13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Sinjalizimi nga Moska: Mehmet Shehu kërkon likuidojë Enverin…

 “Mehmet Shehu është karrierist e provokator, kërkon të likuidojë Enverin e të marrë pushtetin”. Në pak rreshta e me një shkrim të kujdesshëm, Sokrat Bufi, njëri nga studentët shqiptar të Akademisë Politike të Moskës, sinjalizonte në mesin e vitit ‘53 kreun e Partisë për rrezikun e një puçi nga ministri i Brendshëm.

 

Denoncimi i pazakontë e gjente lidershipin e Tiranës në vorbullën e pështjellimit të shkaktuar nga dy ngjarje të papritura: Vdekja e Stalinit dhe arrestimi i Beries, kreut të Policisë Sekrete të BS dhe krahut të djathtë të tij. I gjunjëzuar nga humbja e “babait” ideologjik, Enver Hoxha kishte mbetur i befasuar me lajmin pasues që vinte nga Kremlini. Arrestimi dhe ekzekutimi i rrufeshëm i shefit të KGB-së fill pas vdekjes së Stalinit, për një puç të mbetur në tentativë, në psikikën e Enver Hoxhës, të fiksuar nga paranoja e eliminimit, merrte një domethënie ndjellakeqe. Arsyet ishin nga më bindëset. Ai më besniku i kreut të Kremlinit, dora e fortë që kishte spastruar armiqtë e tradhtarët e kauzës së socializmit në BRSS, një moment kishte tentuar të likuidonte edhe vet Stalinin, madje, flitej se kishte gisht në helmimin e tij. Ky për Hoxhën nuk ishte një lajm i zakonshëm, qoftë edhe si ai për vdekjen e babit të Kremlinit.

Beria i tmerrshëm i Partisë Komuniste të BS mund të ringjallej në variantin shqiptar, e kjo mund t’i kushtonte jo thjesht pushtetin, por edhe kokën! Vetëm pak vite më parë, Hoxha kishte qenë në zgrip të rrëzimit, por manovra e Koci Xoxes, njeriut që i besoi portofolin e ministrit të Brendshëm pas luftës dhe doli i pabesë, kishte dështuar që në gjenezë. Mirëpo, nuk qenkej e thënë që me zhdukjen e Xoxes të zhdukej një herë e mirë edhe precedenti i komplotit nëpërmjet Policisë Sekrete. Paranoja e Hoxhës në këtë rast kishte arsye t’i kapërcente kufijtë e zakonshëm. Pikërisht në këtë peri udhë, letra e Bufit me sinjalin tmerrues për një puç të fshehtë nga kreu i Sigurimit, e bënte edhe më drithëruese gjendjen e Hoxhës. Përtej sfondit që ofronte realiteti në Moskën e largët, mesazhi i mbërritur prej andej, jo vetëm nuk mund të ishte një përçartje e studentit që kishte guxuar t’i shkruante Enverit, por duhej vlerësuar për t’i paraprirë çdo rreziku të mundshëm, qoftë edhe duke i prerë kokën puçistit të dyshuar. Në fakt, mënyra si operoi Hoxha në këtë rast me lajmëtarin dhe objektin e denoncuar prej tij, është një histori sa e çuditshme aq dhe misterioze, e cila nuk u zbardh kurrë. Emri i Bufit dhe teksti i letrës adresuar nga Moska për Hoxhën nuk u përmend asnjëherë, qoftë edhe në qarqet e larta të nomenklaturës.

