7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Serbia t’i ftojë serbët për zgjedhje

Edita TahiriZëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka bërë me dije se dialogu për normalizim të marrëdhënieve e obligon Serbinë t’i ftojë serbët e veriut që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit në mënyrë sa më masive.
Tahiri në një prononcim për “Epokën e re” ka thënë se shteti serb duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm edhe në integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës dhe ta respektojnë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, e cila është arritur më 19 prill në Bruksel.

“Është obligim nga dialogu për normalizim që Serbia duhet t’i ftojë serbët që të marrin pjesë në zgjedhje. Meqenëse Serbia ka nënshkruar marrëveshjen për normalizim dhe zgjedhjet janë pjesë e asaj marrëveshje dihet se obligimi i Serbisë është t’i ftojë serbët që sa më masivisht të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka vlerësuar se në këtë marrëveshje parashihet që mbajtja e këtyre zgjedhjeve të bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës. Ajo i ka ftuar serbët t’i regjistrojnë subjektet e tyre politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Së pari ata duhet t’i regjistrojnë subjektet e tyre politike në KQZ, më pas t’i respektojnë edhe afatet e tjera që kanë të bëjnë me zgjedhje. Po ashtu, duhet të theksoj se KQZ-ja do të jetë organizatore e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, mirëpo edhe OSBE-ja do të ketë një rol lehtësues në katër komunat e pjesës veriore”, ka thënë ajo.

Në këtë kontekst, zëvendëskryeministrja ka shprehur besimin e saj se serbët e kësaj pjese janë bindur në përkushtimin e Qeverise së Kosovës për të vendosur rend dhe ligj në veri.

Në vazhdim ajo ka nënvizuar se në fazat e ardhshme pret edhe zbatimin e obligimeve të tjera të dialogut nga ana e Serbisë.

“Në bazë të planit për zbatim të arritur në Bruksel ka qenë një plan dinamik për mbylljen e stacioneve paralele të policisë. Serbia e ka realizuar këtë dhe më pas EULEX-i ka bërë verifikimin e mbylljeve dhe na i ka dërguar raportet. Kështu që, mund të konstatoj se ky është një zhvillim shumë pozitiv. Serbia në këto bisedime po tregon seriozitet në zbatimin e disa obligimeve”, ka deklaruar Tahiri.

Kurse sa i përket palës së Kosovës, ajo ka shtuar se vazhdimisht ka qenë konsekuente, serioze dhe do të vazhdojë të jetë e përkushtuar që të gjitha obligimet që dalin nga bisedimet për planin për zbatim t’i zbatojë me përkushtim. Ndër të tjera, ajo ka folur edhe për integrimin e serbëve në institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë.

“Tash është koha kur duhet të identifikohen këta persona dhe në bazë të procedurave dhe kritereve që ne i kemi paraqitur gjatë bisedimeve, kritere dhe procedura këto që përcaktohen me Ligjin për Policinë, për gjykatat dhe prokuroritë, atëherë duhet të fillojë faza e rekrutimit të tyre, në mënyrë që të ndodhë integrimi i plotë në këto fusha”, ka theksuar Tahiri.

Zëvendëskryeministrja ka treguar se në bisedimet e ardhshme pret që të bisedohet për zhbërjen e së ashtuquajturës ‘mbrojtja civile’ e cila vepron ilegalisht në pjesën veriore të vendit dhe për çarmatimin e personave të cilët kanë mbajtur armë në mënyrë ilegale.

“Kjo çështje është hapur për bisedime, por ende nuk kemi precizuar gjithë procesin e çarmatimit, prandaj në këtë moment jemi vetëm në fazën e diskutimeve. Në fazat e mëvonshme mund t’ju njoftoj më shumë se si është dakorduar procedura e çarmatimit”, është shprehur Tahiri, duke shtuar se në fushën e drejtësisë janë duke e pritur vendimin e palës serbe për t’i ndaluar pagat për njerëzit që kanë punuar në gjykatat dhe prokuroritë paralele, për çka janë pajtuar më herët.

Më Shumë

Tre ndeshje interesante luhen sot në Superligë, sytë te Ballkani dhe Drita

Tre ndeshje interesante do të zhvillohen sot, në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës në futboll. Sfida kryesore e ditës së shtune...

Prizren, arrestohen 2 persona sulmuan zyrtarët policorë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona në Prizren, pasi që ata kishin sulmuar zyrtarët policorë. Njëri nga të dyshuarit është dërguar...

Lajmet e Fundit