Pandemia e COVID-19 ka prekur edhe sektorin e bujqësisë në Kosovë. Për ta tejkaluar këtë gjendje, ekspertë të bujqësisë thonë se fermerët duhet ta vazhdojnë prodhimin në mënyrë që vendi të mos preket nga pamjaftueshmëria e ushqimit.
Profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci ka thënë për Telegrafin se fermerët duhet t’i përfillin të gjitha masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë, por punët duhet të kryhen.
“Në këndin e prodhimit të ushqimit, ne duhet të jemi mjaftë të kujdesshëm dhe shumë të matur që një gjë të tillë të mos e anashkalojmë për faktin se ky sektor kërkon një prodhimtari të vazhdueshme, pavarësisht periudhave kohore që i kalojmë. Të gjithë fermerët duhet t’i përfillin të gjitha masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë, por punët duhet të kryhen sepse mund të përballemi me një pamjaftueshmëri të potencialeve tona agro-ekologjike”, tha Rusinovci.
Sipas tij, fondet e ndara nga Pakoja Emergjente Fiskale nuk janë të mjaftueshme dhe se shteti duhet të intervenojë në bujqësi.
“Në situata të tilla, shteti duhet të intervenoj dhe me prioritet duhet të jetë shëndetësia dhe bujqësia. Përderisa kanë gjetur një metodë për stimulim me këtë pako emergjente për bujqësi, mendoj se fondet që janë ndarë prej 5 milionë eurove janë të pamjaftueshme për mundësitë e sigurimit të prodhimit të ushqimit nga kushtet tona. Nëse periudha e pandemisë do të zgjasë, ne do të përballemi me pamjaftueshmëri të ushqimit, për faktin se pjesa dërmuese e rasteve nga vitet paraprake janë varur nga kontingjentet marramendëse të ushqimit. Pra, prioritet duhet të ketë prodhimi i ushqimit vendor”, tha ai për Telegrafin.
Lidhur më këtë, edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa kishte bërë të ditur se nuk do të ndalet puna e bujqve në Kosovë, pavarësisht masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Mustafa përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se orari i qarkullimit për bujq do të jetë nga ora 06:00 deri në ora 20:00.
“Me kërkesën time që të krijojmë mundësi pune për bujqit, që tani janë në kulmin e punës së tyre në fushë, do të vlejnë masa lehtësuese, vetëm dhe vetëm për bujqit: Orari i qarkullimit për bujqit individual të pajisur me Numër Identifikues të Fermës (NIF), vetëm për të punuar në fermat e tyre, do të jetë nga 06:00 deri në 20:00”, kishte shkruar Mustafa.
Sipas masës së 11-të të prezantuar në Pakon Emergjente Fiskale, parashihet që të ketë rritje të buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej 5 milionë euro. /Telegrafi/