Çuditërisht, ajo u shfaq publikisht, madje vetëm në vitin 1982, në të famshmen “tabllo sinoptike” që Hoxha artikuloi gjerësisht mbi veprimtarinë tradhtare të poliagjentit Mehmet Shehu. Me sa dukej, kreut të Partisë i duhej edhe një argument më shumë për të mbushur mendjet e të tjerëve me paudhësitë dhe veprën armiqësore të Shehut. Po kush ishte Sokrat Bufi dhe në çfarë rrethanash denoncoi komplotin e madh? Si operoi Hoxha me letrën e mbërritur nga Moska dhe pse e konservoi historinë e saj për tri dekada? Cili ishte reagimi i Shehut për përmbajtjen e dokumentit sekret dhe si u zgjidh debati i nxehtë i vjeshtës 1953? Këto dhe një sërë dilemash të tjera zbulohen për herë të parë nëpërmjet investigimit që gazeta “Panorama” ka bërë për ngjarjen që tronditi Komitetin Qendror në vjeshtën e vitit ‘53…

DENONCIMI I BUFIT

Unë e kam njohur shokun Mehmet gjatë luftës në një mbledhje të Këshillit Nacionalçlirimtar të Hekalit, ku foli qartë dhe më bëri përshtypje të mirë. Edhe gjatë gjithë kohës së luftës kam pasur simpati për të si luftëtar i mirë i Partisë. Kur jam kthyer nga BS, ku isha delegat i delegacionit bujqësor, kam lexuar kryeartikullin e “Zërit të Popullit” mbi ditëlindjen e komandantit të shkruar nga shoku Mehmet Shehu dhe nuk më la përshtypje të mirë, sepse në të nuk delte mirë roli dhe puna e komandantit në drejtimin e Partisë dhe të popullit tonë. Po kështu, letra e komandantit për cilësimin e kulakëve punuar nga shoku Mehmet me kryetarët dhe nënkryetarët e komiteteve ekzekutive të rretheve shkaktoi likuidimin e kulakëve para kohe me metoda policore. Orientimi i dhënë nga shoku Mehmet që seksionet e Bujqësisë pranë komiteteve të Partisë të mbajnë evidenca të veçanta për armiqtë, mua nuk më duket i drejtë. Orientimi i Mehmetit që të mbahen lista për elementët armiq (këtu përfshinte edhe fshatarë të varfër e të mesëm) është një qëndrim shumë sektar dhe ka dëmtuar rëndë vijën e Partisë në lidhje me fshatin.

Shoku Mehmet nuk ka pasur besim për punën tonë. Këtë e lidh me faktin se shoku Mehmet na kërkoi një më një karakteristikat e kulakëve dhe njerëzve që nuk kanë triskë fronti. Unë mendoj se udhëheqësi i Partisë, aq më tepër sekretari i KQ, jep vijën të cilën duhet ta zbatojnë kuadrot poshtë. Por që të kërkohen një më një listat e kulakëve, kjo do të thotë të vësh në dyshim njerëzit që drejtojnë poshtë. Këtë e lidh edhe me inaugurimin e uzinës së zhveshjes së pambukut në Fier, ku për ardhjen e komandantit e mora vesh vetëm mbrëmjen e ditës së inaugurimit nga nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Sulo Alija. Vendimet e Plenumit IX të KQ i kam punuar dhe më kanë ndihmuar për luftën kundër armikut të klasës, por shkarkimin e shokut Tuk Jakova si anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar për kuadrin në veten time e kam quajtur të padrejtë. Unë kam konstatuar se shoku Mehmet, si anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ, ka punuar keq. Me këtë përshtypje kam shkuar në BS.

