Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” është në rrugëtim e sipër drejt plotësimit të standardeve për akreditim ndërkombëtarë. Ky rrugëtim po ec sipas dinamikës dhe realizimit të aktiviteteve të parapara me Planin Strategjik 2017-2021, si pjesë e programit Programit Përkrahës për Shëndetësinë në Kosovë – KSV/017, implementuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe LuxDev.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, në spitalin e Prizrenit gjatë tri ditëve kanë qëndruar ekspertë nga spitali Izola i Sllovenisë, Prim. Dr. Jani Dernic, drejtor mjekësor, dhe Phd. Karmen Spacal Jakomin, kryeinfermiere. Ekspertët sllovenë së pari janë pritur nga drejtori ekzekutiv, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj. Në takim është biseduar për bashkëpunimin dhe shkëmbin e përvoja në mes dy spitaleve respektive, me theks të veçantë përvojave dhe rrugëtimit të spitalit të Izolas , i akredituar ndërkombëtarisht në vitin 2010.
Ardhja e ekspertëve sllovenë është pjesë e aktiviteteve të Programit KSV/017, pasi që në muajin shkurt të këtij viti, në spitalin Izola të Sllovenisë, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, z. Uran Ismajli, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Prof. Dr. Afrim Avdaj, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Izolës, z. Radivoje Nardin, dhe udhëheqësja e programit KSV/017, Dr. Afërdita Ademi-Osmani, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mes dy spitaleve respektive.
Gjatë qëndrimit tre ditor në spitalin e Prizrenit, ekspertët sllovenë kanë mbajtur takime pune, prezantim të përvojave, si dhe ligjërata në drejtim të përmirësimit të cilësisë dhe sigurisë, si procese të domosdoshme për akreditim ndërkombëtar.
Në ditën e parë, Prim. Dr. Jani Dernic, ka bërë një prezantim para shefave të reparteve dhe mjekëve të spitalit të Prizrenit, si dhe një grupi mjekësh nga spitali i Gjilanit. Në këtë prezantim Dr. Drnic ka treguar rrugëtimin e spitalit të Izolas nga themelimi deri në marrjen e akreditimit ndërkombëtar në vitin 2010. Ai me shembuj konkretë ka prezantuar këtë rrugëtim, që sipas tij nuk ka qenë i lehtë, por që me vullnet, angazhim dhe punë ekipore është arritur akreditimi ndërkombëtar dhe sot spitali i Izolas është një nga spitalet më të njohura, jo vetëm në Slloveni, por edhe më gjerë.
Phd. Karmen Spacal Jakomin, kryeinfermiere, në spitalin Izola ka falour për organizimin dhe punën e infermierisë. Ajo ka mbajtur edhe një ligjëratë për rolin dhe përgjegjësinë e infermierisë, kujdesin ndaj të sëmurëve, komunikimin etj.
Në ditën e dytë, Dr. Dernic ka bërë vizita dhe inspektime, me qëllim të vlerësimit se sa është i gatshëm spitali i Prizrenit për akreditim ndërkombëtar, gjegjësisht përgatitjet e spitalit të Prizrenit për akreditim ndërkombëtar.
Ndërkaq, Phd. Karmen Spacal Jakomin, me infermierët e reparteve të Departamentit të Kirurgjisë ka punuar në punë praktike për menaxhimin e përgjithshëm të cilësisë dhe ngritjes së cilësisë dhe sigurisë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Në anën tjetër ekspertë të programit KSV/017, të udhëhequr nga dr. Afrëdita Ademi Osmani, kanë vazhduar aktivitetet me grupet punuese të spitalit të Prizrenit dhe të Gjilanit për identifikimin e nevojave për katër vitet e ardhshme, që do të prezantohen para Qeverisë së Luksemburgut për përkrahje të dy spitaleve, që kanë përzgjedhur për të punuar drejt akreditim ndërkombëtar./PrizrenPress.com/