Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Vjollca Shala, ka thënë se procesi i fillimit mësimor varet nga Qeveria e Kosovës. Ajo tha se në rast se qeveria nuk i realizon kërkesat e tyre, atëherë 1 shtatori mësimdhënësit do t’i gjejë në grevë të përgjithshme.
Madje ajo tha për “Ekonomia Online” se nëse nga e mërkura qeveria nuk fillon me dialog, greva mund të fillojë nga data 24 apo 25 gusht.
“Ne mendojmë që me 1 shtator të fillojë viti shkollor, mirëpo se a do të fillojë varet nga Qeveria. Se dëshira jonë është që viti shkollor të fillojë me 1 shtator dhe të gjithë nxënësit t’i gëzohen ditës të parë të mësimit.
Mirëpo Qeveria është ajo që nuk është duke i realizuar kërkesat tashmë të njohura për gjithë opinionin për mësimdhënësit. BSPK ka mbajtur një takim të kryesisë ekzekutive dhe në takim është përcaktuar që deri më datën 17 gusht nëse Qeveria nuk fillon dialogun dhe nuk fillon me realizimin e kërkesave të BSPK e në të njëjtën kohë edhe të SBAShK atëherë me 17 i mbetet kryetarit të BSPK që ta përcaktojë datën e fillimit të grevës së përgjithshme”, tha ajo.
“…mendohet që greva e përgjithshme do të fillojë me datën 24 gusht apo 25 gusht. Urojmë që greva të mos ndodhë, por në momentin që Qeveria nuk reflekton deri me 1 shtator atëherë mësimdhënësit do t’i gjejë në grevën e përgjithshme dhe nuk do të ketë as nxënës në objekte shkollore”, shtoi Shala.