-0.2 C
Prizren
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Sektori i derivateve të naftës në Kosovë po përballet me sfida

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka deklaruar se ky sektor është duke u ballafaquar me një varg sfidash në bazë të udhëzimeve administrative të cilat janë në kundërshtim me standardet e BE-së. Ai ka thënë për “Epokën e re” se politikat qeveritare e kanë rënduar në masë të madhe këtë sektor. Në këtë kontekst, Berjani ka përmendur Udhëzimin Administrativ për pastrimin e rezervave të naftës, taksën e kyçjes në rrugë si dhe pagesën për licencë në baza vjetore. Ai ka thënë se vetëm në Kosovë ndodh që të paguhen çdo vit këto taksa. Sipas tij, një gjë e tillë duhet të ndodhë vetëm kur të merret licenca.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se ky sektor është duke u përballur me një varg sfidash edhe për shkak të udhëzimeve administrative dhe politikave qeveritare, të cilat, sipas tij, e kanë rënduar tej mase këtë sektor. Ai në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se Kosova qëndron larg standardeve të Bashkimit Evropian (BE) sa i përket sektorit të derivateve të naftës.

Berjani ka thënë se Kosova ka udhëzime dhe vendime të cilat nuk aplikohen në asnjë vend të BE-së siç është pagesa e licencave në baza vjetore, çështja kohore e pastrimit të rezervave të naftës, si dhe pagesat e larta për kyçje në rrugë. “Ky sektor ka shumë sfida. Besojmë dhe shpresojmë se do të rregullohen gjërat. Ne si përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve kemi pasur takim me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi, ku kemi prezantuar problemet në këtë sektor dhe ai na ka premtuar bashkëpunim dhe realizim të kërkesave tona. Kërkesat tona janë që të jemi edhe ne pjesë e standardeve evropiane të BE-së. Pos të tjerash, kemi kërkuar që Ligji i Naftës të kalojë sa më shpejt, pasi askund në botë në sektorin e naftës nuk paguhen licenca çdo dy vjet, por duhet të jenë të përhershme”, ka deklaruar Berjani, duke shtuar se sfiduese për naftëtarët mbetet edhe taksa për kyçje në rrugë. “Kjo taksë është ngarkesë për bizneset, ku paguhet çdo vit dhe do të duhej të paguhej vetëm kur të merret leja e ndërtimit. Shpresoj se ky problem do të rregullohet nga ministri Arban Abrashi. Presim që shumë shpejt ta kemi një takim me të dhe t’i shpalosim sfidat tona”, ka thënë ai.

Në këtë intervistë Berjani ka folur edh për cilësinë e derivateve të naftës dhe për çmimin e tyre. “Vlen ta theksoj se çmimet do të jenë deri në një euro. Për naftë çmimet pritet të jenë 0.99 centë, kurse për benzinë një euro”, është shprehur Berjani.

Sa i përket cilësisë së naftës, ai ka thënë se Kosova ka arritur që ta kontrollojë naftën deri në 70 për qind. “Ne si shoqatë kemi qenë zë i fuqishëm që kontrolli i cilësisë së naftës të bëhet në kufi dhe deri më tani Dogana e Kosovës ka arritur ta kontrollojë cilësinë deri në 70 për qind, por me këtë përqindje nuk jemi të kënaqur”, ka thënë Berjani.

Më Shumë

Lajmet e Fundit