4.6 C
Prizren
E enjte, 25 Dhjetor, 2025

Srebrenica, gjaku ynë që nuk falet

Nga Ditar Kabashi

“Të vdesësh nuk është asgjë. Të mos jetosh është e frikshme”, thoshte Viktor Hygo. Secili i gjallë do të përballet një ditë me të pashmangshmen vdekje. Çështja është se në ç’mënyrë do ta përjetojë atë. A ka të drejtë të vijë dikush, me uniformë apo veshje civile, të të arrestojë, të të lidhë e të të ekzekutojë pa iu trembur syri vetëm se ti i takon një komuniteti tjetër etnik apo fetar?!

Fraza e njohur e gjeneralit Mlladiq (duke aluduar për boshnjakët) se “Erdhi koha që të hakmerremi ndaj turqve” dëshmon qartazi mendësinë shoviniste e fashiste, urrejtjen patetike ndaj një bashkësie tjetër dhe mbi të gjitha ngarkesën me tërë barrën e trashëguar ideologjike johumane që mbretëroi së voni në Gadishullin Ballkanik.

Këtyre ditëve kur përkujtohet gjenocidi në Srebrenicë, dhe kur përsëri “shtëpia e përbashkët e popujve të botës”, OKB-ja, nuk denjon ta quajë “gjenocid” spastrimin masiv të mbi 8300 personave në korrikun e para njëzet vjetëve, të paktën secila ndërgjegje e pastër duhet të vëjë në pikëpyetje humanizmin individual e të shohë se qendrat e vendosjes në glob sa janë realisht të vendosura në jetësimin e barazisë, lirisë, mosdiskriminimit, ndalimit të formave të dhunës dhe të një sërë parimeve të tjera teorike.

“Atje ku ka padrejtësi, paanësia është poshtërsi”, konkludonte mendimtari Xhemil Meriç. Dhe vërtet, mbyllja e syve nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe intervenimi i vonshëm në rastin e Bosnjës nuk amniston askënd e veçanërisht ligjëruesit (politikanë) e papërtueshëm të demokracisë e të drejtave të njeriut.

Siç do të shprehej edhe vetë Presidenti i ndjerë Izetbegoviq në Kujtimet e tija:“Kur ndodh tragjedi e këtyre përmasave më nuk ka të pafajshëm. Secili prej nesh është fajtor që ekziston bota në të cilën është e mundur Srebrenica…”. Kjo nxjerr në pah dimensionin e përgjegjësisë morale të të gjithëve, krahas përgjegjësisë penale që duhet të japin protagonistët kriminelë të rastit.

Kur tradhtia, çnjerëzorja, jeta e vdekja bëhen tok, ekziston një emërues – Srebrenica. Ajo është dhembja e përbashkët e gjithë popujve të botës. Atje nuk u pa gjaku, nuk u dëgjua klithma, nuk u fshi loti, nuk u zgjat dora e ndihmës. Në atë vend nuk u vranë boshnjakët, por u mbyt njerëzimi.

Prandaj, Srebrenica është gjaku ynë që nuk falet.

Më Shumë

Vazhdojnë punimet për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në Bresanë të Dragashit

Punimet për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në fshatin Bresanë vazhduan edhe gjatë fundjavës, në kuadër të angazhimeve të Komunës së Dragashit për përmirësimin...

Pa pritje të gjata këtë mëngjes në pikat kufitare – maksimumi deri në 10 minuta për të hyrë në Kosovë

Mërgimtarët që po hyjnë në Kosovë këtë mëngjes të së mërkurës nuk po përballen me pritje të gjata në pikat kufitare. https://prizrenpress.com/428407-2j/ Sipas të dhënave të...

Lajmet e Fundit