Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur për aktgjykimin në rastin 173/22, me parashtrues Arben Gashi dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Gjykata ka vendosur njëzëri të shpallë kërkesën e pranueshme për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri Parimet e Përgjithshme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi fillimisht sqaron që ligji i kontestuar rregullon caktimin e masave të përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg dhe mënyrën e zbatimit të tyre ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik, në mënyrë që të eliminohen efektet e rritjes së çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg.
Rrjedhimisht, Gjykata gjithashtu konstatoi që neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me parimin e sigurisë juridike dhe sundimit të ligjit, të garantuara përmes paragrafit 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës.
Në fund, Aktgjykimi sqaron që kërkesa e parashtruesve të kërkesës është parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar. Në kontekst të praktikës së saj gjyqësore, siç është shtjelluar edhe në Aktgjykim, Gjykata vlerëson që marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.
Vendim i plotë: