Të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka dështuar të vazhdoj gjykimi ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, Ismet Mazreku, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Një gjë e tillë ndodhi pasi mungoi i akuzuari Mazreku, për të cilin mbrojtësi i tij, avokati Emrush Kastrati deklaroi se i mbrojturi i tij nuk është prezent në seancë për shkaqe shëndetësore, për çka trupit gjykues i dorëzoi edhe raporte mjekësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajten e seancës, gjyqtari Nikollë Komani e shtyu atë për 2 shtator 2019, në ora 10:00.
Ndryshe, në sallën e gjykimit prezent ishin edhe prokurori Ramiz Buzhala dhe dëshmitarët Agnez Furra dhe Muharrem Hoti.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422, paragrafi 2 pika 2.1 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi