8.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Thaçi përsëri paralajmëron padi për gjenocid ndaj Serbisë

Mediat kroate kanë raportuar gjerësisht për vizitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shtetit kroat.

Në vizitën e tij në Zagreb zëvendëskryeministri Thaçi është pritur fillimisht nga kryetarja e re e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, e më pas edhe me kryeministrin Zoran Millanoviq, zëvendëskryeministren e pare dhe ministrën e jashtme Vesna Pusiq, dhe me kryeparlamentarin Josip Leko.

Shtypi kroat raporton se Thaçi dhe Pusiq kanë diskutuar bashkëpunimin bilateral dhe atë rajonal duke nënvizuar rëndësinë për përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit dhe perspektivën euroatlantike për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, është theksuar marrëveshja për partneritet evropian ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, e nënshkruar nga Thaçi dhe Pusiq, marrëveshja kjo e cila i mundëson Kosovës të përfitojë nga përvojat e freskëta dhe njohuritë e shtetit kroat në rrugën e saj drejt BE-së dhe NATO-s.

Televizioni publik kroat, “HRT”, ka vënë në pah deklaratat e Thaçit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, me përqendrim të posaçëm në avancimin e zhvillimit të potencialeve të Kosovës në energjetikë dhe miniera, por edhe në kulturë, kinematografi dhe sport.

Thaçi ka thënë për HRT se Kosova gjatë këtij viti do të nënshkruajë MSA-në, do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, se Kosova mund të ushtrojë padi për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, përkushtimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm por edhe anëtarësimin në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar që ka hapur portat për përshpejtimin e ndërkombëtarizimit të plotë të sportit kosovar.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Hina” citon zëvendëskryeministrin Thaçi të ketë thënë se Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të përshpejtojnë integrimin e shteteve të Ballkanit, dhe se në muajt në vijim priten rezultate të prekshme, duke përfshirë lëvizjet pozitive në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

E përditshmja kroate “Dnevnik” nënvizon deklaratën e Thaçit se Serbia herët a vonë do të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe se ndihma më e madhe që BE mund t’i jape Kosovës dhe Serbisë është që i gjithë Ballkani Perëndimor të hyjë në BE njëkohësisht, në grup. Kosova së shpejti do të ketë forcat e saja të armatosura, me standarde të NATO-s, dhe më pas do t’i bashkohet programit të Partneritetit për Paqe. Gazeta “Veçernji List” thekson kontributin e Thaçit për përshpejtimin e procesit eurointegrues të Kosovës dhe stabilitetit rajonal pas sukseseve në dialogun në Bruksel.

Mediet kroate bëjnë të ditur se zëvendëskryeministri Thaçi është dekoruar nga Shoqata e Luftëtarëve Shqiptarë të Kroacisë me titullin më lartë “Mirënjohje e Artë” me motivacion kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë, formimin e institucioneve demokratike dhe politikën paqësore në rajon.

Më Shumë

Lajmet e Fundit