Sot pritet të përfundojë gjykimi ndaj ish-kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, si dhe dy të akuzuarve të tjerë në këtë rast, ekspertit shqyrtues në OSHP, Hysni Muhadri dhe kontabilistit të jashtëm të kompanisë “Codex”, Arsim Robelli.
Në seancën e së mërkurës, e cila pritet të mbahet nga ora 14.30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është paraparë që fjalën përfundimtare ta japin prokurori special, Sylë Hoxha dhe të akuzuarit, Hoxha, Muhadri dhe Robelli.
Të tre të akuzuarit, gjatë gjithë procesit gjyqësor kishin mohuar pretendimet e prokurorisë që ata i ngarkon me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe në rastin e të akuzuarit Robelli, me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Ky i fundit, në seancën e kaluar të mbajtur më 17 nëntor, kishte deklaruar se prokurori Admir Shala i kishte ofruar marrëveshje për pranim të fajësisë duke i thënë se edhe pse është i pafajshëm duhet të shpallet fajtor.
Robelli kishte shtuar se prokurori i kishte thënë se mund të dënohet me një gjobë prej 500 euro, të cilën prokurori i kishte thënë se mund t’ia paguajë pronari i kompanisë “Conex”, Veton Etohu. Këtë ofertë, i akuzuari Robelli ka thënë se nuk e kishte pranuar.
Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, eksperti shqyrtues i OSHP-së, Hysni Muhadri, në mbrojtjen e tij, kishte deklaruar se në bazë të ligjit, lejohen devijime të vogla gjatë vlerësimit të një tenderi.
Si devijime të vogla, Muhadri kishte thënë se mund të llogaritet edhe fakti që kompania “Conex”, kishte pasur 2-3 punëtorë më pak se sa ishte dashur kur kishte konkurruar për të fituar tenderin që përshkruhet në aktakuzë.
Në mbrojtjen e tij, të dhënë në seancën e 18 tetorit, ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha kishte deklaruar se për veprimet e tij, në kohën kur ishte kryetari i OSHP-së, është dashur të shpërblehej, e jo të akuzohej.
Kjo pasi, siç kishte thënë Hoxha, me veprimet e tij nuk ishte dëmtuar askush, madje ishte kursyer buxheti i Kosovës.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Hysni Hoxhën dhe Hysni Muhadrin për kryerje në bashkëpunim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, këtë vepër të pandehurit e lartcekur e kishin kryer në qershor të vitit 2013, Hoxha në cilësi të kryetarit të OSHP-së dhe njëherësh kryetar i Panelit Shqyrtues të Prokurimit, ndërkaq Muhadri në cilësi të ekspertit shqyrtues të OSHP-së.
Sipas dispozitivit të parë, dy të pandehurit, me dashje direkte i tejkalojnë kompetencat e tyre, pasi kompanisë së ndërtimit “Conex Group” me pronar Veton Fetahun, i sjellin dobi materiale në shumë prej 1,799,759,54 euro.
Në këtë rast, operatori ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK” në Viti, kishte parashtruar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”. Hoxha si kryetar i OSHP-së edhe pse i njoftuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lidhur me disa të dhëna jo të favorshme për “Conex Group”, të njëjtët i kishte fshehur para dy panelistëve tjerë, të cilat kishin qenë të dhëna kruciale.
Me këtë rast, paneli kishte refuzuar ankesën dhe kishte urdhëruar autoritetin kontraktues për të lidhur kontratë me “Conex Group”. Lidhur me këtë, Muhadri, si ekspert i çështjes, nuk ka verifikuar pretendimet e paraqitura në ankesë lidhur me numrin e punëtorëve të paraqitur në ATK nga “Conex Group” përgjatë viteve 2010, 2011 dhe 2012. Madje, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ai ka përpiluar raportin në atë mënyrë që ankesa të refuzohet, duke fshehur disa informata para panelit.
Në anën tjetër, aktakuza e ngarkon edhe Veton Fetahun, pronarin e “Conex Group” dhe Arsim Robellin, në cilësinë kontabilistit të jashtëm për “Conexin”. Këta akuzohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente. Përkatësisht, të dy kanë përpiluar dhe përdorur dokumente të falsifikuara lidhur me kontributet e punëtorëve dhe numrin e tyre të paraqitur në ATK, gjë që ka rezultuar me shpalljen e “Conex Group” si fitues të tenderit në fjalë.
Po ashtu, Veton Fetahu ngarkohet me veprën penale “mashtrim”, e që sipas dispozitivit i njëjti ka fshehur të dhëna, duke mos i paraqitur ato para panelit në mënyrë që të fitoi tenderin.
Fetahu ka bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë lidhur me veprat penale për të cilat akuzohet, marrëveshje e cila do të vlejë pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor.