Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndonëse ka filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 3 nëntor në 38 komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato në veri të vendit, përgatitjet nuk kanë filluar për dy komunat e sapokrijuara, të Rogovës dhe Gjonajve.
Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, pa u ndryshuar Ligji për Ndarjen Administrative të Komunave të Reja, KQZ-ja s’mund të organizojë zgjedhje në dy komunat e reja të Hasit. “KQZ-ja nuk mund të organizojë zgjedhje në asnjë komunë pa u miratuar Ligji për Kufijtë Administrativë”, ka thënë ajo.
Edhe zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Basri Musmurati, ka thënë për “Zërin” se në këto dy komuna nuk do të ketë zgjedhje lokale.
“Themelimi i këtyre dy komunave bëhet në momentin që Kuvendi e miraton Ligjin për Ndarjet Administrative të Komunave. Ky ligj në kuvend nuk është bërë, është tërhequr. Prandaj derisa ligji nuk kalon, zgjedhje s’mund të ketë atje”, ka thënë Musmurati.
Sipas tij, meqenëse ligji nuk ka kaluar, atëherë banorët e këtyre komunave në themelim do të votojnë aty ku kanë votuar më parë. Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Legjislacion nga LDK-ja, Arben Gashi, ka thënë se LDK-ja e ka kundërshtuar procedimin e këtij ligji për më tutje.
“Kjo është ndërhyrje arbitrare në procesin zgjedhor, prandaj LDK-ja ka qenë dhe mbetet që zgjedhjet të mbahen vetëm në komunat aktuale”, është shprehur Gashi.
Megjithatë, kryetarja e KQZ-së vlerëson se Grupet Punuese për pastrimin e listës zgjedhore deri më tash kanë hequr mbi 30 mijë persona nga listat e votuesve dhe se deri në ditën e votimit do të ketë azhurnim të listës nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ne kemi punuar deri më tash në azhurnimin e listës, derisa janë shpallur zgjedhjet dhe azhurnimin e listës së votuesve tash e tutje e bën MPB-ja, pra KQZ-ja e merr vetëm ekstraktin”, ka thënë Daka.
Ajo ka pranuar se sfidë për këto zgjedhje do të mbetet pjesëmarrja e serbëve në komunat e veriut të Kosovës.
“Gjithmonë ka qenë sfidë pjesëmarrja e serbëve në votime atje. Mirëpo kësaj radhe do të jetë më ndryshe. Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës do t’i organizojë KQZ-ja, ndërsa do ta kemi përkrahjen e OSBE-së, e cila do të ketë rol lehtësues”, ka thënë Daka. Gjithashtu ajo ka thënë se marrëveshje me OSBE-në ende nuk kanë bërë lidhur me organizimin e zgjedhjeve atje.
“Këto ditë pritet ta bëjmë një marrëveshje me OSBE-në. Me gjasë kjo e fundit do të jetë ndërmjetësuese në këtë proces”, ka thënë Daka. Ajo ka bërë me dije se në KQZ tashmë është aprovuar një plan nacional për zgjedhjet për gjithë territorin e Kosovës. “Varësisht nga afatet tjera të nevojshme do të fillojmë me përgatitje të tjera siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet Lokale dhe të Përgjithshme”, ka thënë Daka.
Shefja e KQZ-së ka bërë me dije se të gjitha partitë serbe të cilat dëshirojnë të konkurrojnë në këto zgjedhje duhet t’i kryejnë procedurat, në mënyrë që ky institucion ta bëjë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Gjithashtu, sipas saj, së shpejti do të fillojnë hartimin e planit të sigurisë me Policinë e Kosovës për ditën e zgjedhjeve.