10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Thaçi: Të rrëzohen gjitha vilat pa leje në Prevallë

Thaci ne prevallKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka vizituar të martën vendin ku është bërë rrënimi i shtëpive pa leje ndërtimi dhe ku po bëhet rehabilitimi i hapësirës së parkut në Prevallë.Duke folur para gazetarëve, Thaçi ka thënë se ka dalë këtu për t’i dhënë mbështetje të plotë vendimit të ministrisë së Ambientit për pastrimin e plotë të kësaj zone të mrekullueshme të bjeshkëve të Kosovës.

“Bjeshka e Prevallës është bukuri e jashtëzakonshme e Kosovës, është një bukuri natyrore, por edhe turistike dhe ne kemi obligim të gjithë, ta mbrojmë nga dëmtimi, shëmtimi dhe degradimi. Jemi sot këtu, së bashku me ministrin Gashi që të shikojmë hapat e mëtejmë që po ndërmerren. Veprimet e para veç janë ndërmarrë, është pastruar një pjesë e madhe e hapësirës që ka qenë më herët e uzurpuar”, ka thënë Thaçi.

Ai ka bërë me dije se do të vazhdohet edhe në pjesë të tjera dhe është një aksion që do të përfshihet në katër faza, ndërsa tani, Thaçi ka thënë se jemi në fazën e dytë.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se Qeveri do të vazhdojë të investojë në turizëm e në ambient. “Ai që investon në ambient të mirë, për mua është një patriot i madh, sepse është vetë shëndeti ynë”, theksoi Thaçi, duke shtuar se do të punojmë maksimalisht edhe me autoritetet komunale dhe me gjithë akterët të tjerë të mbrojtjes së ambientit.

“Gjithashtu dua të theksoj ne veçanti se pas insistimit të Qeverisë së Kosovës dhe vendimeve që kemi marrë në Qeveri dhe në Kuvend, tani do të kemi edhe Ligjin për Legalizime, që janë diku mbi 500 mijë leje që kanë ndodh dhe që do të ndodhin në të ardhmen. Prandaj, kam besim të plotë që gjithçka do të shkojë sipas planit, jo vetëm këtu në Prevallë, por në të gjitha hapësirat e territorit të Republikës së Kosovës, ku është e nevojshme dhe e domosdoshme”, theksoi mes tjerash, Thaçi.

Ndërkaq, në pyetjet e gazetarëve nëse do t’u mbetet hatri kolegëve të tij që kanë vila në Prevallë, Thaçi ka thënë se nuk merret me ta, por vetëm për ambientin e Kosovës.

“Nuk jam këtu as për kolegët e mi, as për kundërshtarë politikë, jam për ambientin e Kosovës, jam në shërbim të gjithë qytetarëve të vendit dhe ambienti i pastër është në shërbim të të gjithëve, në interesin e shëndetit të të gjithëve. Sa i përket kolegëve politikë dhe oponentët që ju përmendët, dua të theksoj se një nga frekuentuesit më të shpeshtë të kësaj bjeshke gjatë vikendeve, jam personalisht vetë, kështu që, i ftoj të gjithë për mbështetje dhe falënderoj shumë për mbështetjen që po e japin për të vazhduar thjeshtë pastrimin e këtij ambienti, sepse është në shërbimin e të gjithëve, qofshin ata të opozitës, qofshin të PDK-së. Por, ju e dini se vendimet që janë marrë edhe më herët, nuk ndërlidhen me mandate qeveritare apo të autoriteteve komunale. E theksova, dëmtimi dhe degradimi ka filluar qysh prej 99’-s deri më sot”, ka theksuar Thaçi.

Gazetarët e kanë pyetur edhe në lidhje me mos-gatishmërinë e komunës së udhëhequr nga PDK, Prizrenin, për t’u marrë me këtë gjendje që e ka kapluar Prevallën, duke theksuar se gjithçka ka nisur me iniciativën e Ministrit Gashi, i cili i ka pezulluar vendimet e Komunës së Prizrenit.
“Unë nuk jam këtu për tu marrë me parti politike. Faleminderit autoriteteve komunale për mbështetje të plotë që i kanë dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës. Besoj se qytetarët e dinë se ky degradim dhe shëmtim ka ndodhur që nga viti 1999 e deri më sot. Por, ne jemi të vendosur ta ndalim dhe këtu nuk ka asnjë qasje apo motiv politik. E gjitha është në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, u shpreh Thaçi.
Në fund, kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi, u pyet nga gazetarët nëse ka ndonjë vilë edhe ai, ndërkaq ai u përgjigj: “Sikur ta kisha, do ta kisha deklaruar”.

Më Shumë

Moti sot me diell dhe shumë i ngrohtë

Të dielën, më 14 prill parashikohet të mbajë mot me diell dhe shumë i ngrohtë. Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 6-25...

Vdes aktorja shqiptare, Shirine Morina

Ka vdekur aktorja e njohur e skenës artistike të Kosovës, Shirine Morina. Vdekjen e saj e bëri të ditur, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci. Ai thotë...

Lajmet e Fundit