23.8 C
Prizren
E premte, 19 Korrik, 2024

Rruga e Serbisë për në BE kaloi mbi trupat e shqiptarëve

RexhepSelimi-vvDeputeti Rexhep Selimi në deklarimin jashtë rendit të ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës tha se lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se bisedimet në Bruksel janë një proces që e afrojnë Kosovën me afër Serbisë dhe Serbinë më afër Evropës.

Selimi tha se si rezultat i negociatave dhe i marrëveshjeve Thaçi-Dacic Serbia mori datën e fillimit te negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa MUP-i dhe institucionet e Serbisë po legalizohen në Kosovë.
“Ju deputetet, nga cilido grup parlamentar që i keni mbështetur këto negociata me votën tuaj, të vetëdijshëm apo jo, jeni ata që falë mbështetjes suaj kryeministri negocioi me Daçiqin dhe falë këtyre negociatave Serbia mori shpërblimin. Bashkimi Evropian ka mbivlerësuar përparimet që Serbia ka bërë në dialogun me Kosovën, duke i ofruar si shpërblim nisjen e negociatave për anëtarësim. Kështu ju, ia dhatë amnistinë Serbisë, asaj që mbi kurriz mban barrën e krimeve më të rënda kundër njerëzimit, e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë”, u shpreh Selimi.

Ai tha se në negociata u propagandua shumë se negociatorët e Kosovës do të bisedonin patjetër edhe për të pagjeturit shqiptarë qe u vranë dhe u zhdukën nga forcat e Serbisë në luftë.

“Por siç jemi dëshmitarë askush s’i përmendi kurrë në asnjë tryezë në Bruksel. Ditëve të fundit, zbulimin e varrezave të pretenduara në varrezat masive diku në Serbi, familjaret e të humburve e priten me ankth dhe me shpresë se do të mund t’i gjejnë së paku eshtrat e më të dashurve të tyre. Por, ata nuk e dinin se edhe kësaj radhe trupat e të vrarëve nuk e gjeten rrugën e kthimit në atdhe. Familjaret shpresuan por nuk e ditën se me trupat e shqiptarëve Serbia po bënte një pazar. Pesë trupa të shqiptarëve të vrarë Serbia i dha si kapar për diçka që edhe në të vërtetë e mori paraprakisht”, tha ai.

Sipas tij, rastësisht apo jo, asfalti dhe objekti mbi trupat e shqiptarëve në Serbi i përkiste një ndërmarrje që quhej “Kosmet-Put” që në shqip do të thotë “Rruga e Kosmet”, apo “Rruga Kosova”.

“E pra, e di apo nuk e di BE-ja se nëpër çfarë rruge po i afrohet Serbia asaj, Kosmet-Put quhet rruga e Serbisë drejt Evropës, rrugë e cila kalon mbi eshtrat e shqiptarëve të vrarë e të fshehur. Kryeministri i Kosovës bisedon me Kryeministrin e Serbisë, jo për kthimin e trupave të të vrarëve e të zhdukur por për kthimin e atyre që vranë. Ai nuk flet me Daçiqin për t’i kthyer trupat dhe eshtrat e shqiptareve por për kthimin e policëve serbe të MUP-it ne Policinë e Kosovës. Në vend që ta kërkonte nga Brukseli hapjen e Kosovës e cila është kthyer në një vend të izoluar në mes të Evropës, ai me marrëveshjet me Daçiqin ia hapi dyert Serbisë drejt integrimit. Në vend që të kërkonte drejtësi për të gjitha krimet, vrasjet dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve edhe pas luftës në pjesën veriore të Kosovës, pikërisht këtë drejtësi ia la në dorë atyre që i shkaktuan këto krime”, tha ndër të tjera, deputeti Selimi.

Edhe deputeti tjetër i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca i bëri thirrje kryeministrit Thaçi “Ndërprisni negociatat me Serbinë, t’i kthehemi vetes dhe projektit kombëtar”.

Para dy ditësh në Bruksel u morën qëndrime të rëndësishme për disa vendet të cilat aspirojnë integrimet evropiane. Aty u konkludua se Serbia i ka plotësuar të gjithë kushtet për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Kushtet e mëhershme të Gjermanisë ndaj Serbisë nuk u përmendën më dhe kërkesat plotësisht legjitime të tërheqjes nga veriu i Kosovës nuk i zuri në gojë askush.

Secili në këtë rajon, madje dhe më gjerë, e ka të qartë se në thelb nuk ka ndërruar asgjë sa i përket politikës hegjemoniste të Serbisë. Për gjithë këtë përmbysje të paparamenduar, me ç’rast Serbia po i fillon negociatat e anëtarësimit kurse Shqipëria e Kosova ndodhen ende larg, përgjegjëse pa dyshim që është edhe Qeveria jonë, e cila ndoqi politikën e rehabilitimit të Serbisë, duke e lozur rolin e një fqinji të mirë e të dëgjueshëm që nuk ka asnjë problem serioz me Serbinë.

Në këto tri vite ne ndoqëm me vëmendje dhe me shqetësim çdo hap që bëri Qeveria jonë në raport me Serbinë. Dhe tani në finish e kemi këtë bilanc:

a. ka barrikada që nga mesi i Mitrovicës deri sipër në kufijtë veriorë,

b. ka kryetarë komunash nga lista e Daçiqit që nuk e njohin Kosovën dhe nuk kanë ndërmend t’i binden shtetit tonë,

c.k a ish kriminelë gati për t’u futur në Policinë e Kosovës,

d. ka vijë kufitare me Serbinë pa demarkacion,

e. e kemi footnotën që dobëson ndërkombëtarisht njohjen legjitime të pavarësisë sonë,

f. e kemi bllokimin e njohjeve nga vendet e BE-së,

g. e kemi një gjyqësi dhe prokurori në veri si në kohën e aparteidit, ku gjyqtari shqiptar s’mund të gjykojë qytetarin e Kosovës që është serb.

Më 21 janar 2014 Serbia po ia nis negociatave të anëtarësimit në BE, kurse ne po mbesim me të gjitha këto probleme të mëdha. Duhet ta themi hapur, se është koha e fundit për t’ju kthyer vetes, për t’i ndërprerë negociatat dhe për t’u drejtuar kah projekti politik kombëtar, duke u forcuar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht në mënyrë që t’i japim vetes fuqinë për të pasur politikë të jashtme në interes të vendit, e jo në kurrizin tonë, tha Konjufca.

Më Shumë

Agim Vinca: Tri këngë zie për Kadarenë

Kumti i zi Dita e parë e muajit korrik, e nxehtë që në mëngjes. Në orën 9.23 minuta, në celularin tim vjen një mesazh. Më...

Argjentina fiton për herë të 16-të në histori Kupën e Amerikës

Argjentina triumfon në Copa America. Skuadra bardhekaltër vulosi suksesin rekord të 16-të në histori, në Copa América, pasi një gol në kohën shtesë nga Lautaro...

Lajmet e Fundit