-0.8 C
Prizren
E hënë, 13 Janar, 2025

Studentët serbë e duan shqipen

Danica Avramoviq, e cila ka dhe një provim për të përfunduar studimet në Degën e Gjuhës Shqipe, në Universitetin e Beogradit, tregon se nuk kishe dëshirë që të studionte këtë gjuhë, e megjithatë kishte filluar studimet në këtë degë. Por Avramoviq shprehet, sot është e lumtur që ka vendosur të studiojë gjuhën shqipe.

“Por nga viti i parë e kam mësuar dhe tani ndihem mirë, sepse e ndjej që zgjodha një rrugë të drejtë”, ka thënë studentja nga Beogradi, që këto ditë është duke qëndruar në Prishtinë, si pjesëmarrëse e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.

Danica Avramoviq, thotë se dëshira e saj është që të vazhdojë studimet në gjuhën shqipe edhe në Master, në Tiranë apo Prishtinë, por tani një gjë e tillë është e pamundur për të. “Mendova të vij këtu në Prishtinë, ose të shkoj në Tiranë, por për shkak të situatës, nuk ka bashkëpunime të tilla si shkëmbime të studentëve midis universiteteve, kështu që do të mbetem në Beograd”, ka treguar Avramoviq për “Zërin”, derisa shpreson që të vijë prapë në Prishtinë.

Ajo thotë se e kanë të vështirë të ruajnë gjuhën shqipe, atë që e mësojnë, sepse nuk kanë kontakt fare.

“Përmes internetit, dëgjojmë muzikë, lexojmë libra, kështu që arrijmë të jemi në kontakt me gjuhën shqipe, me kulturën dhe me muzikën”, është shprehur studentja e gjuhës shqipe në Universitetin e Beogradit, duke shtuar se ato që mësojnë në gjuhën shqipe i ruajnë edhe duke komunikuar me studentët e tjerë që e studiojnë shqipen në të njëjtin universitet.

Danica Avramoviq, tregon se Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare u ndihmon që të jenë në kontakt me shqipfolësit.

“Ne në fakultet mësojmë vetëm nga librat, merremi më shumë me gramatikë, kështu që këtu jemi në kontakt me të folurin e përditshëm, që është rast i mirë që të njihemi me gjuhën dhe kulturën”, ka thënë Avramoviq. Ajo tregon se kur vjen në Kosovë nuk e ka përshtypjen se ka shkuar në një kulturë tjetër.

“Për shembull, kur kam qenë në Shqipëri, ndjeva një dallim, por kur jam në Kosovë nuk ndjej diçka shumë ndryshe nga Serbia, më duket si njësoj, ndoshta vetëm gjuha është ndryshe, por kultura dhe njerëzit janë njësoj”, thotë Avramoviq, duke shtuar se asnjëherë nuk ka hezituar që të vijë në Kosovë.

“Në fakt për herë të parë unë kam qenë në Shqipëri, pastaj kam ardhur këtu në Kosovë. Meqë kam qenë në Shqipëri nuk kam pasur asnjë hezitim, frikë, apo ku e di unë”, është shprehur ajo, teksa thotë se mediet si në Kosovë edhe në Serbi janë njësoj, shkruajnë shumë gjëra, dhe sipas saj realiteti nuk është ashtu, kështu që ajo thotë se nuk kanë frikë të vijnë në Kosovë.

“Për shembull, kur ka qenë ajo ndeshja ku u bë shumë rrëmujë dhe ndodhën shumë gjëra që nuk duhej. Nuk dua dhe as nuk duhet të lexojmë apo të dëgjojmë, janë fjalë të kota dhe janë pamje që dikush tjetër ka dashur t’i krijojë”, ka thënë Danica Avramoviq, duke shtuar se patjetër duhet të ketë raporte të mira midis dy shteteve.

“Shpresoj që do të arrijmë që të qetësojmë situatën pak. Në fakt midis njerëzve të thjeshtë nuk ka probleme. Problemi është vetëm te politika”, ka thënë Avramoviq.

Ajo ka vendosur që të studiojë gjuhën shqipe sepse nuk kishte dëgjuar më parë këtë gjuhë dhe nuk kishte mundësi ta mësonte. Anja Zhivkoviq, e cila është në vitin e tretë të studimeve në degën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, tregon për gazetën se ka dashur të dijë si tingëllon shqipja.

“Deri tani jam e kënaqur, më pëlqen shumë”, tregon studentja nga Leskovci.

Ajo thotë se në fillim gjuha shqipe i dukej shumë e çuditshme.

“Unë kam mësuar gjuhën angleze, gjermane dhe frënge dhe asnjë fjalë nuk është e përbashkët me gjuhën shqipe, kështu ishte shumë e çuditshme dhe shumë interesante për mua të mësoj shqip”, është shprehur Anja Zhivkoviq, teksa thotë se nuk e kishte të vështirë që të mësonte gjuhën shqipe.

“Mendoj se e di mjaftueshëm gjuhën shqipe, sa për të bërë një bisedë të thjeshtë, por ende nuk jam aq e kënaqur sepse nuk kam kontakt me gjuhën çdo ditë”, ka thënë ajo duke treguar se në Seminar ka më shumë mundësi për të mësuar shqipen.

“Seminari është mundësi e mirë për të komunikuar më shumë shqip, sidomos për të mësuar dialektet, sepse ne në fakultet mësojmë gjuhën standarde, letrare, dhe këtu, kur jeni në rrugë për shembull, ishe shumë e vështirë t’i kuptoje të gjitha fjalët, por tani është më mirë”, tregon Zhivkoviq, teksa thotë se në Ballkan kultura është e ngjashme.

Ajo tregon se i pëlqejnë kostume tradicionale shqiptare. “Vjet isha në ekskursion në Pejë dhe pamë njerëz që bënin muzikë tradicionale dhe më ka pëlqyer veshja e tyre se ishin të veshur me veshje tradicionale”, ka thënë Anja Zhivkoviq.

Sllobodan Illiq, thotë se ka vendosur të studiojë gjuhën shqipe, sepse, në Vranjë, qytetin e tij, ka shumë shqiptarë, dhe ka dashur t’i kuptojë se çfarë flasin ata. Studenti i vitit të tretë në degën e gjuhës shqipe në Universitetin e Beogradit, tregon se nuk flet shumë mirë shqip, por thotë se çdo herë është mirë dhe më mirë.

“Më pëlqen gjuha shqipe sepse unë jam nga Vranja, që është afër Kosovës. Qyteti im ka shumë shqiptarë, por është interesant të kuptoj çfarë ata flasin. Tani është shumë interesant kur jam në qytetin tim, unë mund të kuptoj të gjithë, sepse kam mësuar shqip”, ka treguar Sllobodan Illiq, duke shtuar se të qenit në Prishtinë është ndryshe, sepse flitet në dialekte, dhe jo në gjuhën standarde.

“Andaj për ne është shumë mirë, sepse ne flasim vetëm në standard dhe është më mirë sepse atje unë nuk kam mundësi të dëgjoj përditë gjuhën shqipe”, ka thënë Illiq, i cili tregon se edhe kur është në Beograd është në kontakt me shqiptarët nga Kosova. Studentët e gjuhës shqipe, thonë se edhe vitin tjetër do të vijnë në Seminar. /Zëri/

Më Shumë

Raportohen dy vajza të zhdukura, njëra në Ferizaj e tjetra në Malishevë

Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të raportuara për zhdukjen e vajzave. Në raportin policor bëhet e ditur se njëri rast ka ndodhur...

Policia shqiptoi 1593 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1593 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Tërmet në Kosovë

Lajmet e Fundit