3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Ryshfeti rrezikon policinë

Policia e KosovesNëntëmbëdhjetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dyshohet me bazë se gjatë këtij viti kanë marrë ryshfet nga qytetarët. Nëntë prej tyre po përballen me drejtësinë, përderisa dhjetë të tjerë ende po hetohen nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Arbër Beka, zëdhënës në IPK, ka thënë për “IP Magazinë” se, sa i përket veprës penale “marrje e ryshfetit”, në total janë raportuar në këtë gjashtëmujor 19 raste, prej tyre dhjetë janë akoma në proces në Departamentin e Hetimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës, për pesë raste është ushtruar kallëzim penal në prokuroritë kompetente, kurse katër raste të tjera janë dorëzuar në prokurori me raport të veçantë.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka për qëllim parësor, t’a ndihmojë Policinë e Kosovës që t’a përmbush misionin e saj ligjor, në harmoni me ligjet në fuqi dhe standardet e kërkuara, dhe t’ju ofrojë qytetarëve një polici të përgjegjshme, profesionale dhe efektive. Lufta kundër korrupsionit në radhët e policisë do të jetë prioriteti ynë i përhershëm dhe kryesor duke u kujdesur që askush në Policinë e Kosovës të mos jetë imun ndaj shkeljeve të mundshme ligjore”, ka deklaruar Beka.

IPK falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e mirëfilltë dhe kontributin e tyre në luftimin e përbashkët të dukurive negative duke ndikuar në këtë mënyrë në ngritjen e nivelit të përformances tek policia e vendit.
Punë për IPK-në

Sipas Bekës, sukseset e treguara nga IPK-ja në luftimin e korrupsionit janë si rezultat edhe i përgatitjes profesionale edhe nge trajnimet e shumta që janë organizuar për zyrtarët e IPK-së nga ICITAP-i amerikan, e të cilat trajnime kanë qenë shumë përmbajtjesore dhe specifike për punën dhe detyrat dhe përgjegjësitë që ka personeli operativ i IPK-së (hetuesit dhe inspektorët) për të arritur rezultate sa më efektive në zbatimin e mandateve të tyre ligjore në ballafaqim me elementet kriminale dhe destruktive të cilat mund të infektojnë shërbimin e policisë ndaj qytetarëve të vendit.

IPK-ja fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që mund të kenë informacione lidhur me rastet me elemente korruptive ku dyshohet të jenë përfshirë zyrtarët e Policisë së Kosovës t’i denoncojnë sa më parë ato.
Në anën tjetër, zyrtarë të policisë nga zyra për Marrëdhënie me Publikun, thonë se, rastet e marrjes së ryshfetit nga policët janë në rënie e sipër.
“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar nëntë raste të marrjes së ryshfetit, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (2012) janë shënuar 24 raste të tilla”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim në Polici.
Kurse raste të raportuara për dhënie të ryshfetit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë raportuar 15 raste, kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur 29 raste.

Policët arrestohen si të dyshuar

Sipas policisë, kryesisht rastet e tilla janë me kryes të njohur që do të thotë ata arrestohen si të dyshuar për ketë vepër penale.

“Raportet e PK-së dhe IPK-së janë të përcaktuara me ligjin e Policisë dhe ligjin e Inspektoratit dhe bashkëpunimi është në nivel të duhur për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie”, thonë zyrtarët policor.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, në një prononcim për “IP Magazinë” ka thënë se, çështja e ryshfetit në Policinë e Kosovës nuk është e pa njohur për publikun.

“Tashmë ka shumë raste që janë lajmëruar e shumë të tjera që nuk lajmërohen. Marrja e ryshfetit nga policia kufitare dhe ajo e trafikut, përbën një rrezik serioz për shoqërinë dhe vendin tonë”, ka thënë Islami.

Sipas tij, marrja e ryshfetit nga pjesëtarë të një institucioni i cili është gjithmonë i pari që ndeshet në luftën kundër drogës, prostitucionit, transportimit të materieve të rrezikshme etj, kjo përbënë rrezik serioz për sigurinë nacionale të vendit,transmeton Indeksonline

“Shtrohet pyetja çka fshihet pas një shume simbolike të shqiptimit të një tikete në komunikacion dhe polici ndihet i kënaqur me atë shumë, e në anën tjetër i dyshuari bartë drogë?, kjo pyetje do sqarim nga krerët e Policisë së Kosovës që nuk po e eliminojnë këtë dukuri të rrezikshme, e që janë përgjegjës për hierarkinë në një institucion siç është policia”, thotë Islami.
Kodi penal parasheh dënime

Në Kodin Penal të Kosovës, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit janë të klasifikuara si vepra penale dhe të dënueshme nga 6 muaj deri në 5 vjet, varësisht prej rastit.

Në nenin që flet për marrje të ryshfetit thuhet se, personi zyrtar i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose që pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, në mënyrë që personi zyrtar të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Kurse, në nenin që i përket dhënies së ryshfetit ndër të tjera thuhet se, kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, i premton, ofron ose i jep ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër personit zyrtar, në mënyrë që ai person të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

Më Shumë

Në Prizren u përurua videoklipi `Romani Sofra-Sofra Rome`, projekt i gazetarit Galushi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), njofton se në Doku Kino në Prizren, u promovua videoklipi "Romani Sofra - Sofra Rome", projekt i...

Parashqevi Simaku me këngë për Krishtlindje

Artistja shqiptare, Parashqevi Simaku së shpejti do të vijë me një këngë. Kështu ka bërë të ditur bznesmeni Elton Ilirjani për Top Story, duke theksuar...

Lajmet e Fundit