Rrugën e helmatisjes me opium” dhe me sot me nesër të priste burgu.

Për çfardo situatë sado të ndërlikuar kishte gjithmonë “rrugëdalje”, por për ku ? nuk dihej.

Nuk kishte “Rrugë të zeza” apo me ngjyra. Por kishte “Rrugë të bardha” dimërore, propagandistike, idilike, kinematografike me t’i sjellë zorrët te fyti.

Kishte edhe “Rrugë qorre”, ku për shkak të vigjilencës së pakët mund të hyje, për shembull, duke u shoqëruar me ndonjë kulak ose ndonjë të deklasuar. Ndodhte që kishin aftësinë dhe paturpësinë për të dalë nga “Rruga qorre” me anë të disa autokritikave sa më të thella, sa më vetgroposëse, sa më vetpërdhosëse. Nëse atë aftësi nuk e kishe, ose thjesht nuk deshe, Allahu Babafetahu e dinin si mund t’i shpëtoje burgut.

“Rrugë shurdhe”, edhepse të gjitha rrugët ishin të heshtura si rrugë funeralesh, nuk kishte.

Gjatë 1 rruge mund të bëjë më tepër se 1 punë, por kurrë 3 ose 4, në rastin më të lavdërueshëm vetëm 2.

“Rrugët e tërthorta” ishin rrugët që përdornin armiqtë për t’ja futur ujin nën rrogoz Shqipërisë, sabotatorët për të bllokuar ekonominë, grupet armiqësore për ta përmbysur rendin socialist.

Me anë të rrugëve mundeshe vetëm të ikje, të ecje përpara, por jo edhe të vije, të ktheheshe. Ardhja quhej dorzim, kapitullim para vështirësive, dhe gjeje belanë.

“Rrugën e pagabueshme” që duhej “ndjekur” e mësoje nga dëgjimi i Radio Tiranës, lajmet e televizorit, gazetat, librat, filmat, të gjitha “soc”.

Rrugët jo vetëm bëheshin dhe çaheshin, por edhe haheshin. Për tu ngrënë preferoheshin rrugët “jashtë shtetit”. Për fatmadhin që kishte qënë, ta zemë, tre herë në Itali, thuhej “ka ngrënë” tre rrugë Italie. Po ashtu “ka ngrënë” dy rrugë Gjermanie, 1 rrugë Kine, 4 rrugë Greqie. Se si mund të futeshin mijëra kilometra rrugë brenda një stomaku, ishte temë e preferuar ishullarësh hokatarë.

Përmes tejkalimeve të planit dhe një mijë e një marrinave të tjera çahej bllokada dhe shembeshin muret e rrethimit të egër kapitalisto-revizionist. Nga ato çarje e ato shembje hapeshin “Rrugë të reja”. Problemi ishte se askush nuk e dinte ku të “çonin” ato “Rrugë të reja”.

Pyetjes “Ku të shkojmë pasi ta çajmë rrethimin dhe bllokadën ?” kurrë nuk ju dha përgjigje, madje atë pyetje, përveç ishullarëve mes të qeshurave, kurrkush nuk e bëri.

“Rrugët ushtarake” nga 3 metra të gjëra, që atëhere çonin armë, municione, drithë, nëpër tunele prapa maleve, sot u shërbejnë hajdutëve për të transportuar lëndë drusore të prerë ilegalisht dhe kalamajve të vdesin brenda tuneleve nga shpërthimi i predhave, bombave, granatave, duke kërkuar skrap për ta shitur.

Diku në veriun e errët ekzistonte “Rruga e dritës”.

Për ndonjë rrugë që bllokohej nga shembjet ose dëbora thuhej “nuk punon rruga”.

“Rrugët detare” shfrytëzoheshin për të sjellë qymyr nga Polonia dhe mineral hekuri nga Brazili për të vënë në punë kombinatin “çeliku i kurvit” i cili ishte projektuar për të punuar me mineral vendi që ndodhej në sasi të pafundme më pak se 100 kilometra nga Elbasani.

“Rrugët ajrore” shpinin e sillnin në Francë nomenklaturistë zevzekë për tu kuruar nga krruajtja e fundshpinës pak para pushkatimit.

“Rrugët nëntokësore” ishin ato të minierave që varrosnin për së gjalli me mijëra jetë, kryesisht të burgosur.

“Rruga hekurudhore” që të çonte nga Tirana në Pogradec për nja 8 orë ishte rast i mirë për të kqyrur më nge si mund të arratiseshe nga Qaf Thana.

Përveç rrugëve që të çonin në burg, rrugëve çanin bllokadën, rrugicave që kërkonin diell për tu mundësuar atentatorëve të shihnin sa më mirë për të vrarë sa më tepër armiq, kishte edhe një nënlloj rrugësh më të ngushta se rrugët e ngushta që quheshin “shtigje”. Shtigjet, si të shkelurat dhe të pashkelurat, ishin pasardhës të një biçimi tjetër rrugësh edhe më të ngushta që quheshin “rripa”. Ndër “rripat’ më të famshëm ishin ato të këngës; “N’ato maja n’ato rripa, her’ më ra, her’ të ra pika”.

Më Shumë

Të gjitha biletat për finalen Bashkimi – Trepça janë shitur, pritet atmosferë e jashtëzakonshme në Prizren

Finalja e sontme ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, që do të luhet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, pritet të zhvillohet përpara një audience të...

Aksidenti me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, viktima shtetase e Shqipërisë

Një aksident me fatalitet ka ndodhur dje në autostradën “Ibrahim Rugova”. Në përplasjen mes një kamioni dhe një veture, e vdekur ka mbetur një grua....

Lajmet e Fundit