18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

SHBA-ja ia dorëzon Serbisë 66 automjete të blinduara Humvee

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar ushtrisë serbe 66 automjete të blinduara Humvee (HMMWV – High Mobility Multiopurpose Wheeled Vehicle), të blera përmes një kontrate tregtare me kompaninë amerikane “AM General”, raportoi “BBM”.

Sipas këtij mediumi, kjo është dërgesa e parë nga gjithsej 118 automjete të porositura.

Siç bëhet e ditur nga Ambasada amerikane në Serbi përmes një postimi në Instagram, automjetet ndodhen në kazermën në Pançevë dhe do të përdoren ndër të tjera edhe për qëllime të pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

“Këto nuk janë vetëm automjete amerikane, ky është standard i NATO-s. Kur shihni se me kë është vendosur ushtria serbe në misionet paqeruajtëse, ku partnerë në Liban janë Spanja dhe Italia dhe në Sinai është SHBA-ja, ajo që kemi të përbashkët është standardi i NATO-s. Posedimi i automjeteve të tilla i lejon Serbisë të jetë pjesë e çdo misioni paqeruajtës, të riorganizohet shpejt me partnerët e saj në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Më tej bëhet e ditur se kjo blerje do t’i mundësojë Serbisë jo vetëm që të jetë efektive në ruajtjen e paqes në botë, por edhe se është hapi i parë në arritjen e ndërveprimit me ushtrinë amerikane.

Siç raportohet, dërgesat e para të Humvee-ve të reja kanë filluar në fund të qershorit përmes aeroportit të Beogradit.

Në vitin 2012 dhe 2017, SHBA-ja i ka dhuruar ushtrisë serbe gjithsej 40 automjete të këtij lloji, dhe që atëherë ushtria i ka përdorur kryesisht në Brigadën Speciale të atëhershme (batalioni në Pançevë) dhe në Batalionin e 31-të të Këmbësorisë nga Zajeçari, pjesë e Brigadës së Tretë të Armatës Tokësore.

Sipas informacioneve, Serbia planifikon të blejë gjithsej 118 Humvee nga SHBA-ja, të cilët do të jenë të armatosur me materiale nga fabrikat e brendshme ushtarake. Është planifikuar që modelet e reja të pajisen me një mitraloz 12.7 mm ose një granatëhedhës automatik.

Humvee është një mjet luftarak shumëfunksional i blinduar, i cili përdoret nga shumë ushtri në botë dhe pothuajse të gjitha formacionet në Serbi. Për shkak të mbrojtjes relativisht të dobët të blinduar, Humvee përdoret kryesisht në njësi speciale ose ushtarako-policore, si dhe për pjesëmarrje në operacionet paqeruajtëse.

Automjete të tilla u përdorën për herë të parë në Serbi në kuadër të Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO) tashmë të shpërbërë, të Departamentit të Sigurisë së Shtetit, e cila i bleu ato në vitet ’90 të shekullit të kaluar.

 

Më Shumë

Aktorë me renome po e përcjellin Festivalin ‘PrizrenFest’

Me yjet ndërkombëtare si Marie Christine Barrault nga Franca, Pippo Delbono nga Italia, Fatemeh Motamed-Arya nga Irani, fituese e shumë çmimeve e shumë artistë...

Moti sot: Me diell dhe vranësira – temperaturat deri në 34 gradë

Për të hënën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku pritet kohë pas kohe të ketë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me...

Lajmet e Fundit