26.7 C
Prizren
E premte, 27 Qershor, 2025

Si e zbuloi pastruesja mashtrimin milionësh të Hasanit në Kukës

Esma Muçaj, e punësuar si pastruese publike prej 22 vjetësh në Bashkinë e Kukësit, nuk ka asnjë lidhje me klubin e futbollit të qytetit.
Madje, asnjë ndeshje nuk ka parë në jetën e saj të varfër. Por për këtë lidhje ka menduar, ish-kryetari i Bashkisë së qytetit, Hasan Halili, i cili, nëpërmjet manovrare financiare, ka sponsorizuar sportin me paratë e rrogës së saj dhe të mbi 300 kolegëve të tjerë. Halili tashmë është shpallur person në kërkim, pasi Prokuroria e Kukësit e akuzon për shpërdorimin e detyrës me fondet publike.

Esmaja është larguar nga puna në nëntor 2015, pasi vendi i saj i punës u shkurtua. Në të drejtën e saj ligjore, ajo kërkon të paguhet me asistencë sociale. Në moshën 57-vjeçare ajo e ka të pamundur të sigurojë një punë tjetër dhe për këtë arsye mendon të marrë një pjesë nga kontributet që ka arkëtuar në administratën tatimore. Kërkesa e saj ka marrë një përgjigje absurde. Nuk mund të përfitojë, pasi nuk ka kontribuuar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore gjatë 4 viteve të fundit. Esmaja, e pamësuar me shakatë administrative, kërkon të drejtën e saj tek kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, i zgjedhur vetëm pak muaj më parë në këtë detyrë, në qershor 2015. Pastruesja Esma ishte një ndër të paktën 10 ish-punonjës të Bashkisë së qytetit verior që prezantonte këtë shqetësim në administratën e re lokale.

Bashkia e Kukësit, në periudhën tetor-nëntor 2015 ushtron audit të brendshëm mbi mënyrën e shpenzimit të fondeve publike nga ish-paraardhësi i tij, Hasan Halili dhe shkeljet e konstatuara, të shumta në numër, i referon në Prokurorinë e qytetit.

Gjatë veprimeve hetimore, prokurorët arritën të evidentonin shkeljet e kryera nga të paktën 4 ish-zyrtarë të lartë lokalë të Kukësit, me një dëm që llogaritet në rreth 45 milionë lekë të reja.

Të martën e datës 24.05.2016, gjykata e Kukësit vendosi për arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë, si edhe tre ish-drejtuesve të tjerë në këtë institucion dhe në administratën tatimore, pasi dyshohet se kanë devijuar fondet e sigurimeve shoqërore të punonjësve, në drejtim të sponsorizimit të ekipit të futbollit të Kukësit.

“Boldnews.al” ka mësuar disa prej shkeljeve të konstatuara nga Prokuroria e Kukësit, në bazë të të cilave ka urdhëruar arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë, Hasan Halili. Ky i fundit, pas dy mandateve si përfaqësues i Partisë Demokratike, në zgjedhjet lokale të vitit 2015 ndryshoi ngjyrë, duke iu bashkuar aleancës së majtë. Në garën elektorale ai u shpall humbës dhe prej aty nisën problemet e tij ligjore.

Prokuroria e Kukësit ka vënë në dispozicion, me kërkesë të “Boldnews.al” rezultatet e saj në mënyrë kronologjike, mbi shkeljet e konstatuara gjatë hetimit disa mujor.

Sipas dokumentacionit sekuestruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se më datë 08.09.2011është regjistruar si person i tatueshëm “FUTBOLL KLUB KUKESI –Sha”, me ortak R. G., F. H., S. Gj. dhe Bashkia Kukës .Aktualisht aksionerë të kësaj shoqërie rezulton shtetasi L. Gj. me 87.5 % të aksioneve dhe 12.5 % Bashkia Kukës.
– Nga dokumentacioni i administruar në Degën e Thesarit, rezulton se nga Bashkia Kukës janë kryer sponsorizime për llogari të klubit të futbollit të qytetit në 4 vite radhazi, 2011-2015. Më konkretisht, Bashkia Kukës ka kaluar në llogarinë e klubit sportiv 2 herë 5 milionë lekë për vitet 2011 dhe 2012. Në vitin 2013, shuma e sponsorizimit është rritur me trefish-15 milionë lekë. Në vitin 2014, Bashkia e Kukësit ka vijuar sjelljen bujare ndaj sportit, duke i dhuruar 10 milionë lekë. Dhe, vetëm pak ditë para se të largohej nga zyra e Bashkisë, në vitin 2015, ish-kryetari ka sponsorizuar edhe 6 milionë lekë të tjera.

Paralelisht me këto sponsorizime, Bashkia Kukës shtonte borxhin ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për shkak se nuk kryente pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për mbi 300 punonjës të strukturave në varësi të institucionit.
Hetimi i Prokurorisë së Kukësit ka konstatuar se shuma e parave që bashkia ka sponsorizuar për ekipin e futbollit të qytetit, është thuajse e njëjtë me shumat e papaguara për kontributet e punojësve.

Prokurorët kanë krijuar bindjen se paratë e punonjësve kanë shkuar për lojtarët e ekipit, të cilët luajnë në kategorinë superiore të futbollit shqiptar. Kuksianët e duan ekipin e tyre dhe e kanë mbështetur fuqishëm. Por manovrat financiare të ish-kryetarit të Bashkisë, të cilat kanë goditur drejtëpërdrejtë xhepat e më shumë se 300 banorëve të Kukësit, mund të ndërlikojnë raportet e tifozëve me lojtarët e ekipit, të cilët për herë të parë, vetëm para 3 ditësh, fituan një kompeticion të rëndësishëm futbollistik në vend, Kupën e Shqipërisë. /BoldNews

Më Shumë

Goditje ndaj kriminalitetit në Prizren/ Prokuroria ngre aktakuza dhe kërkon paraburgime për disa të dyshuar

Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit të Përgjithshëm, ka ndërmarrë një sërë veprimesh ligjore në kuadër të hetimeve dhe ndjekjeve penale të iniciuara gjatë...

Globoqica me ndriçim publik – Komuna e Dragashit përmbush edhe një premtim

Fshati Globoqicë tashmë ka ndriçim publik funksional, pas përfundimit të projektit të realizuar nga Komuna e Dragashit, raporton Prizren Press. Ky investim pritet të përmirësojë...

Lajmet e Fundit