5 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Shkrimtari prizrenas Roland: Shkruaj për fëmijët, sepse ata prekin jetën

Shkrimtari prizrenas Roland Saphiu ka prezantuar së fundi para lexuesve dy libra të rinj. Bëhet fjalë për titujt “Përrallat e mëngjesit” dhe “Zbrazëti”. Në një intervistë për “Zërin” Spahiu shpalos më shumë rreth këtyre dy librave. Shkrimtari Roland Saphiu ka diplomuar për regji filmi dhe sociologji në Stamboll. Libri i tij i parë u titullua “Fluturat” dhe u botua në vitin 2013, kurse i dyti është “Gjenocidi i hirit”.

Së fundi keni botuar dy libra; “Përrallat e mëngjesit” dhe “Zbrazëti”, pse zgjodhët t’i prezantoni të dyja këto krijime në të njëjtën periudhë kohore?

Është çështje e personalitetit të librit. Thonë, të kesh personalitet do të thotë të kesh njohuri për çfarë duhet të thuash “po” dhe për çfarë të thuash “jo”. Librat “Zbrazëti” dhe “Përrallat e mëngjesit”, ndonëse janë botuar në të njëjtën kohë, gjërat e ndryshme i pranojnë ose i refuzojnë. Si shembull, libri “Zbrazëti” thotë “I ftohti, shumë i sinqertë”, ndërsa libri “Përrallat e mëngjesit” e trajton, nga syri i fëmijës, çfarë do të thotë të mos

ketë borë të parë të vitit në stinën e dimrit. Pra, të dy librat merren me gjëra të ndryshme. Kjo do të thotë që perceptimi linear i kohës për librin nuk ka rëndësi. Duhet parë esenca e librave.

 

Të lutem na fol më gjerësisht për secilën prej tyre.

Libri i titulluar “Përrallat e mëngjesit” shkruan për përrallat të cilat nuk përfundojnë natën. Titulli ka premisën që përrallat nuk duhen mbaruar natën dhe as gjatë jetës së një lexuesi. Përrallat duhet të na ndjekin gjatë jetës sonë. Secila përrallë në libër ka edhe një ilustrim më vete, të cilat i ka bërë Burçin Pervin Karamuço, një ilustratore dhe piktore e thellë. Në këtë libër trajtohet e drejta për ta përjetuar ëndrrën secili fëmijë, kritikohet robëria ndaj lojërave brenda telefonave të mençur, ritheksohet rëndësia e leximit, duke

ngritur analogji ndërmjet librit me yllin qiellor. Ka mesazhe didaktike për fëmijë nga natyra, e tillë si “i miri fiton, i keqi humb”. Në libër ka fabula, por personazhet nuk janë kafshët, në vend të tyre si personazhe na paraqiten era që fryn, bora që bie, zjarri që ngroh. Ndërsa libri “Zbrazëti” është një libër me mendime. Aty ka pyetje të ndryshme, të cilat mendoj që nuk duhet t`i anashkalojmë gjatë jetës sonë. Si, a mund të jemi të lumtur? Pra, jo a duhet, por a mund të jemi të lumtur? Në libër kritikohet sistemi kapitalist, duke thënë se ai është vetëm një mundësi për të qenë të lumtur, por asnjëherë lumturi, sepse, sipas librit, kapitalizimi e shfrenon instinktin e njeriut, duke e krahasuar me socializmin ku instinkti i shoqërisë mund të jetë i kontrolluar. Pra, deklarata ime është që socializmi ka arritur ta kontrollojë instinktin, ndërsa kapitalizmi nuk e ka arritur ta bëjë këtë me të gjitha ato norma që i ka brenda vetes. Kjo nuk do të thotë që supozoj që të kemi sistem socialist, por duhet të studiojmë se cili sistemi mund të jetë i përshtatshëm për ne. Mbase një i ri.

Kujt do t’i shërbejnë më së shumti këta dy libra?

“Përrallat e mëngjesit” është për të gjithë emrat e fëmijëve dhe për prindërit e tyre, sepse ëndrrat dhe problemet që kanë fëmijët u takojnë edhe prindërve. Por, kam parë që libri ka edhe lexues që janë të përkushtuar ndaj pastërtisë shpirtërore, pavarësisht moshës. Ndërsa libri “Zbrazëti” u është kushtuar atyre që nuk kanë frikë të fluturojnë, atyre të cilët nuk kanë frikë të habiten. Atyre që mendojnë, shkëmbejnë mendime dhe e ngrenë nivelin e diskursit në atë poetik.

Për herë të dytë po sillni një libër me aforizma dhe ese, a është ky zhanri që po ju përshtatet më shumë?

Jo. Aforizmi, më tepër se me zhanrin, ka të bëjë me edukimin dhe me arsimin. Unë besoj në rolin thelbësor të edukimit në shoqëri. Ndërsa një element i edukimit dhe i arsimit është “të mendosh”, në çka edhe na ndihmon aforizmi. Si parim e kam përmendjen e tyre me mendime të ndryshme. Pra, nuk mund të mos e them që duhet t`i kushtojmë rëndësi edukimit dhe arsimit. Ndërsa sa i përket zhanrit, jam i afektuar nga letërsia absurde.

Një lexues i kujdesshëm arrin ta vërejë lidhshmërinë tuaj me fëmijët. “Gjenocidi i hirtë” u frymëzua nga mbytja e fëmijëve dhe e njerëzve të pafajshëm gjithandej globit, kurse tani po prezantoni një libër me përralla për fëmijë. Si dhe pse ndodh kjo?

Për mua fëmijët janë gjëja më e pastër në botë. Me ata pushoj e shumë gjëra kuptoj nëpërmjet tyre. Ata janë të sinqertë, të pafajshëm. Mundohem të jem i kujdesshëm pranë tyre. Frikësohem të mos gaboj. Besoj tmerrësisht në bukurinë e botëve të fëmijëve. Ata e prekin jetën me një guxim që shpesh nuk e kanë të rriturit. Prandaj dëshiroj edhe të shkruaj për fëmijët.

Më Shumë

Emërime të reja në shëndetësinë primare në Dragash, kryetari Xheladini vendos për dy pozita drejtuese

Komuna e Dragashit ka njoftuar se kryetari Bexhet Xheladini ka emëruar dy zyrtarë në poste drejtuese në kuadër të institucioneve të shërbimit parësor shëndetësor. Sipas...

Aktakuzë ndaj 4 personave për narkotikë – Ishin nisur për në festivalin “Unum”, me dy automjete plot drogë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D.T., E.D., R.V., dhe P.S., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga data...

Lajmet e Fundit