24.4 C
Prizren
E martë, 8 Korrik, 2025

Tragjedia në Korishë: Rrëfimi i nënës që i pa fëmijët e vet duke u djegur

Forcat serbe gjatë luftës së fundit i përdorën civilët shqiptarë edhe si mburojë e gjallë. Kjo ndodh pikërisht në Korishë të Prizrenit, ku banorët i grumbulluan në vendin ku qëndronin tanket deri atë ditë, e që më pas do të qëllohen nga aeroplanët e NATO-s. Kujtimet për atë ditë makabre mbeten të pashlyeshme për ata që i mbijetuan kësaj tragjedie. Më së keqi atë ditë pësoi familja e gjerë Ahmetaj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Atë ditë humbën jetën 77 persona të moshave të ndryshme, në mesin e tyre edhe fëmijë.

Zejnije Ahmetaj tregon se çdo natë i sheh flakët e zjarrit mbi trupat e bijave të saj tani të vrara, Arbërores dhe Sarandës.

“Harroj plagët e mia që i kam në trup, zjarri i fëmijës e djeg gurin e lëre më zemrën e nënës”, tregon ajo.

Nëna tjetër, Hyrmetja atë natë humbi djalin e vetëm Valonin dhe bijën Vlorën bashkë me vjehrrin Destanin dhe vjehrrën e saj.

Pikërisht më 13 maj të vitit 1999, forcat ushtarake serbe kishin vendosur arsenal të madh armësh në një cep të magjistrales në afërsi të fshatit Korishë, por ato forca ishin fokusuar nga NATO-ja. Mirëpo, dredhia serbe ishte aq e egër dhe barbare dhe këto forca i largon e në vend të tyre i vendos trupat e pafajshme të civilëve nga 2 vjeç e deri në 70 vjeç, që t’i përdorë si trupa të gjallë për bombardimet e pritura. Atë natë të dhembshme mbi ato trupa fëmijësh dhe pleqsh bien bombat dhe këtu gjejnë vdekjen 77 martirë të kombit.

Duke folur për “Kosova Sot”, Hasan Ahmetaj shprehet se Serbia këtu përdori trëndafila të paçelur mirë dhe i shfrytëzoi si mburojë trupore.

“Mirëpo, tanimë si detyrë jona është që këtë t’ia bëjmë të ditur botës. Këtë ditë, këtu e 17 vjet më parë, u flijuan 77 margaritarë të lirisë”, ka thënë Ahmetaj.

Edhe Sanije Rexhepi rrëfen për tmerrin e asaj dite ku humbi vajzën Hysnijen, bashkë me dy fëmijët e vegjël.

“Dhembja padyshim se është e madhe, por në këtë datë dhembja edhe na shtohet”, na thotë nënë Sanija.

Dyshohet se mjekët serbë i vrisnin të plagosurit në spitale

Zejnije Ahmetaj tregon se pos fëmijëve, ajo ka humbur edhe bashkëshortin Hamdiun. Ajo dyshon se burrin e saj e kanë vrarë mjekët serbë.

“Ai ka folur haptas për shokët e tij luftëtarë të UÇK- së, duke mos u frikësuar fare nga fakti se ishte në spital”, na thotë Zejnija.

Fahrije Ahmetaj-Halimi rrëfen se në këtë tragjedi kanë humbur jetën 41 anëtarë të familjes Ahmetaj, kurse ajo nga familja e ngushtë ka humbur tetë anëtarë.

“Dhembja është si një sëmundje e rëndë jo që shërohet, por ajo vjen dhe bëhet gjithnjë e më rëndë”, na thotë ajo.

Osman Ahmetaj përshkruan si erdhi deri te tragjedia.

“Në këtë cep rruge, para se të na ndalonin neve, këtu ishin strehuar shumë tanke serbe. Mirëpo, siç duket serbët këtë gjë e kishin mësuar gjatë ditës. Posa në buzëmbrëmje kemi kaluar aty, ata i kanë hequr tanket e tyre dhe aty na kanë vendosur neve me traktorë, ashtu siç ishim përgatitur që ne të shkonim drejt Shqipërisë. Në orët e vona të natës, së pari është hapur një dritë e fuqishme, pas kësaj një aeroplan ka filluar të gjuajë, duke menduar se aty janë tanket serbe. Ka pasur lemeri të madhe, britma njerëzish. Aty ka qenë vetë xhehenemi”, tregon baca Osman, i cili e ka të vështirë të përfundojë rrëfimin.

Mjekët shqiptarë u detyruan të qepin me gjilpërë dore mbi 100 të plagosur

Për tmerrin e asaj dite rrëfen edhe Haxhi Avdyli, mjek i UÇK-së.

“Kemi arritur që t’i ndihmojmë afërsisht nga 100 të lënduar, por lëndimet ishin shumë të rënda, andaj edhe ishin rreth 100 të tjerë që patën marrë rrugën për në spitalin e Prizrenit. Pastaj kemi informacione se atje nuk janë trajtuar ashtu siç duhet, por ne nuk e dimë atë. Kurse ne si UÇK jemi munduar shumë për të dhënë ndihmën me ato pak mjete që kishin. Ende i kam të freskëta ato britma deri në kupë qielli siç thuhet”, tregon Avdyli.

Ai ka bërë publike edhe një pjesë të ditarit të tij të luftës.

