18.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Të premtosh Rilindjen si Naimi

Ilir PajaIlir Paja/Poet

Duke marrë shkas dhe nga publikimi i një vepre eseitike e z. Blushi, ku qëllimshmëria e tij, na përafron me vetë doktrinën rilindase nisur me Samiun,tani na duhet të hedhim dritë mbi realitetin, mbi të cilën Rilindja gjallon jetët e saj të shumëfishta. Në një shkrim, publikuar më parë, mendova se tani në vigjilje të këtij “çerek” mandati të parë, po kuptojmë se Rilindjes po i mungon pushteti real përtej një qeverisjeje. Kjo; jo, për mosdëshirën e saj integruese, sesa nga lënia e një trashëgimie politike, ku kompromiset duket se kanë lënë larva, të cilat fshehin pas një litote parlamentare malin aspak hiperbolik të një mirëqenieje në përmasa masivesh malorë.

Ndërsa rilindja më së tepërmi ngjan me një kodrinë të butë, e cila pret të forcohet së pari gjeografikisht. Kështu, na duhet të besojmë se të gjitha lëvizjet në administratën qeverisëse, duke zbritur deri në “qeverisjen” më të brishtë për nga intelektualizmi, atij të arsimit, fatkeqësisht, por fatmirësisht për pjesën post 8-vjeçare të të qenurit “të pushtetshmit” e dijedhënies, shohim se më së shumti, në lëvizjet, dhe aspak ikjet nga vendet e punës, po prekim një atmosferë gati groteske.

Se çfarë është një rotacion politik shqiptar, mjafton të themi, se pushteti që vjen është “shuplakë” së pari, ku mendoj se duhet të jetë në “hasmëri” me mediokritetin, që sot vishet me kontribute partiake, kompromise, ku, përse ke dhënë një sasi votash më shumë, s’mund të justifikosh një krim në drejtim “larje hesapesh” ( këtu shembullin e rendit po e marr thjeshtë si një renditje institucionale, sepse deri më tani, duhet thënë se mbetet institucioni që po din të lëshojë hije prestigji dhe pa një “kapele” vënë mbi kokë), një urgjencë, që pret mes jetës dhe vdekjes, dhe kur një fletë votimi s’mund të identifikohet me një brez të tërë arsimor.

Por, lëvizjet nën ndrojtjen e një fryme për të konkurruar vlerat, duket se mbeti larg një vlere reale; asaj të Rilindjes si nevojë, si doktrinë, si moral! Duke menduar, se një ndryshim zgjedhor, me mbi 50% të votave, duhej të shoqërohej me shuplakën reale të një qeverisjeje, e cila nëse do e jepte realisht këtë perceptim deri në ndjesi ekzistenciale, do e kishte dhe arsyen, të arrinte të prekte ndjesinë e plotë të pushtetit, por gjithmonë nëse Rilindja realisht është një përgatitje e gjatë, si nga ana strukturore, e mbi të gjitha, nëse vërtet manifesti saimian shfletohet duke mos mbetur vetëm në “promovime” reklamore dhe publicistike, si në nisjen e një risie mendimesh për të, dhe për të mbërritur në studiot televizive.

Për të qenë konkretë, mendojmë se lëvizjet, ndryshimet e pozicioneve postore, nga një godinë në tjetrën, nga një “trotuar” në tjetrin, e ka bërë pjesën politike të së majtës të gjendet në rrugën e madhe të të kërkuarit të vetvetes, por që dramshëm po i dhuron asaj ndjesinë e një opozite të dyfishtë. Dhe, nëse flasim për opozitë të mospushtetit brenda qeverisjes, na lë të kuptojmë, se në laboratorin e Rilindjes, duket se analizat e plota të gjakut nuk bëhen për të kuptuar “grupin” e gjakut të një energjie, ku qelizat e të zgjedhurve duhet të punojnë për kohën e ardhme, jo për të shkuarën. A ka ndodhur të lexojmë në shtyp nga njerëz të ulur në poltrone drejtimi, ndonjë nga pikat dhe qëllimet e idealeve të kahershmes Rilindje të frashëllinjve?

Besoj se nuk jam as i vetmi, por dhe jo nga të fundit njerëz, që përtej një pragmatizmi të pranuar, si nevojshmëri e një realiteti tejet shqiptar dhe unik për nga të konceptuarit të marrëdhënieve të njeriut dhe shtetit, të jem dhe jemi kaq idealistë, sa të besojmë se me të vërtetë Rilindja është jo ringjallje, por riardhje. Atëherë na takon të pyesim, se çfarë mund të jetë, është dhe duhet? Besoj, se mjafton dhe duhet nxituar tek e vetmja folje, tek ajo duhet, nëse do të pretendojmë të kemi një Parlament të butë dhe dhenor si kodrinat e tulta, që të mbërrijmë te një pushtet gjyqësor trembshëm si malet.

