Në Gjykatën Themelore në Prizren, seanca e së premtes ndaj të akuzuarit për detyrim Asdren Mekaj, është përcjellë me tension mes prokurores së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Merita Bina- Rugova dhe mbrojtësit të të akuzuarit Mekaj, avokatit Besnik Berisha. Shkak për këtë, u bë propozimi i mbrojtjes për dëgjimin e disa dëshmitarëve dhe propozimi i provave të reja.
Mekaj akuzohet se i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, pasi sipas Prokurorisë ai ka përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta sipas kushteve të tij.
“S’jeni ju që e udhëhiqni prokurore seancën, veç një herë të foli, dije që nuk e udhëheq seancën kjo është veç palë, njësoj si ky”, ka thënë avokati Berisha.
Ndërsa, prokurorja Bina- Rugova tha se mbrojtja përdorë fjalor fyese, e që ky zakon sipas saj po kalon pa asnjë vërejtje nga ana e trupit gjykues, andaj bëri thirrje që t’i tërhiqet vërejtja mbrojtjes.
“Për dallim nga mbrojtja, mua më duhet me qenë shumë e shkurt sepse zakonisht nuk më jepet mundësia që të flas më gjatë. Kësaj radhe dua të apeloj prej trupit gjykues që t’i tërhiqet vërejtja mbrojtjes nga fjalori fyes që e përdor rregullisht, jo vetëm në raport me deklaratën e të dëmtuarit por edhe në raport me Prokurorinë dhe aktakuzën. Ky zakon i mbrojtjes fatkeqësisht kalon pa asnjë vërejtje nga ana e trupit gjykues”, ka thënë prokurorja Bina- Rugova.
E gjithë kjo, ndodhi pas propozimeve të avokatit Berisha për dëgjimn e dëshmitarëve Alban Gashi, Xhevdet Kelmendi, Benson Buza, Besfort Omaj, Fitim Thaqi, Sheg Ismaili, Nazmi Gollopeni dhe Driton Bellopoja, si dhe propozimit për sigurimin e provës dhe atë të dhënat nga Qendra e regjistrimit të automjeteve që janë përshkruar në dispozitiv të aktakuzës.
Berisha ka thënë se provat e propozuara dhe dëshmitarët e propozuar nuk kanë për qëllim zvarritjen e këtij procesi dhe nuk janë duplifikim i provave. Sipas tij, Prokuroria dhe Policia kanë refuzuar të sigurojnë prova shfajësuese përkundër asaj që është detyrim ligjor.
Kundërshtime për këto propozime ka paraqitur prokurorja Bina- Rugova, e cila të njëjtat i ka cilësuar si zvarritje të procedurës.
“Konsideroj se ky propozim i mbrojtjes është edhe një shembull edhe një përpjekje e radhës për zvarritje të procedurës, e cila edhe ashtu deri tash ka zgjat pas ngritjes se aktakuzës pesë vite e gjysmë, diçka që konsideroj se është e pafalshme. Prokuroria disa vite me parë ka insistuar që të dënohet mbrojtësi për zvarritje të procedurës dhe ky propozim është edhe një dëshmi i qëllimeve të tyre”, ka thënë Bina-Rugova.
Po ashtu, kundërshtime ka paraqitur edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit, Pal Gruda, avokati Miftar Qelaj, me arsyetimin se propozimet e avokatit Berisha janë veçse zvarritje e procedurës dhe të njëjtat ka propozuar që të refuzohen për shkak mungesës së relevancës në raport me objektin e akuzës.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha propozimet e avokatit Berisha për dëgjimin e dëshmitarëve dhe sigurimin e provës materiale, i ka refuzuar.
Me kërkesën e avokatit Berisha, seanca e sotme është ndërprerë, kurse seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 27 dhe 28 shtator 2023.
Ndryshe, këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Besnik Berisha, gjykatësi Osmani ishte përjashtuar, kurse me vendim të gjykatës lënda i është caktuar gjykatëses Teuta Krusha.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj, për shkak të kryerjes së veprës penale “Detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “Shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.
Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vetë i ka caktuar.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale.
Megjithatë, për veprën penale “Shantazhi” Gjykata Themelore në Prizren, më 31 gusht 2018, kishte marrë aktvendim, me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme. /BetimipërDrejtësi