20.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Te Liria s’ka festë, lojtarët s’morën rroga as për Bajram

Kur klubi i futbollit Liria kishte rënë në duart e Rahman Kiçes, në Prizren ishte shtuar shpresa dhe optimizmi se më në fund ky klub do të shihte dritë në fund të një tuneli.

Mirëpo, prizrenasve nuk iu doli siç e prisnin, pronari i ri i klubit.

Bardhezinjtë vjet u rikthyen në Superligë, por do të përshëndeten me të vetëm pas një viti qëndrimi në ligën elitare.

E tash, krahas rezultateve të dobëta, prizrenasit po përballen edhe me një problem, atë financiar.

Një burim brenda klubit i ka treguar “Gazetës Express” se lojtarët dhe stafi, dhe të gjithë atë që punojnë në klub, nuk kanë marrë rroga qe një kohë.

Madje, kanë mbetur mjaft të dëshpëruar se nuk u paguan as në këtë kohë, në prag të festës së Bajramit.

“Lojtarët dhe stafi nuk kanë marrë rroga qe dy muaj e gjysmë. Nuk u paguan as për Bajram, kjo është skandaloze. Tek Liria nuk ka festë, kryesia u arsyetua se po i priste paratë prej Federatës…”, thotë ky burim për gazetën.

“Por, është një dritë në fund të tunelit për kthimin e namit të Lirisë. Ka përpjekje që ky menaxher (pronari Kiçe) i papërgjegjshëm të largohet dhe klubin ta marrin biznesmenë dhe dashamirë të vërtetë që e duan klubin. Sepse ky e kishte veç për biznes. Janë disa iniciativa me mbështetjen e kryetarit të Komunës që klubi t’i merret pronarit aktual dhe t’iu jepet biznesmenëve me klauzola të qarta të funksionimit. E jo siç iu dha këtij, që në fakt iu fal pa asnjë marrëveshje dhe penalizim nëse dështon klubi”, shton ky burim.

“Ani pse ky i premtoi mbi 10 milionë euro investime në 10 vjetët e parë, Kiçe nuk ka paraqitur as garancion bankar. Kjo s’do koment”, nënvizoi ai.

Ky burim i “Expressit” zbulon se edhe më rëndë qëndrojnë punët tek ekipi i vajzave të Lirisë.

“Edhe më keq janë ekipi i vajzave, që janë qe 5 muaj pa paga, ndonëse pagat e tyre mujore janë nga 100 deri në 150 euro. Kjo është një katastrofë”, shtoi burimi i gazetës, duke u mos ndalur me kaq.

“Rezultatet e ekipeve të grupmoshave të reja janë shumë keq. Në Lidhjen Rajonale janë keq. Kadetët dhe juniorët ka dy vjet që kanë rënë nga Superliga dhe ekipi i parë është drejt rënies nga liga, s’ka shpëtim. Publiku prizrenas nuk e ka merituar këtë ‘menaxhim’ nga një kurbetçar që veten e quan menaxher lojtarësh. Ai e shkatërroi klubin.”

Sipas burimit në fjalë, javën e kaluar Asambleja Komunale ka debatuar për FC Liria, ndërsa në rend dite ka qenë suspendimi i një komisioni që e kishte për qëllim t’ia jepte klubit stadiumin “Përparim Thaçi” për një periudhë 10 vjeçare.

Ky komision ishte themeluar në tetor të vitit 2023 dhe fokusin e kishte tek Liria, por që, shton burimi i “Expressit”, shkaku i rezultateve të dobëta, komisioni në fjalë është suspenduar në Asamblenë e Prizrenit, ku kishte tone të ashpra për mënyrën e keqmenaxhimit nga pronari aktual, Rahman Kiçe.

“Gjithashtu, u kërkuan forma që klubi t’i merret atij dhe të ngjallet”, përfundoi burimi i gazetës.

Liria konsiderohet si njëri prej katër klubeve më të mëdhenj në histori të futbollit kosovar, por në këtë sezon nuk i shkuan punët mirë, fillimisht me rezultate, e tash po del që ka edhe probleme financiare. /Gazeta Express/

Më Shumë

Aksion simbolik në Prizren: Mbillen 30 fidanë në shenjë të Ditës së Tokës

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prizren, ka organizuar sot një aksion simbolik për mbjelljen e 30 fidanëve për shënimin e Ditës së Tokës dhe...

Në Rahovec vidhet filtri për pastrimin e mbeturinave në lum

Në Rahovec është vjedhur filtri që shërben për pastrimin e mbeturinave në lum. Siç shkruhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, vlera e...

Lajmet e Fundit