0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si u përzu Martin Camaj nga mbledhja e shkrimtarëve të Kosovës

Martin-Camaj-252x320Martin Camaj shkonte shpesh në Kosovë gjatë viteve kur studionte në Beograd. I lidhur me një grup të rinjsh nga Kosova që studionin letërsi në Beograd, dhe i ndaluar të vinte në Shqipëri për shkak të arratisjes, ai gjente një copë tjetër atdheu në Prishtinë. Por ndërsa u nis me aq dëshirë për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të shkrimtarëve të Kosovës në vitet ‘50, ai nuk mund të merrte pjesë. Në kujtimet e tij, gazetari dhe shkrimtari Ramiz Kelmendi e kujton këtë episod, i cili i ka mbetur ende në mendje.

“Nuk e mbaj mend as vitin e jo më muajin, a ditën, kur u mbajt e para Mbledhje e Letrarëve të Kosovës në sallën e epërme të kinemasë ‘Rinia’, në Prishtinë. Më duket se ‘organizata jonë letrare’ zyrtarisht quhej ‘Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës’, në të cilin merrnin pjesë jo vetëm shkrimtarët shqiptarë, por edhe serbë, malazezë dhe turqit”, shkruan ai në librin “Nga ditari im”.

A jo çfarë atij i kujtohet nga kjo ngjarje e që nuk do ta harrojë asnjëherë, është e papritura që ndodhi.

Ramiz Kelmendi

“Ma thotë mendja do të ketë qenë ditë e diel, një ditë e bukur me diell dhe një atmosferë solemne, thuajse festive. Të gjithë ishin veshur me rrobat më të mira dhe seç u reflektohej një shprehje hareje në fytyrë. Epo nuk ishte punë e vogël kjo të mbahej solemnisht, zyrtarisht dhe në nivel shtetëror Kuvendi i Parë i Shkrimtarëve të Kosovës. Por ajo që nuk harroj kurrë edhe sot, sigurisht, mbi gjysmëshekulli, është skandali i paparë që na ndodhi në hyrje të sallës’, kujton Kelmendi.

Atij dhe Martin Camajt do t’u komunikohej se e kishin të ndaluar rreptësisht të merrnin pjesë në këtë mbledhje. Emrat e dy letrarëve ishin fshirë nga lista dhe nuk u lejohej hyrja. Camaj në ato kohë ishte ndër poetët më të njohur. Kishte ikur nga Shqipëria dhe studionte në Beograd bashkë me Kelmendin dhe një grup tjetër letrarësh nga Kosova. Ishin vitet ‘50 dhe pjesëmarrja e Camajt në këtë takim letrarësh në Kosovë duhet të ishte një surprizë. Brenda në takim si i ftuar i nderit ishte shkrimtari serb, Dobriça Qosiq, i cili një vit më pas do të merrte postin e kreut të Jugosllavisë.

“Pasi ndenjëm pak në oborr, erdhi koha të niste mbledhja. Unë kisha përkrah Martinin dhe sapo u drejtuam nga hyrja na u drejtua Vehap Shita, i cili në atë kohë ishte sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me shumë ngurrim dhe një shprehje keqardhjeje, na ndali dhe na tha, përafërsisht se i kanë dhënë një detyrë shumë të rëndë, që pikërisht ai duhet të na komunikojë se emrat e Martin Camajt dhe Ramiz Kelmendit janë fshirë nga lista e pjesëmarrësve në Kuvendin e Parë të Letrarëve të Kosovës. U stepëm, por jo vetëm ne, por edhe Vehapi”, kujton Kelmendi.

Ata nuk morën asnjëherë shpjegim për këtë ngjarje. Martini u kthye në Beograd, ndërsa ai në shtëpinë e tij në Prishtinë. Por kjo ndodhi e trishtë do ta shoqëronte gjatë mendjen e Ramiz Kelmendit, i cili nis të dyshojë dhe te miku i tij, gazetari Vehap Shita, derisa një ditë vendos t’i shkruajë një letër.

Komunikimi që dy personazhet e njohura të medias dhe letërsisë kosovare patën në atë periudhë, po i botojmë më poshtë me shkurtime. Ato janë një rrëfim për Kosovën e atyre viteve dhe mënyrës sesi kanë funksionuar artistët në ish-Jugosllavi.

Letrat:

Letra e Ramizit drejtuar Vehap Shitës
“Një miqësi, e paskam menduar unë gabimisht na lidh ndër vite. Ca shenja, kohëve të fundit, kur është fjala për mua, më shtyjnë të habitem… Sjellja jote beso më ktheu dhjetë vjet prapa, pikërisht në atë kohë kur u mbajt e para mbledhje e letrarëve të Kosovës, dhe në listën e të ftuarve nuk gjendesha unë…
Mosbesimi yt të më lësh të shikoj librat e falura, që fundi, e di ti shumë mirë!, nuk ti ndala unë ty kurrë të miat, asnjëherë. A thua a guxoj t’i jap, a mos më gjen gjë, e… të mos e zgjas, jo vetëm më habitën por edhe shumë më fyen. Mund të them vetëm një fjalë: të falemderës.
Ja, po ti kthej menjëherë bashkë me revistën që nuk më nevojitet tash sa muaj, sepse e kam kopjuar pjesën që më interesonte. I befasuar dhe i stërprekur, Ramizi.”/Shqip/

Më Shumë

Moti sot i vranët por me intervale me diell

Sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët por do të ketë intervale me diell. “Mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat...

Gjashtë aktivistë të PDK-së kalojnë në Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka njoftuar për kalimin e gjashtë aktivistëve nga nëndega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Arbanas në radhët e...

Lajmet e Fundit