22.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Top Fest 11, sot mbrëmja e yjeve

top-fest-320x320Më shumë se një dekadë jetë Top Fest është kthyer në një institucion të muzikës moderne shqiptare. Për herë të parë një skenë u dha mundësi zërave të rinj, të evidentoheshin dhe të nisnin një karrierë të suksesshme. Por Top Fest erdhi dhe si një alternativë e festivaleve të kohës, të cilat promovonin vetëm një dorë artistësh dhe një lloj të caktuar muzike, e përcaktuar shpesh si tipike festivalesh. Ky festival e çoi muzikën shqiptare t’i qasej asaj ndërkombëtare dhe artistëve që deri më parë nuk kishin asnjë platformë tjetër ku të shfaqeshin, tashmë të kishin një mundësi për të bërë realitet ëndrrën e tyre. Duke besuar në forcën e madhe të talentit dhe të vlerave Top Fest, ka krijuar këto vite yje në muzikën e lehtë shqiptare, këngëtarë që kanë krijuar tashmë emrin e tyre në tregun muzikor. Janë të shumtë artistët e dalë nga ky festival, si Alban Skënderaj, Stine, Big Basta, Indrit Mesiti, Ledri Vula, Kaos, Blero, Dafina Zeqiri etj. Ky format muzikor i pranoi ata pa kushte, në një kohë kur nuk i njihte askush dhe u dha mundësinë të bëheshin ata çfarë kishin dashur gjithnjë të ishin, emrat më të rëndësishëm në tregun muzikor në vend.

Prurjet muzikore kanë qenë interesante dhe të shumëllojshme dhe në këtë edicion. Prurjet nga viti në vit, kanë qenë më cilësore, por nuk kanë munguar dhe stilet ndryshe. Në edicionin e 11 të Top Fest, përveç zërave të rinj si Aldo Simoni, Sigi Bastri, Nita Latifi konkurrojnë dhe disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare si: Soni Malaj, Era Rusi, vëllezërit Endri dhe Stefi Prifti, Big Basta etj. Nëse vite më parë do të shihej çuditshëm pjesëmarrja e emrave që kanë bërë historinë e muzikës shqiptare, në një festival të ri, ku konkurrentët ishin të rinj, në edicionet e fundit Top Fest ka treguar që fizionomia e tij ka tërhequr dhe emra të mëdhenj të muzikës. Kanë ardhur si konkurrentë në këtë festival këngëtarët Kozma Dushi dhe Gjergj Leka. Stilet janë të shumëllojshme edhe këtë vit, edhe pse baladat janë më të forta dhe më të dashura nga publiku që i klikon në You Tube dhe i kërkon në radio.

Filozofia e Top Fest-it është fituese, sepse me mbështetjen e Top Media-s, përpara natës finale, këngët promovohen në disa mediume që mbulojnë të gjithë spektrin mediatik, duke bërë që finalja më shumë sesa konkurs, të jetë një festë e madhe e muzikës, ku publiku këndon dhe kërcen bashkë me këngëtarin. Top Fest-i është gjithmonë inovativ, duke u ikur klisheve dhe formave të gatshme dhe duke gjetur alternativën për diçka të re e frymëzuese për artistët dhe shikuesin. Duke nisur që nga spotet promovuese të natës finale.

“Top Fest-i është një dhe i vetëm, ndaj edhe promo është një dhe e vetme. Me artistë si Xhoana Thanasi apo Rezart Gurashin vitet e fundit, kemi treguar se ky festival nuk është aq deklamativ, sesa një koncept, nga ato tipiket Made in Top Channel. Jo vetëm te spoti por tek e gjithë faqosja grafike”, thotë Ledion Lico.

