Kosova do të jetë pjesë e edicionit të sivjetmë të festivalit të kulturës në Zvicër, “CultureScapes”. Ky edicion i kushtohet kulturës në Ballkan dhe nga Kosova atje do të marrin pjesë artistë të shumtë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është një nga mbështetësit e këtij festivali, me konkretisht mbështetë financiarisht pjesëmarrjen e artistëve tanë në këtë festival, që fillon nga data 19 tetor.
Për të koordinuar hapat e ardhshëm dhe për të biseduar edhe për zgjerim të bashkëpunimit, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim Benita Ortwein, shefe e produksionit në “CultureScapes”.
Ministri Krasniqi tha se pjesëmarrja e artistëve tanë është një hap tjetër shumë i rëndësishëm që po bëhet në promovimin e skenës sonë kulturore në botë, pas pjesëmarrjes në këto dy vjet në ngjarjet më të rëndësishme të kulturës në botë. Ai ka falënderuar fondacionin “CultureScapes” për bashkëpunimin e ofruar. Ministri tha se ky festival është një mundësi shumë e mirë që artistët nga Kosova të promovojnë punën e tyre por edhe të zgjerojnë bashkëpunimin me artistë nga e mbarë bota. Ai shtoi se artistët nga Kosova do të jenë padyshim një prezantim i veçantë në këtë festival. Në ceremoninë e hapjes së këtij festivali do të paraqitet edhe kori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” nga Gjakova.
Diplomacia kulturore, tha Ministri Krasniqi, ka qenë dhe do të mbetet një prioritet në kulturë i MKRS-së duke shprehur kështu edhe një herë iniciativën e ministrisë që të mbështesë pjesëmarrjen e artistëve tanë në shumë evenimente të kulturës në botë, por padyshim edhe sjelljen e artistëve nga shumë vende këtu në Kosovë. Në këtë drejtim, Ministri Krasniqi shfaqi gatishmërinë që bashkëpunimi mes “CultureScapes” dhe institucioneve kulturore në Kosovë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Benita Ortwein ndërkaq ka falënderuar Ministrin Krasniqi për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar në këtë edicion. Ortwien vlerësoi faktin se MKRS ka qenë ndër mbështetësit e parë të këtij edicioni. Ajo ka njoftuar për përgatitjet që janë bërë për këtë edicion, në veçanti me programin për Kosovën por edhe të vendeve të tjera. Ortwein tha se kjo është një mundësi e mirë që të zgjerohen hapësirat e bashkëpunimit dhe tha se ata tashmë kanë krijuar kontakte të rregullta edhe me artistë nga Kosova, me synimin që të ketë realizim të sa më shumë projekteve të përbashkëta.
“CultureScapes” llogaritet si një nga festivalet me të rëndësishme të kulturës në Zvicër por edhe në Evropë. Në çdo vit ky festival organizon edicion për skenën kulturore të një vendi ose regjioni të caktuar. Këtë vit është Ballkani. /PrizrenPress.com/