Ku u zhvilluan punimet e Kongresit XIX të PKBS, unë në bazë të këtyre materialeve kam denoncuar si provokacion shprehjet e shokut Mehmet në lidhje me BS. Kur erdhi rezolucioni i Plenumit VII të KQ, unë thashë se këtë nuk e ka shkruar komandanti. Për këtë u influencova edhe nga thënia e shokut Ramiz, i cili më tha se mundet të mos e ketë bërë komandanti. Dhe për më tepër, për mendimin që kisha për shokun Mehmet, si një njeri që do t’i zërë vendin komandantit. Pas zbulimit të tradhtisë së Beries në lidhje me shfaqjet e organeve të punëve të brendshme mbi partinë, ka pasur edhe te ne shfaqje të tilla. P.sh., urdhri që u është dhënë organeve të Brendshme që përveç shokut Mehmet, pa lejen e Degës së Brendshme asnjë nuk lejohet të hyjë në objektet e reja, bile për të siguruar besnikërinë e njerëzve që punojnë në këto ndërmarrje duhet të merret aprovimi i Degës së Brendshme para se të merret në punë. Edhe tashti në uzinën e zhveshjes së pambukut në Fier, sipas thënieve të sekretarit të Partisë, ka raste që për njerëzit që do të merren në punë në uzinë duhet të merret aprovimi i Degës së Brendshme…

Si lindi çështja “Bufi”

Ka qenë vera e vitit 1953, kur në adresë të Enver Hoxhës mbërriti një letër e çuditshme nga Moska. Autori i saj, Sokrat Bufi, njëri ndër studentët shqiptarë të Shkollës së lartë të Partisë në Bashkimin Sovjetik, me kurajën e komunistit vigjilent, informonte komandantin për një ngjarje tronditëse: Mehmet Shehu po përgatit likuidimin e Sekretarit të Parë! Në shtjellim të provave për puçin e mundshëm, Bufi rreshtonte një sërë faktesh që zbulojnë sipas tij tradhtinë e ministrit të Brendshëm. Shehu është karrierist e provokator, shkruan ai, dhe punon për të vënë organet e Sigurimit mbi Partinë. Madje nuk ngurron ta krahasojë atë me Berien, ish-kreun e KGB-së, të ekzekutuar menjëherë pas vdekjes së Stalinit si agjent i imperializmit. Sinjali ishte i fortë e tronditës. Enver Hoxha nuk kishte arsye ta vinte në diskutim vërtetësinë e tij.

Fillimisht kërkoi të njihej me biografinë e autorit të letrës dhe urdhëroi kthimin e menjëhershëm të tij në Shqipëri. Që këtej, çështja “Bufi” u bë makthi i kupolës së Partisë. Shqyrtimi i saj nisi rrufeshëm. Sipas skemës së Hoxhës, Bufi u përball së pari me Manush Myftiun, sekretarin e KQ për propagandën. Para tij, letërshkruesi shpalosi një për një ato që kishte shkruar në Moskë, duke shpërfillur hapur këshillën për autokritikë. Të njëjtën gjë përsëriti në takimin me Enverin. Po kështu edhe në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të thirrur enkas për të. Çështja “Bufi” më tej u shqyrtua në Byronë Politike dhe në një plenum të veçantë të KQ. Tanimë presioni u bë edhe më i ashpër. Iu përmend aty martesa e të motrës me një shtetas jugosllav dhe përjashtimi i të vëllait nga Partia. Po Bufi nuk lëvizi asnjë presje nga denoncimi për Mehmet Shehun, madje as në praninë e këtij të fundit. Nga gjithë aksioni kundër tij u përftua vetëm një autokritikë e përgjithshme për të qenë më i kujdesshëm në vlerësimin e drejtuesve të Partisë. Sidoqoftë, çështja Bufi mbeti angazhimi kryesor i KQ gjatë tërë ditëve të tetorit 1953./ Panorama.al

Më Shumë

Krasniqi në 25 vjetorin e masakrave në Rahovec: Sot dhe gjithmonë, i kujtojmë me nderim dhe respekt ata që u flijuan për këtë ideal

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përkujtuar masakrat në fshatrat e Rahovecit, ku mbeten të vrarë 68 civilë në Fortesë, 75...

Kompletohet grupi i Kosovës në Ligën e Kombeve

Lituania e ka mposhtur Gjibraltarin me rezultat 2-0, nga dy ndeshjet në kuadër të playoff-it të Ligës së Kombeve. Kështu lituanët do t’i bashkohen Kosovës...

Dhimbja

Lajmet e Fundit