9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

SBAShK-u i përgjigjet Nagavcit: Ekziston vendimi, orët e humbura nuk i zëvendësojmë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka marrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022/2023, duke paraparë këtu zëvendësimin e orëve të pambajtura të mësimit gjatë grevës së mësimdhënësve në muajin shtator.

Sipas vendimit të ministrisë, orët e humbura gjatë grevës do të zëvendësohen gjatë ditëve të shtunë në vikende.

Por, kundër vendimit të ministres janë shprehur nga SBAShK-u.

Anëtari i Kryesisë së SBAShK-ut, Bardh Bardhi, ka deklaruar se i qëndrojnë pas vendimit për moszëvendësimin e orëve të humbura.

“Ne kemi një vendim që orët e humbura gjatë grevës, nuk i zëvendësojmë. Është vendim që sa vite, njëjtë kemi vepruar edhe në vitin 2019”, ka thënë Bardhi për “lajmi.net”.

Ai ka thënë se mos zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës është i cekur edhe në kontratën kolektive të nënshkruar mes SBAShK-ut dhe MAShTI-t në vitin 2021.

“Kjo është e precizuar edhe me kontratë kolektive që është e nënshkruar nga Rrahman Jasharaj dhe ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në vitin 2021. E humb efektin greva nëse orët zëvendësohen, pse të hysh në grevë nëse zëvendësohen orët”, ka thënë Bardhi.

Më tutje, ai ka thënë se nëse ministrja Nagavci kërkon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, atëherë ajo është duke dalë edhe kundër kontratës kolektive të nënshkruar në vitin 2021.

“Ajo është e para që është dashur ta respektojë kontratën e nënshkruar nga ish-ministri i Arsimit në vitin 2021”, ka përfunduar Bardhi.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës së fundi ka marrë vendim që të mosekzekutojë pagat për muajin shtator për grevistët, vendim ky që nxiti reagime të shumta, përfshirë këtu edhe deputetë të partisë në pushtet të cilët u shprehën kundër vendimit të qeverisë.

Më Shumë

“Fortnight”, kënga e re e Taylor Swift thyen rekord!

Kënga e re e Taylor Swift “Fortnight” po korr një sukses të jashtëzakonshëm. Spotify së fundmi njoftoi se kënga e 34-vjeçares “Fortnight”, me Post...

Ish-gazetari Ramadan Baraliu aderon në Vetëvendosje

Ish-gazetari dhe politikologu, MSc. Ramadan Baraliut ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ëshvë mirëpritur nga kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi...

Lajmet e Fundit