-1 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Si tingëllon shqipja në televizionet tona?

Nga  Adelina XHAFERI

Gjuha si element, bartet (trashëgohet) nga një brez në brezin tjetër me të gjitha dukuritë e natyrës së saj, të cilat mund të shihen nga këndvështrime të ndryshme gjuhësore, edhe atë: këndvështrimi fonetik, ai gramatikor (morfologjia dhe sintaksa), si dhe këndvështrimi leksikor. Baza të saj themelore janë morfologjia dhe sintaksa, normat e të cilave duhet të respektohen nga çdo folës pavarësisht gjithçkaje, ngase pasuria e një gjuhe shihet edhe në normat e saj. Ato si fusha kryesore, përbëjnë palcën e gjuhës, normat e të cilave duhet të respektohen mbi të gjitha nga folësit e gjuhës amtare, të cilët njëherë para të tjerëve jo vetëm se shprehin një larmi të madhe fjalësh, por japin edhe një pasqyrë të drejtë për zotërimin e së njëjtës.

Nevoja e njeriut që të komunikonte me të tjerët në mënyrë më të lehtë dhe njëherë të ishte edhe i kuptueshëm, bëri që të lindte gjuha dhe me të, të zëvendësoheshin shenjat, mimika dhe format tjera më të hershme të komunikimit njerëzor. Kjo nuk e mohon faktin se gjuha si dukuri shoqërore nuk e ndoqi njeriun që nga zbritja e tij në tokë, por jep mendimin se më vonë, pasi që u ndie nevoja në fjalë, u pasuruan edhe tingujt e paktë të cilët njeriu në të kaluarën mundej t’i realizonte dhe t’i nyjëtonte drejtë.

Të shumtë ishin gjuhëtarët vendas dhe të huaj të cilët dhanë ndihma të mëdha në lidhje me çështjen gjuhësore, ndihmat e të cilëve u morën parasysh jo vetëm në hartimin e veprave të shkruara, por edhe në krijimin e normave të shumta e të qëndrueshme drejtshkrimore (varësisht nga gjuha dhe madhësia e saj).

Po të ndalemi vetëm në çështjen e normave drejtshkrimore të shqipes, shohim se për të arritje e madhe ishte mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit (nga 20 deri 25 nëntor 1972) në Tiranë, kongres në të cilin morën pjesë gjuhëtarë e letrarë të shumtë, si: A. Kostallari, M. Domi, E. Çabej, I. Ajeti, Dh. Shuteriqi, R. Qosja, Sh. Demiraj, R. Nesimi, J. Gjinari, A. Dodi, B. Beci, Dh. Samara, J. Xoxa, I. Kadare, J. Thomaj, J. Bulo, L. Poradeci, P. Janura, S. Spasse, T. Osmani etj. Pjesëmarrësit e kongresit në fjalë vendosën që normat e drejtshkrimit të njësuar të shqipes të shihnin edhe prirjet kryesore të zhvillimit të saj të mëtejshëm dhe jo të ndaleshin vetëm në gjendjen e sotme të gjuhës sonë letrare. Ata, norma drejtshkrimore i parapanë brenda vetë sistemit të tyre tërësor dhe në lidhje të ngushtë me sistemin fonetik, morfologjik e fjalëformues.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe thirri shkollat shqiptare (vatrat themelore për formimin gjuhësor të brezave të rinj), institucionet e teksteve shkollore, shkrimtarët shqiptarë, institucionet botuese, entet shtetërore, organizatat shoqërore, institucionet e shkencës e të kulturës, radiot, televizionet dhe institucionet shkencore-arsimore që t’i zbatonin rregullat/normat e drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit, në mënyrë që të ndihmonin përhapjen dhe ngulitjen e tyre në çdo folës të shqipes si gjuhë. Po sot, ç’bëhet me këto norma?

Duke pasur parasysh faktin se sot numri i televizioneve (shtetërore e private) është relativisht i madh, e kemi të qartë se jo të gjithë nga to mund që t’i respektojnë dhe t’u përmbahen në çdo pikë normave drejtshkrimore të shqipes, të krijuar 47 vjet më parë. Është e hidhur kjo që themi, por secili nga to duhet të përpiqet më tepër, në mënyrë që para dëgjuesve dhe teleshikuesve, lajmet të shkruhen dhe të shqiptohen në mënyrë të drejtë.

Çdo gazetar duhet të jetë i vetëdijshëm për atë që e thotë dhe në mesin fjalëve të lajmeve të ditës të mos përdorë fjalë të huaja, por në vend të tyre të përdorë fjalë shqipe, të cilat janë të trashëguara nga ilirishtja dhe si të tilla mund të përdoren edhe sot si një trashëgimi jona më e çmuar. Assesi nuk duhet lejuar që në fondin e fjalëve tona, të cilat përveç bukurtingëllimit janë dhe shumëkuptimëshe, të hyjnë fjalë të huaja, ngase duke vepruar në mënyrë të tillë nuk dukemi as ,,më modernë’’ e as ,,më evropianë’’, por krijojmë përshtypje te të tjerët se gjuha jonë nuk është e aftë që të shprehë me fjalë të veta dukuri të caktuara ose nuk është e “zonja” që veprimet e ndryshme të njerëzve t’i emërtojë me fjalë të burimit shqip, pra të burimit autokton.

