17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Tenderi për armët e Policisë, aktakuzë për korrupsion

policia 7Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur, të hënën, aktakuzë kundër pesë personave për vepra të ndryshme penale, përfshirë “Krim të organizuar, furnizim, transportim, këmbim apo shitje të paautorizuar të armëve, mashtrim dhe shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit”.

“Kallxo.com” ka mësuar se të arrestuarit janë biznesmenët Armend Selimi e Astrit Pira nga kompania “Friends”, si dhe Xhevahire Vatovci, drejtoreshë e Prokurimit në Policinë e Kosovës, Kadrush Koliqi, udhëheqës i Divizionit për Armë dhe Municione dhe Ragip Bunjaku, ndihmësdrejtor gjeneral i Shërbimeve Mbështetëse në Policinë e Kosovës.

Të martën, misioni evropian për sundim të ligjit – EULEX ka konfirmuar se në këto pretendime përfshihen tre zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe dy biznesmenë. “Pretendimet kanë të bëjnë me procesin e tenderit për furnizimin me armë, municion dhe pajisje për mbikëqyrje për Policinë e Kosovës (PK)”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Rasti është duke u ndjekur penalisht nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së dhe do të trajtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë “Krimin e organizuar, furnizim, transportim, këmbim apo shitje të paautorizuar të armëve; mashtrim dhe shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit”.

Gazeta “Jeta në Kosovë”, në vitin 2013, kishte raportuar se një kompani në pronësi të Armend Selimit dyshohet për përfshirje në korrupsion në rastin e furnizimet me armë e municion të Policisë së Kosovës, ndërkohë që ishte shpallur fituese në tenderët për furnizim me uniforma të dy institucioneve të sigurisë.

Armend Selimi para një muaji qe arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në një tender për furnizim me pajisje medicinale.

Arrestimi i tyre ishte bërë vetëm pak ditë pasi emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte publikuar një hulumtim ku nxirrej në dritë kontrata e nënshkruar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, edhe pse kishte dyshime për mosplotësim ose plotësim të falsifikuar të kritereve të këtij tenderi. Megjithatë, ky tender i kaloi të gjithë filtrat shtetërorë të Prokurimit.

Më Shumë

Milani nis sulmin final për Zirkzee

Skuadra e Serie A, Milan-i tani po bën presion për të nënshkruar me Joshua Zirkzee nga Bologna dhe po shton përpjekjet e tyre për...

“El Clasico” zhvillohet sot në basketbollin kosovar

Sigal Prishtina dhe Trepça do të ballafaqohen sot në kuadër të playoff-it të gjysmëfinaleve në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll. Duelin e parë...

Lajmet e Fundit