Atëherë po! Kur që nga tekstet e shkollave të nisi riardhja e një Rilindjeje për nga idetë, prirjet, zgjedhjet, debatet, diskutimet, kur dëshira e akademikut Qosja, për zgjimin e shëndetit moral si e vetmja ringjallje për të jetuar dhe jo për të vdekur, kur një hasmëri deri në hakmarrje, mos të shihet si “nder” që i bëhet jetës, por të çnjerëzohet sepse është uri e vdekjes me jetë të freskët, e kur dija e sotme të çngujojë të gjithë ata fëmijë, të cilët duhet ta bindin gjakësin, se do mësojnë në shkolla të falin dhe jo të hakmerren, e kur një thashethem politik mos të ngrihet në legjendë urbane duke lënë jashtë pas vitrinave një libër, ose orë mësimi. Në shpjegimin e poetit kombëtar Naimi, të bie në sy, dhe jo vetëm te ai, përdorimi i ndajfoljes së sasisë pak. Po kështu, këtë “pretendim” modest e gjejmë dhe në tekste kulturologjike si në esetë e Konicës, Zavalanit, Mit’hat Frashërit, të cilët kërkojnë tepër pak, sikur të mos kërkonin fare. Sepse përmes personifikimit “punomë dhe unë kam për të të dhënë prodhim”, a nuk na lejohet të mendojmë, se një tokë e punuar është atdheu që na mungonte? Madje, autori e kulmon dëshirën e tij teastamentuese, duke vënë në pah, se është ideali, të menduarit, të cilët do ta bëjnë këtë vend të ketë dëshirë të jetojë apo t’ia lejojë vetes vdekjen e ngadaltë.

Që Rilindja s’mund të premtojë si ideali naimian këtë e kuptojmë, se të bërit e natës ditë, nuk është energji magjistricash, po kështu vetë Naimi s’mund të jetë profet.

Por në mungesë ndoshta të të gjitha këtyre cilësive ai mbetet rilindas së paku nga dëshira. Dhe kjo e fundit duket se mungon realisht në të gjithë këtë “trafik” qarkullimesh pozicionesh dhe jo meritë absolute vlerash, qofshin këto dhe partiake. Të njëjtën gjë kërkon dhe lutet ai, uni i një poeti, besimtari, filozofi, e të gjitha këto i dhurojnë atij, materien reale dhe të besueshme të përjetësisë, fluturën shpirt. Ndërsa ne, kemi përjetësi zhvatjen deri në zënie prej gryke të çdo të drejte, të çdo ideje, të çdo pritje të së ardhmes. Nëse Bekoni citon: “se të vërtetat janë bija të kohës”.Kështu, a nuk na takon të pyesim, se cila nga të vërtetat e sotme janë bija të Rilindjes? Nëse një popull lufton kundër një tiranie, a nuk është mediokriteti si pjellë kompromisesh, larva ku të drejtën e kanë në përmasa mitike? Dhe, a nuk janë vetë kompromiset ndrojtja jonë për të qenë dhe mos humbur nga rehatia e një të sotmeje, ku idetë mund të lindin atëherë, kur mitra e një ëndrre prek “shterpëzimin” moshtor? Ç’është mirëqenia? Kjo ndoshta do dukej pyetja më me dëshirë për t’u përgjigjur. Por unë mendoj, se ajo ka vetëm një përgjigje! Mirëqenie do të thotë shtet i fortë, i drejtë, i paanshëm. Kjo është “mirëqenia” institucionale, e cila buron nga vendime të drejta.

E pas saj, mund t’ia lejojë vetes mirëqenia e të ngrënit, e luksit, e rehatisë…e një mbrëmjeje pasi detyrat ndaj shtetit i ke plotësuar në atë parametër, ku nesër në agim të mos të të mungojë asnjë shtetas o shtet, asnjë nxënës në shkollë, e as një mallkim pështytës mbi një tokë, e cila kërkon pak, sepse më së shumti e harron ta punosh.

Dhe kur ndjehesh para saj në faj, e shet, e rishet, e grabit, e përdhunon deri në gjak, ku dhembin pasuritë kombëtare! Kështu; a nuk mundemi të themi dhe duhet të themi se ky pushtet më së shumti, së paku deri në sprovat e integrimit t’i takojë filozofisë?!Duhet, sepse të menduarit është mirëqenia më e dukshme në të besuarin e Rilindjes!/Shekulli/

Më Shumë

Dramë në kryeqytet, triumfon Trepça

Në një ndeshje dramatike, Trepça ka mundur Sigal Prishtinën me rezultat 85:86 (28:21, 20:19, 17:20, 20:26) dhe tani avancon në serinë gjysmëfinale 2:0. Për...

Paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, Nagavci kërkon maturi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga SBAShK-u të jenë të matur në deklarimet e tyre për protestë...

Lajmet e Fundit