“Pas rreth 6 javësh sulmesh të vazhdueshme, vija frontit në Buzhalë, Krushicë, Budakovë filloi të binte. Më 8 maj 1999 në mesnatë u mblodhëm në një kodër në lagjen e Hoxhëve në Budakovë. Armatimi për rezistencë të mëtutjeshme i ushtarëve mbaroi. Grupi ynë ishim diku 200 ushtarë e civilë dhe vendosëm që të tërhiqemi në Bjeshkën e Kabashit. Të tjerë morën kahe të tjera. Vendosëm që rrugëtimin ta bëjmë mbi majat e bjeshkëve mbi Vraniq, Maqitevë, Delloc, të dilnim në malet mbiGrejkovc. Marshimi vazhdonte natën, ditën pushonim nën lisa, në shi. Një natë ishim në stanet e Maqitevës dhe një natë te shtëpizat e Mushtishtit. Rreziku ishte te Guri i Dellocit ku ishin stacionuar serbët, e cila pasi u kalua dolëm te Ashka e Keqe e Grejkovcit. Pas 3 ditësh marshim, arritëm për herë të parë të flinim në shtëpinë e Kicajve në Grejkovc.

Serbët ishin të vendosur në shtëpitë nën xhami, kurse në shtëpitë mbi xhami rrëzë malit aeroplanët e NATO-s fluturonin mbi ne dhe bombardonin gjithandej caqet serbe. Serbët po ashtu gjuanin me arsenalin e tyre mbi civilë, ku mundnin dhe ku dinin që na shkaktonin dëm. Pas natës së parë te Kicajt u nisëm për Kabash me dr. Sinan Sopën, stomatolog nga Suhareka, të shoqëruar me disa ushtarë, për të parë gjendjen shëndetësore të dhjetëra ushtarëve të plagosur dhe mijëra civilë të sëmurë. Në lagjen e Sahit Ukajve na mirëpriti Komandant Drini dhe komandant Luli (Lulzim Kabashi). Aty u bashkuam me dr. Jemin Zeqirin e Mushtishtit e infermierë vendorë. Bashkë filluam të trajtojmë ushtarët e plagosur, por edhe qindra civilë të sëmurë me ato pak barna që kishim të cilat i kishin siguruar banorët e Korishës, e Skorobishtit dhe ushtria. Ushtarët trima të plagosur, si Gani Muqaj etj. qëndronin stoikisht. Komandant Drini e Luli gjithandej ngrinin moralin e ushtarëve e civilëve se liria po vjen. Por, mijëra civilë në Kabash e Muzhlak tashmë të sfilitur në tenda llastiku po shteronin ushqimet. Edhe pse me një bukë e kishin dhjetëra civilë sapo shkonim ekipi i mjekëve, shpirti bujar i tyre s’na lëshonim pa na dhënë një kafshatë apo një gotë qumësht edhe ne 3 mjekëve. Por, ende s’e dinim se kataklizmi i madh po vinte”, shkruan në ditar.

Por, sipas Avdylit, askush atëherë s’e dinte se kasaphana e madhe e popullatës civile të Korishës po përgatitej nga soldateska serbe, e kjo ishte dita e kobshme e 13 majit.

“Pas kësaj ne si mjekë na u desh të qepim edhe me gjilpërë dore të thjeshtë dhe i trajtuam 100 pacientë dhe tjetër s’kishim se si t’i trajtonim dhe shumë vdiqën para duarve tona. Ajo ishte lemeria e jetës time”, tregon Avdyli për “Kosova Sot”.

Ëndrra që e paralajmëroi për tragjedinë e familjes

Ndërsa veprimtari Asllan Asllani rrëfen për varrimin që iu bë trupave ato kohë të këqija të luftës.

“Ishin bërë 88 të vrarë, dhe në vendin e quajtur “Boka”, kur nuk arritëm t’i varrosim secilin një nga një, edhe për shkak të rrezikut mbi kokë, kemi filluar të përdorim ekskavatorin që t’i varrosim të gjithë përnjëherë”, tregon Asllani.

Kurse Xhemajl Ahmetaj rrëfen se tragjedinë e kishte përjetuar si kurbetçinj. Ai tregon se natën e 13 majit ishte në Lubjanë.

“Atë natë nuk kam mundur assesi të bëj gjumë. Kam parë ëndrra, e kam parë djalin e vëllait tërë natën në ëndërr, e shihja nënën time. Në mëngjes u tregova familjarëve, por derisa fillova të tregoja bota kishte kuptuar se në Korishë ishin vrarë 41 anëtarë të familjes sonë. Këtu më pushuan tanimë ëndërrimet dhe besoni e dija saktë se ata ishin vrarë”, rrëfen Xhemajli mes lotëve që nuk janë tharë as pas kaq vitesh. /Kosova Sot/

Prizren-martiret ne Korishe1

Më Shumë

NGOM Fest nis sonte në Kalanë e Prizrenit

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës, NGOM Fest, që është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Kosovë, sonte hap dyert për adhuruesit e...

“Hidroregjioni Jugor” intensifikon masat për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit në Prizren

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka nisur ndërmarrjen e një sërë masash konkrete për të përmirësuar gjendjen e rrjetit të ujësjellësit në komunën...

Lajmet e Fundit