Pas daljes në shesh të aferave për korrupsion brenda EULEX-it, shefi i këtij misioni, Gabriele Meucci, është zotur për hetime profesionale dhe gjykime të drejta.
Në një shkrim autorial dërguar medieve, Meucci ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që edhe më tutje të vazhdojnë të besojnë në angazhimin dhe punën e EULEX-it. “EULEX-i i merr pohimet seriozisht. Ne kemi politikë të zero tolerancës ndaj korrupsionit dhe unë e konfirmoj përkushtimin tim personal që ta zbatoj këtë politikë në mënyrë konsekuente. Të jeni të sigurt se kur të përfundojnë hetimet, EULEX-i nuk do t’u bëjë bisht obligimeve të tij për të ndjekur çfarëdo veprimesh gjyqësore, të cilat përcaktohen nga hetimet si të përshtatshme dhe të domosdoshme. Të gjitha gjërat që i presim nga të tjerët, i zbatojmë edhe për vete”, ka shkruar Meucci.
Por, njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, ka thënë për “Epokën e re” se qytetarët e Kosovës më nuk mund të besojnë në EULEX-in për shkak se ky mision është zhytur thellë në korrupsion, edhe pse mandati i tij ka qenë luftimi i kësaj dukurie në Kosovë. “Dalja në shesh e aferës për korrupsion brenda EULEX-it është një hendikep i rëndë për punën e këtij misioni. Një mision që është dashur të jetë në ndihmë të institucioneve të Kosovës në luftimin e korrupsionit, EULEX-i ka kaluar në një institucion i cili paska qenë vetë i zhytur thellë në korrupsion. Janë cenuar rëndë imazhi dhe autoriteti i EULEX-it tek qytetarët e Kosovës. Besimi në EULEX ka rënë dhe është për keqardhje. Një mision i cili ka qenë shpresa e qytetarëve të Kosovës për ta luftuar të keqen, është zhytur thellë në korrupsion”, ka deklaruar Maloku. Sipas tij, hetimet nuk mund të sjellin rezultate pozitive, pasi EULEX-i s’mund ta dënojë vetveten. “Edhe pse mendojnë se janë të ekzagjeruara deklaratat e prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, nuk mund të ndryshohet bindja se praktikisht njerëzit e EULEX-it kanë qenë thellë të zhytur në korrupsion dhe në shuma marramendëse, për faktin se ata kanë pasur paga të larta dhe për t’i korruptuar janë dashur vërtet shuma marramendëse. Pavarësisht se çfarë rezultatesh do të sjellin hetimet, ato janë të paragjykuara për t’i sjellë rezultatet pozitive sepse EULEX-i nuk do ta dënojë vetveten”, është shprehur Maloku, duke shtuar se komisionin për hetime të brendshme më tepër e ka ngritur Bashkimi Evropian për ta shpërlarë në një farë forme imazhin e EULEX-it me përfundimin se dëshmitë e prokurores kanë qenë gënjeshtra dhe se nuk ka pasur korrupsion.
Edhe Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka thënë se në Kosovë mosbesimi në organet e gjyqësorit (qofshin atyre vendore apo të EULEX-it) ka marrë përmasa gjithëpërfshirëse. “Madje, në bazë të matjeve të opinionit të bërë pak ditë para plasimit në medie të skandaleve korruptive në EULEX, besueshmëria e qytetarëve ndaj organeve vendore të gjyqësorit ka figuruar të jetë edhe më e ulët sesa besueshmëria ndaj EULEX-it. Andaj në bazë të kësaj mund të thuhet se qytetarët e Kosovës edhe më tutje janë të interesuar të shohin një rifreskim të gjyqësorit vendor me gjykatës të paanshëm të sjellë nga BE-ja”, ka deklaruar Vrajolli për “Epokën e re”, duke shtuar se është tejet me rëndësi që BE-ja urgjentisht ta rishikojë në tërësi kontributin e EULEX-it në Kosovë, duke i bërë një riformatim emergjent këtij misioni në raport me kërkesat e qytetarëve të Kosovës për një gjyqësor fer, të paanshëm dhe efikas. “Madje një formatizim i tillë duhet të ndodhë jo vetëm në rast të vërtetimit të përfshirjes së prokurorëve, gjykatësve apo stafit tjetër ekzistues të EULEX-it në afera korruptive. Një riformatizim i tillë duhet të ndodhë në radhë të parë për shkak të mosefikasitetit të tejskajshëm të këtij misioni që të japë ndonjë kontribut të duhur në sferat në të cilat vepron. Pra, një formatizim i tillë duhet të ndodhë për ta përmbyllur me sukses misionin për të cilin EULEX-i ka ardhur në Kosovë”, është shprehur ai.
Vrajolli ka vlerësuar se EULEX-i deri më tani në masë të madhe ka dështuar në ushtrimin e misionit të tij, i cili është sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe kontributi në vënien e sundimit të ligjit në veri. “Nga ajo çka po dyshohet, e për ç’gjë si duket ka indikacione të shumta, mosfunksionimi i duhur i EULEX-it mund të ngjajë të ketë ndodhur për një kohë të gjatë. Por, edhe nëse ndodh që misioni hetues të mos rezultojë në ndonjë gjetje të bazuar, prapë mund të thuhet se EULEX-i deri më tani në masë të madhe ka dështuar në ushtrimin e misionit të tij, i cili është sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe kontribuimi në vënien e sundimit të ligjit në veri. Pra, nga ajo që mund të observojmë të gjithë ne, suksesi i EULEX në të gjitha këto tri fusha ka qenë tejet minimal dhe larg pritjeve”, ka theksuar Vrajolli. Ai ka deklaruar se do të ishte tejet me rëndësi që misioni hetues i EULEX-it të hetojë jo vetëm aferat korruptive të cilat janë të drejtuara ndaj pjesëtarëve të këtij misioni, por po ashtu të hetohen edhe efikasiteti dhe vullneti politik i punonjësve të këtij misioni për ta kryer funksionin e tyre në kuadër të misionit në të cilin ata veprojnë. Sipas Vrajollit, se sa do të reflektojë në punën e EULEX-it zhvillimi i hetimeve për korrupsion do të varet nga ajo se sa do të zgjasë misioni hetues i iniciuar nga BE-ja.