Histori për varre të krushqve mund të gjesh në rajone të ndryshme të Kosovës. Por, në gjithë Prizrenin, vetëm në fshatin Romajë të Hasit ka pasur “Vorre të krushqve”. Pjesa tjetër e rrëfimit është e ngjashme. Atje thuhet se ishin takuar krushqit dhe u vranë deri tek nuset që i kishin varret e ndara nga krushqit,shkruan Gazeta Kosova Sot. Pleqtë e fshatit tregojnë se kur janë prishur ato varre ka pasur eshtra, derisa te varret e nuseve ende ishin ruajtur edhe disa stoli. Mbi ato varre është ngritur shkolla. Banorët e këtij fshati patën rezistuar shumë që mos të prishen këto varre, por pushteti komunist nuk i kishte pyetur.
Banorët e këtushëm, si mixha Din, mixha Zenun e po kështu edhe studiuesi i etnologjisë Nexhat Çoçaj, flasin për vitet 1966-1969 si vite të shkatërrimit të varreve. Tani në këtë pjesë gjendet shkolla e vjetër e fshatit. Fshati Romajë thuhet se ishte si një urë lidhëse në drejtim Tropojës dhe Shkodrës.
Tradita e thyerjes së rrugës
Por, kur kishte ndodhur vetë historia e krushqve askush nuk e thotë me saktësi. Sipas të moshuarve të fshatit, kur ndodhte që të kishte dy dasma në të njëjtën ditë dhe karvanët e krushqve, bashkë me nusen kryqëzoheshin me njëra-tjetrën, askush prej tyre nuk hapte rrugë, se dasma i vinte ters, e veç të tjerash, hapja e rrugës do të ishte dhe një ulje për fiset që lëshonin pe në këtë mes. Profesori Nexhat Çoçaj shprehet se lidhur me këtë zakon, ka dhe shumë legjenda, sipas së cilave, në disa fshatra në këtë anë si Romaja, Rogovë e Hasit e gjetiu ekzistojnë disa varre, të cilat quhen “Varret e Krushqve”. “Nuk dihet me saktësi nëse legjenda ka lidhje me të vërtetën”, shprehet Çoçaj. Megjithatë, sipas gojëdhënës, thuhet se ngjarja kishte ndodhur në një ditë të bukur, kur dy karvanë dasmorësh, që çonin nuset për në shtëpinë e dhëndrit, janë përballur dhe asnjëra palë nuk ishte tërhequr prapa, askush nuk donte të hapte rrugë, gjë që solli një tragjedi dhe i ktheu dy dasma në dy varreza të mëdha.
Ndryshe, me dekada banorët i kanë mirëmbajtur këto varreza, kurse në disa raste ato kanë shërbyer edhe si vend lutjeje për më shumë fat. Kështu ndodhte që aty vendoseshin edhe ndonjë nezër që nusja t’i dojë anëtarët e familjes së re. Po ashtu, sipas të moshuarve, thuhet se ishte një si rregull që para këtyre gurëve të vendosej ndonjë dhuratë e vogël, ku kalimtarët nevojtarë edhe mund ta merrnin. Pleqtë e këtij fshati tregojnë për “Kosova Sot” se kjo ishte edhe arsyeja që dasmat bëheshin me marrëveshje të fshatit, pastaj edhe të fshatrave fqinje, ngase assesi nuk kanë dashur që krushqit të takoheshin. Ndërsa, profesor Nexhat Çoçaj shprehet se një pjesë e kësaj tradite ka mbijetuar edhe në ditët tona. “Bile, edhe sot e kësaj dite krushqit jo vetëm në Has, por kudo ‘e thyejnë’ rrugën, ngase ka mbetur traditë e vjetër që thyerja e rrugës së krushqve ishte respekt për palën tjetër që mos të takoheshin”, thotë Çoçaj. Sipas tij, këto lloj përplasjesh ndodhnin për shkak se dasmat bëheshin midis dy familjeve nga zona tepër të largëta me njëra-tjetrën. Sipas tij, kur dikush nga shtëpia e dhëndrit, që shikonte për së largu në horizont, vërente karvanin me krushqit dhe nusen hipur në kali teksa arrinin shëndoshë e mirë, jepte lajmin duke qëlluar në ajër.
Varret e mëdha
Një karakteristikë tjetër ishte se varret ishin më të mëdha, sepse supozohej se dikur njerëzit ishin më të gjatë. Varrimi i krushqve është bërë me rroba e shpesh, bile edhe me kalin nëse ai është vrarë. Njohësi i arkeologjisë, Shafi Gashi shprehet se të vdekurit duhet të jenë varrosur bashkë me veshjet e tyre, pasi aty u patën gjetur copa cohe, përmes të cilave shkonte gjilpëra e një fibule. “Çdo varr kishte edhe ndonjë pjesë bronzi, unaze, apo ndonjë gjësend që, siç duket, ishin heshta apo në fakt mund të thuhet armë e kohës së ngjarjes”, thotë Gashi.
Mirëpo, pushteti komunist këto varre i zhdukën dhe mbi ato ka ngritur objektin e shkollës, banorët kategorikisht patën kundërshtuar, por nuk u mor parasysh kundërshtimi i tyre. Tashmë ato varre janë zhdukur dhe kanë mbetur vetëm si pjesë e dikurshme e historisë së kësaj pjese të fshatit.
(Kosova Sot)