Përpara se të shkojë në natën finale, muzika përzgjidhet nga një staf artistik, nën drejtimin e drejtuesit artistik të këtij festivali, Dorian Gjoni. Seleksionimet fillojnë me fazën ditore të prezantimit, më pas në gjysmë finale dhe vetëm një pjesë shumë e vogël e këngëve arrijnë të bëhen pjesë e natës finale. Por, edhe ata që nuk prekin dot skenën e Pallatit të Kongreseve, shtëpia e Top Fest-it prej 10 vitesh, promovohen duke u kandiduar në sharmin e MTV, në kategorinë e 13 çmimeve që do të ndahen sonte. Më i rëndësishmi është çmimi i madh që i jep këngëtarit fitues një ndihmë financiare jo të vogël, për të mbështetur rritjen e tij të mëtejshme. Një aspekt shumë i rëndësishëm i Top Fest është dhe koncepti regjisorial, i cili është atipik dhe shpesh shembull për të tjerët. Regjisori dhe autori i këtij edicioni është Ergys Lubonja. Ndërsa skenografin Fatmir Minga është kujdesur që si çdo vit të surprizojë me dekorin e festivalit, si dhe teknologji, për të sjellë një atmosferë madhështore. “Si çdo vit ne sjellim fjalën më të fundit të teknologjisë së aplikuar alla Top. Këtë vit ka disa të reja të cilat jam i bindur që do t’i befasojnë shikuesit, ata në sallë dhe më shumë ata që do ta ndjekin përmes ekranit të Top Channel. Falë një stafi të palodhur, jam i bindur që ia vlen pritja e një viti për të parë një shfaqje si kjo”, thotë regjisori Lubonja.

E ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë nga mbrëmja e madhe, këngëtarët konkurrues, janë duke pritur me ankth vendimet e jurisë, dhe të publikut. Ndërsa tre prezantuesit Ledion Liço dhe motrat Marina dhe Luana Vjollca janë të sigurt që do të sjellin një spektakël të vërtetë. “Në mezi e presim Top Fest-in, është shumë bukur të punosh në një produksion kaq të madh, sepse të jepen mundësi fantastike për të pasuruar punën tonë, si prezantuese”, shprehen motrat Vjollca. Në krah të Ledionit, ato ndihen si në një festë nga e cila nuk duan të largohen. Për Ledion Liçon ky vit shënon një dekadë me Top Fest. I lidhur me këtë festival që në edicionin e tij të dytë, ai shprehet se festivali është si klubi i tij i preferuar. “Ka muzikë të mirë, skenografi që të lë mbresa, vajza të bukura të duket vetja si jashtë shtetit. Është privilegj të kthehesh njëherë në vit këtu”, shprehet Liço.

Sot është nata që yjet e show-bizit ëndërrojnë, ajo e tapetit të kuq dhe e emocioneve që nuk do të mbarojnë deri pas mesnate…

 

Ledion Liço

Për Ledionin ky vit shënon një dekadë me Top Fest. I lidhur me këtë festival që në edicionin e tij të dytë, ai shprehet se festivali është si klubi i tij i preferuar. “Ka muzikë të mirë, skenografi që të lë mbresa, vajza të bukura të duket vetja si jashtë shtetit. Është privilegj të kthehesh njëherë në vit këtu”, shprehet Liço.

Marina dhe Luana

“Në mezi e presim Top Fest-in, është shumë bukur të punosh në një produksion kaq të madh, sepse të jepen mundësi fantastike për të pasuruar punën tonë, si prezantuese”.

Ergys Lubonja

“Si çdo vit ne sjellim fjalën më të fundit të teknologjisë së aplikuar alla Top. Këtë vit ka disa të reja të cilat jam i bindur që do t’i befasojnë shikuesit, ata në sallë dhe më shumë ata që do ta ndjekin përmes ekranit të Top Channel. Falë një stafi të palodhur, jam i bindur që ia vlen pritja e një viti për të parë një shfaqje si kjo”

Më Shumë

Nis rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes së Prizrenit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se ka nisur rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes...

Homazhe në 25-vjetorin e rënies së martirëve në Korishë

Në nderim të 25-vjetorit të rënies së martirëve të fshatit Korishë, deputeti Arbër Rexhaj, bashkë me aktivistë të Lëvizjes, bënë homazhe dhe vendosën kurora...

Lajmet e Fundit