13.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Shkrimtarët më të kërkuar në Kosovë gjatë vitit 2015

Edhe pse raporti i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës thotë së numri i lexuesve në bibliotekat e vendit ka rënë për 4.8% edhe libraritë janë ende një referim kur duam ta dimë se sa lexohet dhe cilët shkrimtarë kërkohen më shumë.

Edon Zeneli, nga libraria “Buzuku” në Prishtinë, mendon se trendi botëror i leximit të librave informativ dhe publicistikë vlen edhe për lexuesin në Kosovë.

“Librat që shiten më së shumti në librarinë tonë janë libra publicistikë, të pasuara nga fiksioni në prozë, pra romanet dhe novelat, e më së paku siç pritet, poezia, meqë lexuesi i poezisë është specifik”, thotë Zeneli.

I pyetur nga KosovaLive se cilët kanë qenë titujt më të kërkuar gjatë këtij viti që lamë pas, Zeneli bën me dije se ndër shqiptarët ende lexohet shumë Ismail Kadare, por kërkohen edhe nobelistët e fundit të letërsisë, të cilët shtëpia e tyre botuese “Buzuku” i ka sjellë në shqip, Patrick Modiano e Svetlana Alexievich.

“Si gjithmonë, ndër më të kërkuarit është Ismail Kadare, pastaj kemi Roland Gjozën, Kasëm Trebeshinën, Artan Mullaj por edhe autorë të rinj si Albatros Rexha, Ndriçim Ademaj e Arbër Salihu. Nga autorët e huaj, prinë nobelistja e sapo shpallur Svetlana Alexievich, për të vazhduar me autorë si Milan Kundera, Patrick Modiano, Umberto Ecco etj”, tregon ai.

Se autorët Ismail Kadare e Dritëro Agolli vazhdojnë të lexohen nga shqiptarët thonë për KosovaLive edhe administratorët e faqes “Shtëpia e Librit”, që janë vazhdimit në kontakt me lexuesit, për sugjerimet, kritikat dhe opinionet rreth librave. Sipas tyre, nëse duhet veçuar disa libra që një pjesë e madhe e shoqërisë sonë i kanë lexuar ata janë “Prilli i thyer” nga Kadare dhe “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli.

Një shenjë e mirë që shprehia e leximit po kultivohet duket të jetë shitja në numër të konsiderueshëm e librave për fëmijë. Sipas Zenelit kjo është rrjedhojë e vetëdijesimit të prindërve të rinj.

“Autorë që janë më atraktivë dhe koherent shiten më shumë. Fjala bie, David Walliams dhe Mary Pope Osborne, janë dy autorë shumë të shitur, pastaj Jeronim Stilton, Luka Noveli, por pa lënë anash edhe autorë klasik të përshtatur për mosha të reja si Herman Melville, Zhyl Vern, Xhejn Ostin etj”, tregon ai.

Përkundër faktit se në raftet e shtëpive tona mund të këtë plotë libra, nuk mund të mohohet se të rinjtë po priren të lexojnë me shumë përmes platformave digjitale që i ofron teknologjia. Liza Jaha, studente dhe adhuruese e letërsisë thotë se për të, teknologjia është një mike e lexuesve dhe e librit.

“Kur e mendon se me pak kërkim mund të gjesh online librin që e ke kërkuar me muaj në libraritë e Prishtinës dhe ta lexosh kur e ku të duash, nuk mund të mendosh për teknologjinë si armike të librit, apo t’i rrish besnike asaj që quhet klasike. Madje kur marrim parasysh çmimet me të cilat shitën librat në Kosovë, e kushtet në të cilat jetojmë, librat që i gjejmë në internet janë dhurata e lehtësim për ne”, thotë Jaha, duke shtuar se për të e rëndësishme është të lexohet, pavarësisht formës.

Librarët deklarojnë se ndonëse përpiqen të sjellin sa më shumë botime edhe në gjuhën angleze, të pakët janë lexuesit që blejnë libra në anglisht, ndërsa lexuesit vazhdimisht ankohen për çështjen e përkthimit joadekuat të librave dhe vonesën deri sa ato vijnë në gjuhën shqipe. /KosovaLive

Më Shumë

Kiara Tito dhe Luiz Ejlli festojnë përvjetorin e parë të martesës si prindër

Kiara Tito dhe Luiz Ejlli festojnë sot përvjetorin e tyre të parë të martesës, por edhe me një status të veçantë, pasi pak ditë...

Kurti fton në darkë pune liderët e partive opozitare: Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj ende pa përgjigje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur t`i ul tensionet me opozitën. Ai i ka ftuar për të hënën në një darkë pune liderët...

Lajmet e Fundit