Televizionet tona në ditët e sotme nuk mbajnë shumë llogari për drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e fjalëve shqipe. E rëndësishme për to është informimi i të tjerëve me lajmet e fundit nga vendi ose nga vendet tjera të botës, dhe jo mënyra se si do t’i japin dhe si do t’i shkruajnë ato. Lëshimet më të mëdha shihen në emërtimin e veprimit, pra tek e ashtuquajtura folje, pjesa e ndryshueshme e ligjëratës (objekt studimi i morfologjisë), e cila ndonëse ka tri kohë themelore (e tashme, e ardhme dhe e shkuar) dhe gjashtë mënyra (mënyra dëftore, lidhore, habitore, kushtore, dëshirore dhe urdhërore), shohim se për të njëjtën ka filluar të zbehet mënyra dëshirore dhe pothuajse fare të mos përdoren nënndarjet e kohës së shkuar të foljes (si: koha e kryer e thjeshtë, e pakryera, e kryera, më se e kryera dhe e kryera e tejshkuar), të cilat veprimin e paraqesin jo vetëm si të kryer në një kohë të afërt, por edhe më të largët.

Pra dëgjojmë në televizione emërtime të këtilla veprimesh: nuk i ka komentuar, e ka uruar, ka filluar, ka marrë, ka shprehur, ka djegur, ka njoftuar, kur lajmi ka të bëjë me të kryerën e thjeshtë, ndërsa ato jepen në kohën e kryer, e cila dimë se veprimin e paraqet më të largët. Në vend të tyre duhen të përdoren format: nuk i komentoi, e uroi, filloi, mori, shprehu, dogji, njoftoi.

Tingëllime të padrejta shihen edhe në mos përshtatjen e emrit me pjesët tjera të ligjëratës (mbiemrat, përemrat, numërorët, ndajfoljet), si për shembull: partitë të cilët (për, partitë të cilat), qëndrimet paraqet (për, qëndrimet paraqesin), parimet me të cilët (për, parimet me të cilat), dhjetë vitet (për, dhjetë vjetët) etj. Përveç këtyre rasteve, shqetësime të mëdha për gjuhëtarët tanë paraqesin edhe rastet tjera, të cilat në lajmet e televizioneve tona jepen me emërtime të huaja, të cilat përveç paqartësive shkaktojnë edhe dyshime të natyrave të ndryshme.

Atë të cilin e dëgjojmë çdo ditë është togfjalëshi “Bashkimi Europian”, fjala e dytë e të cilit thuhet/shkruhet në formë të gabuar, ngase në vend të tij duhet të jepet termi “Evropian”, i cili njëherë është term më i vjetër e me përdorim më të drejtë. Njëjtë ndodh edhe me togfjalëshin “asistencë sociale”, për të cilin duhet të përdoret togfjalëshi shqip, “ndihmë shoqërore”. Me formë të gabuar përdoret edhe togfjalëshi “Komiteti i Helsinkut”, për të cilin duhet të thuhet “Komiteti i Helsinkit”. Gjithashtu në vend të togfjalëshit “sallë sportive”, fjalën e dytë të të cilit gjithmonë e dëgjojmë me një cilësi prapa, duhet të përdoret forma “sallë sporti”, ngase një cilësi e tillë nuk mund të përdoret për togfjalëshin në fjalë.

Gazetarët duhet që të jenë të kujdesshëm sidomos në përdorimin e fjalëve të huaja, si: afat, akoma, skadencë, import, fokus, detaj, reagens, prezencë, total, bazohet, inicim, president, mazhorancë, komunitet, trajner, raund, union, katedralja, aksi, prononcim, kauzë, influencë, inerci, kualitet, balancim, progres, rezolutë, agjencioni, komunikatë, pozita, dikasteri/departamenti etj.

Në vend të këtyre fjalëve duhet t’i përdorin fjalët shqipe, si: kohë, ende, kalim, bartje, vëmendje, hollësi, agjent, pjesëmarrje, gjithsej, mbështetet, nxitje, kryetar, shumicë, komunitet-bashkësi, stërvitës, rreth, lidhje, kryekisha, bosht, shprehja, çështje, ndikim, plogështi, cilësi, baraspeshë, rritje, vendim, agjencia, kumtesë, pushteti, dega etj. Përdorim të drejtë duhet të ketë edhe emri i gazetës greke “Kathimerini”, të cilën gjithmonë e dëgjojmë me formën e gabuar “Katimerini”, ngase shqipja ka edhe shkronjën th, dhe ajo duhet të përdoret.

Ajo që tingëllon më keq në veshin e dëgjuesve të lajmeve është shqiptimi i gabuar i fjalëve: vend, mend, kuvend, të cilat nga gazetarët tanë përpara ekraneve televizive thuhen në formën e gabuar: vënd, mënd, kuvënd, ngase drejtshkrimi i shqipes këto fjalë i parasheh që të shkruhen me zanoren e. Gjithë kjo dimë se vjen si pasojë e ndikimit që kanë televizionet tona nga ato të vendeve tjera fqinje, të cilat njëjtë i bëjnë gabimet në fjalë.

Jo vetëm televizioni, por edhe masmediat tjera (radio, gazeta, revista etj) duhet të kujdesen për normat drejtshkrimore e drejtshqiptimore të shqipes, të njëjtat t’i vënë në përdorim të duhur, të flakin tutje fjalët e huaja dhe ta çojnë në vend amanetin e Konicës që kalanë e shqipes ta ndërtojnë me fjalë shqipe, sepse vetëm në mënyrë të tillë ajo do të jetë e qëndrueshme edhe për brezat e mëtejshëm.

Më Shumë

Biblioteka e Prizrenit kremtoi jubileun e 80-të

Të premten, me një manifestim kulturor, është shënuar jubileu i 80-të i themelimit të Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit. Kjo bibliotekë, më e vjetra në...

Mot i vranët dhe me shi

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu. IHK njofton se temperaturat minimale...

Lajmet e Fundit